Konferenca “Just BE”, Fyle: Zgjedhje të lira dhe të respektohen rezultatet!

447
Sigal

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle dhe kreu i delegacionit në Parlamentin Europian për Ballkanin Eduard Kukan ndodhen sot në Tiranë ku po marrin pjesë në konferencën “Just BE”. Në fjalën e tij, Komisioneri për zgjerimin në KE, Stefan Fyle ka kërkuar nga partitë politike të angazhohen për zgjedhje të lira dhe të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të 23 Qershorit. “Nuk erdhëm në Shqipëri për t`u bërë pjesë e një fushate zgjedhore. Ne do të respektojmë zgjedhjen që do të bëjmë shqiptarët dhe unë shpresoj që edhe politikanët të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Partitë politike në qeveri ose jo duhet të kontribuojnë që zgjedhjet e ardhshme të arrijnë një nivel të lartë të demokracisë dhe nuk duhet të lënë vend për tu kontestuar” theksoi Fyle. Ai ka theksuar më tej se KE-ja është e angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë për aspiratat e saj europiane. “Ky angazhim me shqiptarët jo vetëm që duhet të vazhdojë, por duhet të fuqizohet më tej, pavarësisht faktit që klasa politike është përqendruar te zgjedhjet e ardhshme. Partitë po mbajnë Europën si prioritet, por nuk duhet të lihen jashtë edhe çështje të tjera të rëndësishme”,- tha Fyle. Ndërsa, kreu i delegacionit të PE-së për Ballkanin Eduard Kukan është shprehur se partitë politike duhet të vendosin të ardhmen europiane të shqiptarëve si prioritet duke lënë mënjanë problemet e brendshme. “Shqipëria ka nevojë për praninë europiane dhe BE që ka nevojë për Shqipërinë si një partnere në Europë. Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësitë në procesin e integrimit, që të ndërtohet një sistem demokratik modern që do ti shërbejë shqiptarëve. Politikanët shqiptarë nuk duhet të harrojnë të vënë të ardhmen e shqiptarëve në vend të problemeve të brendshme”,- tha Kukan. Ai ka theksuar se, Parlamenti duhet të shndërrohet në një vend, ku debatet të diskutohen dhe të ndërtohen institucione demokratike. “Bëjeni Parlamentin një vend, ku debatet politike të diskutohen, ku qeveria të shpjegojë vendimet, ku qytetarët të kenë mundësi të shikojnë jetën politike të vendit. Duhet të ndërtoni një vend me institucione të forta demokratike dhe funksionale, ne i njohim politikanët dhe e dimë që ata kanë mundësi të ecin përpara, por këto përpjekje duhet të kenë rrënjët e tyre në një bazë demokratike dhe efikase, për këtë ka nevojë Shqipëria dhe kjo kërkohet, ne besojmë se duke rritur përpjekjet në këto fusha do të bindim qeveritë evropiane për vlerat tuaja demokratike, shpresoj që shpirti i bashkëpunimit do të sundojnë nëse jo përpara, pas zgjedhjeve”, ka theksuar Kukan.

Sequi: Integrimi do të thotë shndërrim, transformim

Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i cili e nisi fjalën e tij në gjuhën shqipe është shprehur se integrimi për Shqipërinë do të thotë transformim të saj. Sipas tij, Europa është shpresë e madhe se, përfaqëson të drejtat, sistemin e disa vlerave dhe rregullave dhe të gjithë ata të cilët ndajnë këto vlera janë pjesë e këtij projekti. “Të gjithë ata që ndajnë këto rregulla janë pjesë e të njëjtit projekt, këta janë qytetarë të BE-së. Kjo është një ftesë që të themi se jemi europianë dhe të jemi të angazhuar për këto vlera”, ka shtuar ambasadori Sequi.