Konferenca post-zgjedhore/ Kreu i KQZ, Klement Zguri: “Është koha që lidershipi politik të tregojë vullnet dhe vendosmëri”

494
Kjo konferencë pas-zgjedhore u përqendrua në gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe në asistencën e ofruar nga Këshilli i Evropës në mbështetje të zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. Përmes një analize të çështjeve kryesore problematike të vërejtura në raportet e mësipërme, konferenca synoi të përcaktojë hapat kryesorë që duhet të ndërmerren në kontekstin e një reforme të ardhshme zgjedhore.
Fjala e Kryetarit të KQZ-së në konferencën post-zgjedhore “Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 në Shqipëri – Mësimet e nxjerra dhe hapat përpara: Legjislacioni, Administrata, Edukimi”. 
Shkëlqesi Ambasadorë Borchardt dhe Tejler,
I nderuar Bylykbashi,
Të dashur pjesëmarrës,
Më lejoni, së pari, t’i uroj mirëseardhjen ambasadorit Tejler, zotit Friederich dhe ekipeve që i shoqërojnë, si dhe t’u shpreh mirënjohje të thellë për vëmendjen dhe angazhimin që tregon ndaj nesh,
si dhe falenderoj zotin Neukirch dhe Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë për organizimin e kësaj veprimtarie.
Më takon që falenderimet t’i bëj sot të dyfishta: për bashkëorganizimin e aktivitetit, por edhe për këtë sallë simpatike veprimtarish që Këshilli i Evropës ia mundësoi me bujari KQZ-së.
Një ndihmë konkrete, e dobishme dhe e qendrueshme, shenjë e bashkëpunimit të ngushtë me Këshillin e Evropës, por edhe provë e suksesit të projekteve të përbashkëta.
Tryeza si kjo e sotmja shërbejnë që diskutimet për problematikat e procesit, çfarë duhet ndryshuar dhe përmirësuar, të bëhen konkrete dhe në mënyrë konstruktive përmes bashkëbisedimit dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe ideve. 
Si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, institucionit më të lartë përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, por edhe si anëtar i KQZ-së prej 20 vitesh, mund të them me bindje se proceset zgjedhore në vendin tonë janë përmirësuar, kanë arritur standarde evropiane dhe janë një gur themeli për demokracinë në vend. 
Por gjithashtu, mund të them me bindje se kemi ende shumë punë për të bërë, të gjithë ne, të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, madje edhe vetë zgjedhësit. 
Është momenti i duhur për të diskutuar mbi hapat konkretë që duhen bërë për të përmirësuar dhe gjetur zgjidhje problematikave të hasura në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, pasi jemi në prag të reformës zgjedhore dhe kemi kënaqësinë që sot të pranishëm në këtë tryezë janë edhe bashkëkryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Kjo prezencë më nxit të theksoj se reforma e ardhshme zgjedhore nuk mund të jetë vetëm një hap para drejt një standardi më të mirë. Reforma e ardhshme zgjdhore përbën një kusht, një mundësi e një detyrim për zhvillime cilësore, përbën premisën e të gjitha objektivave madhore që Shqipëria ka përpara. 
Prandaj kjo reformë duhet të bëhet “nëna” e të gjitha reformave, duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse, duhet të jetë transparente, e vendosur, e sigurtë dhe altruiste. 
Kjo reformë nuk pranon tolerime, nuk duron më dështime. 
Sot është koha që lidershipi politik të tregojë vullnet dhe vendosmëri, është koha të ngjallë besim, të krijojë siguri e të japë garanci. 
Duhet të korigjojmë veprimet dhe të ndryshojmë/plotësojmë legjislacionin duke mësuar nga gabimet e bëra në historinë e zgjedhjeve në vendin tonë. 
Pavarësisht arritjeve që u shënuan në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Raporti i OSBE/ODIHR-it flet për qarkullim të parave të dyshimta në fushatën zgjedhore, flet për intimidimin e zgjedhësve dhe shit-blerje të votës, për përdorim të burimeve të administratës publike dhe politizimin e administratës zgjedhore. Të gjitha këto nuk duhet të pranohen më as si thashetheme, jo më si ngjarje, si fakte apo si shqetësime.
Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve harmonizimi i legjislacionit, transparenca e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe garantimi i pavarësisë, paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore, kërkojnë ndërhyrje imediate. 
➢ Rekomandimet e OSBE-ODIHR, por dhe administrimi i procesit zgjedhor nga KQZ, nxjerrin në pah domosdoshmërinë e rishikimit të legjislacionit që rregullon organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor. Praktika ka treguar se ndikimi i partive politike tek komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta ka shkaktuar probleme në çdo proces zgjedhor gjatë ditës së votimit dhe numërimit të votave. Propozimi i komisionerëve nga ana e partive politike në kapërcim të afateve ligjore, ka sjellë trajnim jo të duhur dhe në disa raste mungesë trajnimi për ta. Ndërrimi i tyre vetëm disa orë para fillimit të procesit të votimit, apo procesit të numërimit ka bërë që komisionierët e trajnuar të zëvëndësosheshin me komisionerë të patrajnuar. Kjo ka ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në administrimin e procesit.
Kufizimi i të drejtës për zëvendësimeve në çdo kohë të administratës zgjedhore vetëm për çështje të përligjura, do të konsolidonte një administratë profesionale në kryerjen e detyrave zgjedhore.
