Koncesionet thellojnë skandalet e Haxhinastos, si ish ministër i METE-s

107

Fituesit, e skualifikuar padrejtësisht, të koncesionit të hidrocentralit Babien dhe Lozhan 2, hedhin në gjyq METE-n

Vazhdon të thellohet gropa e skandaleve, si rrjedhojë e babëzisë dhe masakrës me pasurinë shtetërore të z. Edmond Haxhinasto, aktualisht, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Skandali më i madh i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë kontrata e privatizimit të dështuar të Albpetrolit, (në kohën kur ishte ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës) për të cilën po hetohet nga organe më të specializuara. Ky skandal dhe të tjera pas tij e bëjnë një ndër ministrat më shumë të përfolur në qeverinë “Rama”. Janë të shumta koncesionet minerare dhe energjetike, të firmosura prej tij, të cilat janë objekt i drejtësisë në të gjitha shkallët e gjyqësorit si rrjedhojë e manipulimeve gjatë prokurimet publike. Kështu një nga këto raste flagrante është dhe procedura koncensionare “Për dhënien me koncesion të hidrocentralit Babien dhe Lozhan 2”, të zhvilluar në dt. 10.12.2012, nga autoriteti kontraktor Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) (ku ministër ka qenë z. Haxhinasto).

Prokurimi

Shoqëria “Favina” SH.P.K, dhe shoqëria “Larti” shpk kanë marrë pjesë në procedurën koncensionare “Për dhënien me koncension të hidrocentralit Babien dhe Lozhan 2”, të zhvilluar në dt. 10.12.2012, nga autoriteti kontraktor Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE). Pasi ka hapur ofertat, autoriteti kontraktor ka kualifikuar bashkimin e operatorëve ekonomike “Favina” shpk dhe “Larti” shpk, me 100 pikë duke e kualifikuar të parën në renditje, duke skualifikuar pjesëmarrësit e tjerë në garë. Ka rezultuar se, bashkimi i operatorëve ekonomikë “Erpa Investment” shpk dhe “Emmecidue” srl, pasi janë njoftuar për skualifikimin e tyre, kanë paraqitur ankim pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Ky i fundit, pasi ka shqyrtuar ankesën, me vendimin nr. 126/6, datë 11.04.2013 ka vendosur pranimin e saj, si dhe ka kërkuar nga autoriteti kontraktor që të korrigjojë shkeljet, duke kualifikuar bashkimin e operatorëve “Erpa Investment” shpk dhe “Emmecidue” srl, si dhe duke skualifikuar bashkimin e operatorëve “Favina” shpk dhe “Larti” shpk..

Padia, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Në këto kushte palët paditëse shoqëritë “Favina” shpk dhe “Larti” shpk, i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Palët paditëse i kanë paraqitur Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të Vendimit nr. 126/6, datë 11.04.2013 të Komisionit të Prokurimit Publik, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, me pretendimin se zbatimi paraprak i këtij akti administrativ mund të sjellë pasoja të pakthyeshme, cenim të drejtpërdrejtë të interesave të saj.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur: “Pranimin e kërkesës. Pezullimin e ekzekutimit të të Vendimit nr. 126/6, datë 11.04.2013 të Komisionit të Prokurimit Publik. Kjo masë pezullimi do të ketë fuqi juridike derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar për zgjidhjen e çështjes në themel”.

Gjykata e Apelit

Duke mos qenë dakord me këtë vendim, Avokatura e Shtetit ka paraqitur ankim të veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe heqjen e masës së pezullimit të zbatimit të aktit administrativ vendimit nr. 126/6, datë 12.04.2013 të KPP. Gjykata e Apelit Tiranë çmon se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i drejtë, i mbështetur në prova dhe në ligj, për këto arsye:

-Gjykata e Apelit Tiranë, çmon se në rastin objekt shqyrtimi gjyqësor plotësohen kushtet e përcaktuara ligjore për pezullimin e zbatimit te aktit administrativ. Neni 329 i K.Pr.Civile parashikon se: “Paditësi mund t’i kërkojë gjykatës edhe pezullimin e zbatimit te aktit administrativ. Gjykata mund të lejojë pezullimin kur ekziston rreziku i shkaktimit te një dëmi të rëndë dhe te pazëvendësueshëm për paditësin”. Gjykata vëren se nga ana tjetër AKBN ka vënë në dijeni METE-n se është konstatuar një mbivendosje kuotash për objektet HEC Babien e Lozhan 2 me Hec Cangonj në të cilën shoqëria paditëse “Favina” Shpk është shpallur fituese dhe ka nënshkruar kontratën koncensionare për ndërtimin dhe shfrytëzimin e këtij Hec-i. Siç rezulton nga kjo shkresë, mbivendosja është një problem i rëndësishëm teknik, pasi cenohet vepra e marrjes së HEC Cangonj ku po punon shoqëria paditëse “Favina” shpk. Prandaj derisa të qartësohet ky problem i cili i shkakton dëme serioze shoqërisë paditëse “Favina” shpk, për shkak të zbatimit të kontratave koncensionare në lidhje me ndërtimin e dy HEC-eve, Gjykata çmon të drejtë marrjen e masës së pezullimit të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik.

Gjykata e Apelit çmon se pezullimi i zbatimit të aktit administrativ në rastin konkret duhet konsideruar si një mundësi proceduriale për të mënjanuar krijimin e pasojave negative nga ana e këtij akti, të kundërshtuar nga pala paditëse me pretendimin se ky akt është nxjerrë në kundërshtim me ligjin nga ana e palës së paditur Komisioni i Prokurimit Publik. Ndaj Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin me nr. 13166 Regj. Themeltar, datë 18.06.2013 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si vendim që gjen mbështetje në ligj e në provat shkresore që ndodhen në dosje, pra, pezullimin e zbatimit të aktit administrativ deri në zgjidhjen në themel të çështjes.