Konferenca e tretë e Konsujve të Nderit diskuton me dikasteret qendrore për problemet e turizmit

489
Sigal

Ylli Ndroqi: Të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet
për zhvillimin e ekonomisë

 Kthimi i Shqipërisë në destinacion turistik jo
vetëm për vendet e rajonit por dhe më gjerë, si dhe nxitja me investime
konkrete në këtë sektor, ishte qëllimi i organizimit të një tryeze të veçantë
dhe të munguar deri më tani nga Shoqata e Konsujve të Nderit. Nën drejtimin e
Presidentit Ndroqi, konferenca e tretë e Konsujve të Nderit mundësoi një dialog
frytdhënës me prani të Ministrave përkatës, diplomatë, përfaqësues të shoqërisë
civile dhe ekspertë të ekonomisë dhe artistë si ambasadorë të kulturës. Në
tryezë u ngritën çështje që duhen përmirësuar, për të cilat Ministrja Mirela Kumbaro
dhe Milva Ekonomi u angazhuan t’i japin zgjidhje. Shqipëria ka potencialet e duhura
për të ecur përpara në zhvillimin e Turizmit dhe Kulturës, ndaj dhe Presidenti
i Konsujve të Nderit, Ylli Ndroqi, i vlerësoi si katalizatorë të rëndësishëm në
ekonominë e vendit. Ndroqi tha se “në rolin tonë si konsuj nderi ne
përfaqësojmë vende nga të cilat vijnë eksperienca të jashtëzakonshme të
investimit në kulturë e turizëm, në turizëm kulturor, në trashëgiminë
kulturore. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u zhvilluar në mënyrën e
duhur edhe në fushën e turizmit, kulturës dhe për të sjellë kombinimin e duhur
mes tyre. Strategjitë dhe investimet serioze nga ana e shtetit shqiptar në këto
dy fusha janë katalizatorë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, që është
shumë i nevojshëm për vendin tonë. Gjithashtu është bashkëpunimi i strukturave
shtetërore me ato private, me konsujt e nderit me komunitetin, janë baza e një
suksesi drejt të cilit Shqipëria ka të gjithë potencialin të ecë përpara”.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi
vlerësuan përpjekjet e shoqatës së Konsujve të Nderit për të kontribuar në
zhvillimin e turizmit dhe kulturës. Ministrja Kumbaro ftoi sipërmarrësit të
investojnë në projekteve strategjike, duke pohuar se Konsujt e Nderit kanë
lidhje diplomatike, por edhe shpirtërore me vendet që përfaqësojnë. Kumbaro tha,
se “e shoh si urë komunikimi për të shpërndarë në vendet që ju përfaqësoni një
informacion që ndoshta nuk shkon gjithmonë lehtësisht në rrugë burokratike të
diplomacisë funksionale. Na duhet një koordinim për të krijuar një rijetëzim
midis diplomacisë funksionale, mjeteve të informimit, diasporës që mund të jetë
me shumicë ose me pakicë në vendet që ju përfaqësoni dhe njëkohësisht
komunitetit të origjinës atje”. Konsulli i Letonisë, Sokol Kraja, kërkoi nga
qeveria një skemë ligjore që t’i motivojë investitorët përmes sistemit të
taksave që të sponsorizojnë në projekte kulturore. Zonja Kumbaro e konsideroi
një kontribut edhe në imazhin e kompanive që ndihmojnë artin, jo vetëm përfitim
financiar. Z. Kraja tha se “të gjitha sponsorizimet që bëhen për efekt të
kulturës të njihen trefish ose katërfish për efekt të tatim-fitimit. Në rast se
Ministrja e Ekonomisë propozon që të gjitha investimet në kulturë njihen jo me
15% por me 40-50%, atëherë automatikisht përgjysmohet kosto e biznesit”. Ndërsa
Kumbaro shtoi se “e quaj hap përpara, jo aq në vlerë monetare, sesa e quaj hap
përpara për të thyer disa mendësi që do duhet të thyhen pastaj dhe për të
arritur këtë propozim që ju bëni, të cilin e kam bërë tashmë dhe unë dhe jam
shumë e lumtur, nëse do të jeni përkrah meje në këtë iniciativë”. Ministrja
Ekonomi iu referua statistikave të sezonit veror si tregues që turistët e huaj
kanë zgjedhur Shqipërinë. Krahasuar me vitin 2015, Ministrja Ekonomi tha se në
vitin 2016 numri i turistëve është rritur me 19.7%, ndërsa shpenzimet e
turistëve për këtë vit kanë arritur në shifrën e 500 milionë euro. Ekonomi tha
se “bilanci i pagesave demonstroi nëpërmjet shifrave që të ardhurat nga
udhëtimet për tre mujorin e parë 2016 janë rritur 640 milionë euro, ndërsa shpenzimet
që ka bërë turisti shqiptar kanë qenë 500 milionë euro. Kështu e ardhura neto
në këtë 6 mujor ishte një e ardhur që shkonte në 140 milionë euro dhe kjo është
një shifër që padyshim na bën të ndihemi krenar për atë çka ka sjellë turizmi
në Shqipëri”.