Në fakt përkujdesi për një administratë të re zgjedhore duhet të kapë dimensione të reja. Ne mbase nuk e kemi mundësinë të ngremë një administratë zgjedhore PROFESIONISTE, por askush nuk duhet të na pengojë që të ngremë një administratë zgjedhore PROFESIONALE. Koha nuk pranon më nga administrata zgjedhore militantizimin vulgar, nuk lejon më diletantizimin infantil, nuk duron më injorancën dhe papërgjegjshmërinë korruptive. Nevoja për komisionerë të trajnuar, të pavarur politikisht dhe profesionistë e ka bërë të domosdoshme ngritjen e Qendrës së Trajnimit, e cila do të krijojë një armatë komisionerësh të trajnuar dhe të çertifikuar nga KQZ. KQZ me ndihmën e KiE dhe OSBE ka studiuar praktikat më të mira të vendeve të tjera dhe mbetet në dorë të legjislatorit që të zgjedhë platformën/modelin më të përshtatshëm të Qendrës së Trajnimit të komisionerëve dhe të bëjë ndryshimet e duhura ligjore për të mundësuar vënien në jetë të këtij projekti të rëndësishëm (Rekomandimi 4 dhe 9 i OSBE/ODIHR, pika 68 e raportit të APKiE). 
Ngritja pranë KQZ-së e Qendrës së Trajnimit, dhe certifikimi e kualifikimi prej saj i komisionerëve duhet të jetë kusht për emërimin në adminisitratën zgjedhore. 
➢ Ngritja e Qendrës së Trajnimit pranë KQZ-së, do t’i shërbejë eduktimit më të mirë zgjedhor të publikut, të brezave të rinisë, por edhe edukimit të dedikur të pakicave e të grupeve të margjinalizuara, përfshirjes së tyre akoma më shumë në projektet trajnuese dhe edukuese të zgjedhjesve. Pakicat janë grupet më vulnerabël për sa i përket shit-blerjes së votës dhe mungesës së njohurive mbi të drejtat e tyre për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur përmes votës. 
KQZ ka bashkëpunuar ngushtë me shoqatat që përfaqësojnë këto komunitete mbi edukimin e tyre zgjedhor, rëndësinë e votës, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, rëndësinë e mos-shitjes së votës. Edhe aktualisht që flasim, KQZ po vijon me projektet e edukimit të zgjedhësve me fokus pakicat kombëtare. (Rekomandimi 18 i OSBE/ODIHR). 
➢ Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore është një nga çështje prioritare që meriton vëmendje të veçantë gjatë reformës. Është çështje e cila ka ndikim të drejtëpërdrjetë në cilësinë e procesit zgjedhor dhe ka të bëjë me transparencën e aktivitetit të partive politike, të zgjedhurve të qytetarëve. Transparenca e financimit të partive politike, analizën në lidhje me aspektet teknike, të cilat nevojiten të ndryshohen, KQZ i ka bërë publike në disa takime dhe tryeza dhe do të vijojë ta bëjë. 
Në zgjedhjet e 2017 për herë të parë u bë monitorimi në kohë reale i shpenzimeve të fushatave zgjedhore, sipas amendimeve ligjore të bëra nga Kuvendi në muajin qershor. 
Këto amendime reduktuan shpenzimet e partive politike në fushatën elektorale, të paktën në dukje, por sërish ekspertët financiarë hasën në vështirësi pasi partitë politike gjejnë gjithnjë mënyra për të mos bërë transparencë të plotë. Prej kohësh financimi i partive dhe fushatave zgjedhore ka qënë një nga çështjet kryesore dhe të trajtuara nga KQZ, dhe po punohet në mënyrë të vazhdueshme me ekspertët e KiE dhe NDI për rritjen e kapaciteteve të administratës që merret me financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe gjetjen e metodologjisë së duhur për monitorimin dhe auditimin efikas. (Pika 67 APKiE, rekomandimi 16 i OSBE/ODIHR).
Zbatimi i ligjit është detyrim jo vetëm për KQZ-në, por edhe partitë politike. Ndaj sa më shumë partitë do pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarte të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjëshmërinë e fushatave, aq më i vogël do jetë abuzimi dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve, aq më e pastër do jetë konkurrenca politike, aq më të mira do jenë zgjedhjet.
➢ Në disa raste ka konflike ndërmjet dispozitave të ligjit të partive politike dhe Kodit Zgjedhor. Këto konflikte nga KQZ dhe ekspertët e organizatave partnere, janë jo vetëm përsa i përket menyrës së pagesës së reklamave në radiotelevizionet private por dhe në disa çështje të tjera thelbësore si kufizimi dhe përcaktimi i shpenzimeve të domosdoshme për fushatën zgjedhore, etj. (Rekomandimi 1 i OSBE/ODIHR).
Duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë roli i çdo institucioni përsa i përket krimit elektoral. Deri tani në qendër të akuzave për mos reagim ndaj fenomeneve negative që cënojnë standardet e procesit zgjedhor siç është shit-blerja e votës është vendosur KQZ, kur në fakt ligji e parashikon që KQZ vihet në lëvizje nga ankimimet e depozituara në KQZ, dhe siç dihet në KQZ asnjë nga subjektet politike nuk ka depozituar asnjë ankesë lidhur me këtë fenomen. (Rekomandimi 8 i OSBE/ODIHR).
Unë e shfrytëzova këtë fjalë hyrëse jo vetëm për të përshëndetur, por edhe për të theksuar, nëpërmjet çështjeve ilustruese, se nevojat për ndërhyrje janë të mëdha, të gjithanëshme dhe urgjente. I takon komisionit të reformës të na udhëheqë në këtë proces, me debate dhe kompromise të mëdha, të gjithanshme dhe urgjente. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm në çdo moment që të japë kontributin e tij dhe të ofrojë ekspertizë lidhur me aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor. 

Sigal