Konfirmohet hetimi i OLAF për ambasadoren Romana Vlahutin

477
Burime nga Brukseli konfirmuan për Exit.al se lajmi i pakonfirmuar zyrtarisht për hetimin e ambasadores së BE-së Romana Vlahutin nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është në fakt i vërtetë.

OLAF është institucioni i pavarur i BE-së i ngarkaur me hetimin e mashtrimeve dhe abuzimeve me buxhetin e BE-së, korrupsionin e funskionarëve dhe sjelljet e paligjshme në të gjitha institucionet e BE-së.

Dyshimet e para në lidhje me një hetim të mundshëm të OLAF u bënë publike në shkurt 2017, kur Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u takua me drejtorin e OLAF Giovanni Kessler në Bruksel.

Megjithëse arsyeja e hetimit është e paqartë, mendohet se ai mund të jetë i lidhur me blerjen e vilës së Ambasadores së BE-së në rezidencën luksoze Rolling Hills në Tiranë.

Exit.al vazhdon të ndjekë hetimin për këtë çështje. Ne kemi paraqitur një kërkesë pranë Avokatit të Popullit të BE-së për të pasur akses në dokumentat e plota të paraqitura nga Zyra e BE-së në Tiranë lidhur me blerjen e vilës 1,6 milion euro. Ndërsa, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) ka refuzuar t’i japë Exit.al këto dokumente, duke cituar “interesa komerciale”.

Procedurat për blerjen e vilës ka ngjallur interesin e Komitetit të Kontrollit të Buxhetit të Parlamentit Evropian, me Kryetare Ingeborg Gräßle. Kjo e fundit i ka drejtuar një sërë pyetjesh EEAS-së lidhur me blerjen e vilës.

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijančič ka hedhur poshtë akuzat për një mashtrim të mundshëm, duke i quajtur ato “trillime”. Ndërsa vetë ambasadorja Vlahutin i ka quajtur ata që e kanë akuzuar “grupe me interesa kriminale” që nxisin “lajme të rreme”.

Duke pasur parasysh historinë e ambasadores Vlahutin për fshehjen e pasurisë në Kroaci dhe duke ditur historinë e keqadministrimit të fondeve të Delegacionit të BE-së në të kaluarën në Shqipëri, është e drejta e qytetarëve të BE-së dhe Shqipërisë që të njohin të vërtetën për këtë blerje të diskutueshme.
Sigal