Koncesioni serb i laboratorëve

499
Sigal

“Largim nga puna, atyre që protestojnë kundër koncesionit të laboratorëve”

 

Nga Maksim TUFA

 

         
Ministria e Shëndetësisë, urdhër drejtorëve:
Zbuloni dhe ndëshkoni, ata që firmosin

 

Nga dita e martë, të gjitha laborantet e protestës, të cilat morën pjesë në
kundërshtimin e dhënies me koncesion të laboratorëve nga Ministria e
Shëndetësisë, kanë marrë në dorë “zarfin” me “paralajmërimin e pushimit nga
puna”. Burime nga mjaft qendra spitalore në rrethe i thanë “Telegraf” se “kemi
2-3 ditë që ndaj gjithë laboranteve ka nisur dhuna dhe presioni psikologjik, na
kanë thirrur në zyra dhe na kanë dhënë në dorë një zarf, ku fillimisht menduam
se ishte ndonjë shpërblim, por pastaj na u komunikua se ishte “paralajmërim për
pushim nga puna, pasi keni marrë pjesë në protestën e zhvilluar për të
kundërshtuar vendimin e qeverisë dhe MSH”. Sipas të njëjtave burime “laborantet
kanë mbetur të shokuara, kanë nisur të pyesin, interesohen, për të ditur
arsyen, por përgjigja ishte e prerë nga shefat dhe drejtuesit “kjo është hera e
fundit, e përsëritet sërish jeni të pushuara, boll ju përkëdhelëm”. Ndaj
laboranteve është ushtruar presion psikologjik për të mësuar “kush ju nxiti”,
“kush ju njoftoi në celular apo në shtëpi”, “pse keni firmosur për protestën”,
pse shkoni tek opozita për ankim e ndihmë. Qysh nga dje, u kanë vendosur edhe
përgjues, duke instaluar aparatura në dyert dhe mjediset e laboratorëve. Kjo
situatë ka ardhur menjëherë pas protestës masive të laboranteve në shkallë
vendi, dhe një urdhri personalisht nga Ilir Beqja për  drejtuesit e qendrave spitalore në rrethe,
për të mos pasur raste të tjera protestash, duke u kërkuar atyre si fillim
dhënien e  “zarfit” paralajmërues, dhe
pastaj atë të pushimit nga puna. Ndaj laboranteve  ka nisur prej disa ditësh edhe procesi provokimit,
veç atij  të vëzhgimit dhe përgjimit,
duke i detyruar ata të fikin celularët , sapo futen në vendin e punës, dhe duke
komunikuar për probleme pune me shenja duarsh me koleget e tyre, pasi kanë
frikën se ndoshta mund të njoftohen për ndonjë zarf të ri që mund t’i flakë nga
vendi punës. Sipas burimeve nga rrethet mësohet se “pas ndarjes së “zarfit”
pothuajse të gjitha laborantet ndjehen të pasigurta për vendin e punës, pasi
Ilir Beqja ka kërkuar informacion  të
detajuar për çdo njërën prej tyre nga drejtoritë spitalore të vendit,
përkatësinë partiake, kontributet politike, dhe gjithçka tjetër, ndoshta për të
përgatitur shumë shpejt “reformën” e thellë 
në radhët e atyre që guxuan të kundërshtojnë koncesionin e ri të
tij.     

Ja 11 kërkesat e Shoqatës së
Laborantëve, për të ndalur koncesionin serb të laboratorëve mjekësor

 

1.         Përfshirje institucionale
të ASoLaM me të paktën dy përfaqësues në grupin e punës të ngritur nga MSH,
lidhur me PPP në sistemin laboratorik publik.

2.         Përfshirjen në grupin e
punës të MSH e të paktën një përfaqësuesi të shërbimit laboratorik të sistemit
parësor.

3.         Në mbështetje të reformimit
dhe përmirësimit të shërbimit laboratorik publik, ASoLaM sugjeron dhe propozon
aplikimin e llojit të PPP, që mbështet infrastrukturën logjistike të
laboratorëve mjekësorë publikë.

4.         Ndërkohë mbështesim fort
idenë që në institucionet publike shërbimi laboratorik të mbetet publik, si
pasuri dhe pronë publike e spitaleve dhe poliklinikave tona me eksperiencë më
shumë se 70-vjeçare.

5.         Ideja për privatizim e
laboratorëve mjekësorë është tërhequr pas argumentimeve kundra të specialisteve
të fushës. Ndërkohë, 10 vitet e fundit në sektorin publik janë bërë investime
në teknologji, të cilat kanë ardhur ose si donacione, ose nga tenderimi direkt
i publikut me privatin.

6.         Sigurojmë se mjekët
specialistë të shërbimit laboratorik publik kanë kompetencën dhe trajnimin e
duhur profesional për të aplikuar çdo lloj teknologjie të re që do të sillte ky
bashkëpunim.

7.         Gjithashtu, ASoLaM dhe
Shërbimi Universitar i Laboratorit Biokimik Klinik të QSUT, ofron të gjithë
asistencën teknike dhe profesionale trajnuese për stafin mjekësor të shërbimeve
publike.

8.         Shprehemi vendosmërisht
kundër aplikimit të PPP në formën e një koncesioni të shërbimit biokimik klinik
laboratorik publik, mbështetur në disa argumente.

9.         ASoLaM mendon dhe sugjeron
se një pjesë shumë e rëndësishme e reformës në sistemin laboratorik mjekësor në
vend është përfshirja e laboratorëve mjekësorë privatë që prej vitesh
operojnë  në vend, duke ofruar një
shërbim komplementar të shërbimit laboratorik publik.

10.       Të organizohet nën
përgjegjësinë publike skema e Kontrollit Kombëtar të Cilësisë, nën drejtimin e
Shërbimit të Laboratorit Universitar të QSUT-së dhe mbështetjen e AsoLaM, duke
kontrolluar të gjithë laboratorët mjekësorë publikë dhe privatë, për të
siguruar cilësi.

11.       Të fuqizohen laboratorët
universitarë publikë të QSUT -UMT, të vetmet institucione publike akademike.