Konferenca Rama-Haradinaj: Viti i Skënderbeut, vit i strategjive të përbashkëta mes dy qeverive

474
Qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës do të mblidhen në 27 nëntor në Korçë në kuadër të Vitit të Skënderbeut. Rama dha disa mesazhe në interes të shqiptarëve
Ka nisur punimet në Tiranë, nën drejtimin e kryeministrave të Shqipërisë dhe të Kosovës, Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt, Komisioni për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Rama, në fjalën e hapjes, ka njoftuar se Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut do të nisë me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri- Kosovë më 27 nëntor 2017. “Vitin e Skënderbeut e duam si një kujtues të rrugës sonë të përbashkët krah për krah njeri tjetrit në funksion të një të ardhmeje të merituar për të gjithë shqiptarët. Dhe në këtë kuadër do t’i biem pas, motos së Skëndrbeut “Ndiqmëni!”. Ky vit do të jetë nën kujdesin simbolik të Presidentit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe aty do të përfshihen autoritete të larta të Prishtinës, Tiranës, Tetovës si dhe mendje të mbara të botës sonë akademike universitare pa kufi. Ky vit do të na shërbejë si busull ardhmërie por edhe pak përgjegjshmëri në funksion të njerëzve të zakonshëm të Kosovës, Shqipërisë dhe botës shqiptare në tërësi. Vitin Mbarëkombëtar do ta mbyllim më 28 nëntor 2018 me diasporën si lajtmotiv”, tha Rama. Mesazhi i dytë nga Rama do ishte ai i Shqipërisë së dijes me objektiva të qarta arsimorë, kulturore të përbashkëta për dy qeveritë për të ripërtërirë trashëgiminë tonë arkivore gjuhësore e historike. “Të mendojmë edhe për tu ndarë nga historia e lodhshme sovjetike e akademive të shkencave që i përkasin të shkuarës e për ti hapur rrugë krijimit të një akademie shqiptare pa kufij, ku të gjitha mendjet e ndritura të kombit tonë të jenë në një çati në funksion të atyre vlerave të rëndësishme identitare dhe të asaj trashëgimie që s’mund ta lëmë të bjerret, por duhet ta nxisim e promovojmë. Kërcënimit që i bëhet gjuhës shqipe, të folur e të shkruar dhe domosdoshmërinë që ne ti bëhemi mburojë kësaj arritje të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme të shqiptarisë”. Mesazhi i tretë sipas Ramës është ai i ardhmërisë ku partnerët ë rëndësishëm do jenë të gjithë komunat shqipfolëse të rajonit me objektiva koncize zhvillimore dhe marrëdhënieve qytetare. Ndërsa mesazhi i katërt që Rama mendon se do i shkonte këtij viti të shënjuar është ai i dinjitetit qytetar, për të pasur objektiva për shanse të denja për rininë. “Ky s’do jetë viti i të pushtetshmëve dhe i qokave përkujtimore, por viti i shqiptarit të zakonshëm dhe i fëmijëve të kombit shqiptar, që ti japim përmes frymëzimit të këtij viti të rëndësishëm më të mirën tonë duke cuar përpara procese dhe nisma që i shërbejnë të ardhmes dhe ku e shkuara është një pikë referimi e se kthejnë në një shpatë ku palët luftojnë njëra tjetrën”, përfundoi Rama. Ndërsa Haradinaj u shpreh se “Jemi të vendosur që rrugëtimin drejt BE ta bëjmë së bashku me Shqipërinë. Kalimin kufitar ka kthejmë si në BE dhe të mos kemi pengesa doganore apo njësimi i diplomave. Ne e mirëpresim mbledhjen e dy qeverive, do të kemi një agjendë edhe të mëtejshme. Kemi pritur shumë vjet me u hap mes vete, jemi të angazhuar që kjo të ndodhë. Është një festë” deklaroi ai. Ramush Haradinaj u shpreh se Kosova nuk është vetëm, pasi ka Shqipërinë në krah në të gjithë proceset integruese.

“Edhe në momentet më të vështira tonat nuk kemi mbetur vetëm, bashkëkombësit kanë qenë me ne. Kosova është e përgjegjshme ndaj komuniteteve dhe sot e ndien përgjegjësinë si shtet i ri. Duhet të forcojmë lidhjet me Shqipërinë. Na vjen mirë, që na jepni mundësinë të jemi në një vit të angazhimeve të përbashkëta, që është i lidhur me figurën e heroit tonë, Skënderbeut. Duhet të sigurojmë shqiptarët kudo që jetojnë që ta ndiejmë njëri tjetrin më afër. Unë kam kuptuar rrugëtimin që na pret që fillon në mbledhjen e qeverisë në 27 Nëntor në Korçë, temat mund t’i përmbyllim deri në atë takim. Për t’u raportuar qytetarëve për arritjet”.
Sigal