Koncesioni i “check-up” vetëm 26 % e përfituesve bëjnë kontrollin, kompania merr 4 milionë euro pa dhënë shërbimin

691
Koncesioni i “check-up” PD: Vilma Nushi mori 4 milionë euro pa bërë analiza

Partia Demokratike deklaroi se “koncesioni i kontrollit shëndetësor ‘check-up’, për të cilin Edi Rama krenohet më shumë, është faktuar me shifra zyrtare si koncesioni më korruptiv dhe më i dështuar ose si prova se çfarë shteti ai po ndërton”. Sipas deputetes, Albana Vokshi, “check-up është më i dështuari, sepse vetëm 26 përqind e shqiptarëve që e përfitojnë, e kanë kryer këtë shërbim pavarësisht kushtëzimit të ndihmës ekonomike dhe vizitat e të sëmurëve kronikë”. “Check-up është më korruptivi, sepse vetëm për dy vitet e para të koncesionit të check up-it, pa përfshirë 2017-ën, klientja e Edi Ramës, Vilma Nushi, ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 4 milionë euro për rreth 250 mijë analiza të pabëra asnjëherë. 1,7 milionë euro në 2015-ën dhe 2.3 milionë euro në 2016-ën, siç tregohet edhe në tabelën e Fondit të Kujdesit Shëndetësor. 4 milionë euro për një shërbim të padhënë, është provë se check-up jo vetëm nuk është falas, siç thotë Edi Rama, por me këtë koncesion, kontrolli shëndetësor është kthyer në një shërbim disa herë më i shtrenjtë”, u shpreh deputetja Vokshi. Sipas saj, ky përfitim marramendës është parashikuar në kontratën e Edi Ramës me klienten e tij Vilma Nushi, e cila do të vazhdojë të paguhet 7 milionë euro në vit, edhe sikur check up-in ta kryejë një shqiptar i vetëm. “Kjo është arsyeja pse Edi Rama prej dy vjetësh refuzon ta bëjë publike këtë kontratë zhvatëse për shqiptarët, si dhe çdo kontratë tjetër koncesionare në shëndetësi. 4 milionë euro që fiton klientja e Edi Ramës, pa bërë asnjë shërbim, do të mjaftonin për të mbuluar nevojat për kurimin e të gjithë pacientëve të onkologjikut, për të cilët sot mungojnë barnat. 4 milionë euro do të mjaftonin për të rritur pagat e për shpërblimet për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor”, nënvizoi Vokshi. Më tej, ajo shtoi se “Vilma Nushi nuk është e vetmja që përfiton para publike”. “Për koncesionet në shëndetësi, buxheti i vitit 2018 parashikon 40 milionë euro për 4 miq të Edi Ramës dhe familjes së tij. 40 milionë euro që do të mbulonin nevojat me pajisje dhe barna për të gjithë spitalet e Shqipërisë. Nëse vetingu do të ketë sukses, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion duhet ta nisë zbatimin e reformës në drejtësi me aferat korruptive në shëndetësi. Kallëzimi Penal nga Partia Demokratike është aty prej më shumë se një viti”, nënvizoi Partia Demokratike. 
“Telegraf” investigoi për koncesionin e “check-up”
Gazeta “Telegraf” ka investiguar çështjen e koncesionit të “check-up”, duke kërkuar të dhënat zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për shkak të kontrata konsiderohet sekrete. Në përgjigjen e dhënë nga Fondi, theksohet se për vitin 2015 janë realizuar 244.420 kontrolle, ndërsa në vitin 2016 janë bërë 329.555 kontrolle. Ndërkohë, detyrimi i përcaktuar ka qenë për kryerjen e rreth 475 mijë kontrolleve në vit, shifër e konfirmuar pak javë më parë edhe nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Në përgjigjen e Fondit, nënvizohet se është i pamundur dërgimi i të dhënave të identitetit fizik (emër, mbiemër, adresë, etj) të shtetasve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, pa pëlqimin dhe autorizimin e tyre, për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale. Gjithashtu, sipas një investigimi të BIRN, ka rezultuar se shqiptarët për vitin 2015 e paguan dyfish kontratën e koncesionit. Sipas BIRN-it, bilanci i kompanisë fituese të koncesionit për vitin 2015 zbulon se qeveria merr përsipër të paguajë 475 mijë analiza në vit, pavarësisht se sa është numri real i personave që marrin këtë shërbim. 


Sigal