Konferenca Ipeshkvnore: Mbështesim protestat, jo dhunë

568
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka reaguar lidhur me zhvillimet për taksën e Rrugës së Kombit. Në një komunikatë për shtyp, Konferenca Ipeshkvnore thotë se po ndjek me kujdes ngjarjet e fundit dhe se mbështet protestat, por dënon dhunën e ushtuar ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Po ashtu në komunikatë thuhet se Konferenca Ipeshkvnore i bën thirrje institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. “Së pari, mbështesim çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve. Është e drejtë e çdokujt që kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë. Së dyti ne dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare”, shprehet Konferenca. Në deklaratë u bëhet “apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë”. “Jemi të vetëdijshëm se rrugët, apo çdo objekt që ka të bëjë me të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj personave, grupeve shoqërore dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i atyre të zonave të thella e periferike”, theksoi Konferenca Ipeshkvnore.
Sigal