Koncesioni 95 milionë euro i targave me çip, që varfëron edhe më tej shqiptarët

474
Pavarësisht mohimit në publik nga Ministria e Transporteve, projekti i koncesionit 95 milionë euro të targave me çip po avancon drejt realizimit. Edhe pse zyrtarisht titullari i këtij dikasteri, Edmond Haxhinasto ka thënë se është vetëm një ide, mediat kanë mësuar se Ministria e Transporteve i ka kërkuar zyrtarisht mendim Autoritetit të Konkurrencës të shprehet për propozimin e pa kërkuar të kompanisë private. Legjislacioni në fuqi detyron çdo organ shtetëror që përpara se të nënshkruajnë marrëveshje koncesionare të marrin miratimin e Autoritetit të Konkurrencës. Ndjekja e kësaj procedure dëshmon se Ministria e Transporteve është duke ndjekur të gjitha hallkat e parashikuara nga ligji për avancimin e këtij koncesioni

Heshtje e Autoritetit të Konkurrencës

Ministria e Transporteve i ka dorëzuar Autoritetit të Konkurrencës draft-kontratën e koncesionit duke i kërkuar që të shprehet nëse ai është konform ligjit të Konkurrencës. Por mësohet se Autoriteti i Konkurrencës ende nuk ka dhënë një mendim për këtë projekt. Burime nga ky institucion thanë se përpara se të shprehet Autoriteti kë kërkuar opinionin e vetë Ministrisë për koncesionin. “Autoriteti nuk do të japë asnjë mendim përpara se të ketë edhe opinionin e vetë Ministrisë për këtë koncesion”, tha një burim i brendshëm nga institucioni që ruan konkurrencën në vend
“Porta Saber Albania” 


Koncesioni i targave është ide e një kompanie private të quajtur “Porta Saber Albania”. Ajo i ka kërkuar Ministrisë së Transporteve të drejtën e një koncesioni 35-vjeçar për pajisjen me çip elektronik të çdo automjeti, që qarkullon në rrugët e Shqipërisë. Në shtator 2015, kjo kompani ka dorëzuar në Ministrinë e Transporteve edhe studimin e fizibilitetit të koncesionit dhe është në pritje të një vendimi për miratimin e tij. Sipas studimit të fizibilitetit, çdo pronar automjeti do të duhet t’i paguajë koncesionarit 48 euro bashkë me TVSH për instalimin e çipit të detyrueshëm elektronik. Çmimi indeksohet pas tre viteve të para sipas normës zyrtare të inflacionit. Kompania private zotohet të investojë 6.2 milionë euro në pesë vitet e para të koncesionit dhe parashikon të marrë mbrapsht 95.9 milionë euro të ardhura në 35 vitet e ekskluzivitetit të koncesionit.

Kush është kompania pretenduese?

Sipas dokumenteve në QKR, rezulton se “Porta Saber Albania” është një kompani e themeluar në mesin e vitit të kaluar. Kompania ka si administratore një sipërmarrëse të njohur në fushën e Sigurimeve. Kompania zotërohet në 80 për qind të aksioneve nga G. S., djali i administratores, ndërsa 20 për qind të aksioneve i ka kompania portugeze “Porta Saber”, e cila zotëron edhe të drejtën e tregtimit të targave elektronike. E njohur si drejtoreshë ekzekutive e kompanisë së sigurimeve, sipërmarrësja e devijoi veprimtarinë e saj publike tek çështjet e sigurisë rrugore në vitet e fundit. Shqipëria numëron 490.899 mijë makina të regjistruara deri në fund të vitit 2014, por vetëm 360 mijë prej tyre mendohet se janë në qarkullim. Në anën tjetër, çdo vit hyjnë mesatarisht në qarkullim rreth 40 mijë makina të reja.
Sigal