Konferenca e Kryetarëve, Paloka: Besojmë te bashkëpunimi me PS

55

TIRANE –  Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ka bërë me dije se ka dorëzuar kërkesën për krijimin e dy Komisioneve Parlamentare, njëri për dekriminalizimin dhe tjetri për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se beson se do në kenë edhe bashkëpunim nga ana e mazhorancës.

“Kërkuam ngritjen e dy komisioneve për marrëveshjen e arritur. Një komision për dekriminalizimin që e kemi përparësi dhe çështja tjetër për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk pati reagim nga PS, por nuk besoj se do të ketë reagime të tilla. Shpresojmë se do të fillojnë sa më shpejt.Në Partinë Demokratike janë ngritur tashmë grupet që po shohin dhe shqyrtojnë legjislacionin lidhur me keto dy ceshtje. Besoj se do të kemi bashkëpunimin e mazhorancës dhe komisionet të ecin shpejt. ”- tha Paloka.

Më tej, Paloka bëri me dije se gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve është diskutuar për ndryshimet mbi rregulloren  për numrin e deputetëve në Komisionet Parlamentare, ndërsa shtoi se nuk është prekur Kodi Zgjedhor.

“Nuk është prekur Kodi Zgjedhor, u ngrit diskutimi për ndryshimin e numrit të deputetëve në Komision. do ta shikojmë këtë vendim.”- tha Paloka duke shtuar se ka kanë kërkuar edhe shtyrjen e afateve për 2 komisione që ishin miratuar në kohën që ata nuk kanë qenë të pranishëm në Parlament.
 
Një tjetër pikë që mbetet për t’u diskutuar është edhe Komisioni për Reformën në Drejtësi.