Koncesionari i Rinasit “gjunjëzon” Haxhinaston. Bllokohet aeroporti i Kukesit dhe Sarandës

877
Sigal

Koncesionari i Rinasit ka urdhëruar shtetin shqiptar që Aeroporti i Sarandës të mos nisë punimet, ndërsa Aeroporti i Kukësit, i përfunduar në vitin 2003, të mbahet i bllokuar deri në vitin 2025

Marrëveshjet e heshtura e të fshehta, që pranon dhe firmos Ministri i Transportit e Punëve Publike, Edmond Haxhinasto, kanë qenë 3 ditë më parë objekt i një “pazari” mes tij dhe shoqërisë koncesionare që ka monopolin mbi shërbimin e transportit ajror nga Aeroporti “Nënë Tereza”, ose siç quhet “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës”. Ky monopol është fituar me “ustallëk” dhe po mbahet fort si monopol, duke mos lejuar asnjë alternativë tjetër shërbimi ajror në Shqipëri. Sipas informacionit tonë, 3 ditë më parë, kompania monopoliste e Aeroportit “Nënë Tereza”, shoqëri koncesionare me emrin “Tirana Airport Partners” (TIA), ka kërkuar një takim urgjent me ministrin Haxhinasto. Shkak ka qenë një letër dërguar 5 ditë më parë kësaj kompanie, me të cilin ministri Haxhinasto e njoftonte se do paraqiste një projekt në qeveri e parlament, për të hapur “pista” të tjera air-portuale në Shqipëri, konkretisht nisjen e punimeve në aeroportin e Sarandës dhe nisjen e shërbimit në aeroportin e Kukësit. Sipas projektit “Haxhinasto”, rezulton që shoqërisë koncesionare “Tirana Airport Partners” (TIA) që ka monopolin e shërbimeve në Aeroportin “Nënë Tereza”, t’i hiqet monopoli. Kujtojmë, që shoqëria koncesionare “Tirana Airport Partners” (TIA) është konsorcium që bashkë me aeroportin, ka në dispozicion dhe “monopolin” e gjithë hapësirës qiellore shqiptare. Nisur prej njoftimit, kompania “Tirana Airport Partners” (TIA), i ka kërkuar takim ministrit Haxhinasto, për të anuluar projektin e ndërtimit dhe futjes në aktivitet të dy aeroporteve Sarandë e Kukës. Burime informacioni nga “dhoma” e takimit “privat” të zhvilluar mes palëve Haxhinasto-TIA, mësohet se koncesionari i ka dhënë ultimatum ministrit shqiptar, deri me kërcënim për “largim nga kolltuku”, nëse guxon jo të paraqes në qeveri e parlament kërkesë kundër monopolit të tij, por edhe sikur të mendoj të bëjë publik këtë ide, në media. Pas kërcënimit, mësohet se ministri Haxhinasto është tërhequr nga “guximi” i tij për të prishur monopolin, ndërkohë që dy aeroportet shqiptare, do vazhdojnë të qëndrojnë, njëri (Saranda) ende projekt në letër, ndërsa tjetri (Kukësi) ende “fushë betoni”. Ministri, pasi ka marrë edhe disa “këshilla shoqërore” nga kupola e shtetit shqiptar për të mos “menduar gjëra të tilla”, ka pranuar tërheqjen, duke iu referuar si justifikim, kontratës koncesionare, bërë me shoqërinë “Tirana Airport Partners” (TIA) në vitin 2004, në të cilën përcaktohet kështu: “Asnjë aeroport tjetër në Shqipëri, nuk mund të përdoret për qëllime civile komerciale”. Kjo kontratë është firmosur “në kafene” nga ish-Kryeministri Fatos Nano për 20 vjet. Aktiviteti koncesioanr ka nisur në maj 2005 dhe zgjat deri në vitin 2025. Në kontratën mes palëve, është “çimentuar” kushti i ekskluzivitetit, më saktë i monopolit të shërbimeve të transportit ajror jo vetëm në Rinas, por duke mos lejuar hapjen e asnjë aeroporti tjetër. Vetë qeveria shqiptare “Nano”, ka përcaktuar në kontratë këtë kriter: “Qeveria e Shqipërisë, garanton se gjatë Afatit të Koncesionit nuk do të licencohet, autorizohet dhe as do operohet asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të uljeve emergjente”. Kjo kontratë monopol është firmosur në vitin 2004, ka nisur në maj 2005 dhe ka fuqi vepruese deri në vitin 2025. Mjafton ky afat monopoli, që ekonomia dhe qeveria shqiptare të vazhdojnë të mbeten peng të të huajve edhe mbi… qiellin!

 Aeroporti i Kukësit, 22 milionë dollarë investim i bllokuar për… 22 vjet!

 Dy aeroportet, i Kukësit prej kohësh i përfunduar dhe i Sarandës në projekt, vazhdojnë të jenë peng i bllokimit prej monopolit të Rinasit. Ky bllokim është absurd, mbasi detyron “udhëtarët e ajrit” dhe “mallrat e ajrit”, të drejtohen vetëm në një “sportel” fluturimi, duke shpenzuar kohë e financa të larta, duke imponuar devijime qarkullimi e vonesa shërbimesh. P.sh., në rastin e aeroportit të Kukësit, nuk është vetëm zhvillim i zonës verilindore, por së bashku me rrugën e kombit, do të krijonte resurs të ri shërbimi në transportin ajror edhe me Kosovën e më gjerë në rajon. Kujtojmë që ndërtimi i Aeroportit “Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan” i Kukësit, ka kushtuar 22 milionë dollarë, projektuar gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999 e përfunduar si vepër në vitin 2003. Por, që do vazhdojë të mbetet i bllokuar edhe për 10 vite të tjerë, mbasi kështu e ka vendosur shteti shqiptar me kontratë koncesionare në vitin 2004 (me veprim në vitin 2005) edhe pse ky aeroport ishte gati për shërbim qysh në muajin mars 2003, por që do qëndrojë i bllokuar, për shkak të marrëveshjes së koncesionit të lidhur mes qeverisë shqiptare dhe shoqërisë “Tirana Aeroport Partners”. Sipas kësaj kontrate, Aeroporti i Kukësit, me vlerë investimi 22 milionë dollarë, është “dënuar” nga shteti shqiptar të qëndrojë i bllokuar për 22 vjet (2003-2025)! Bllokimi i veprës “Aeroport i Kukësit”, përbën një “krim” shtetëror dhe ekonomik, ashtu si edhe aeroporti i Sarandës, i cili me urdhër të koncesionarëve monopolistë dhe lobimit të tyre deri në kupolën e shtetit shqiptar, për të mos lejuar as nisjen e punimeve, sjellje shqiptare kjo që përbën skandal e turp, ose “rënie në gjunjë” përpara koncesionarit monopolist. Këtë qëndrim manifestoi dhe ministri Haxhinasto, duke anuluar procedurat për liberalizmin e shërbimit ajror. Sipas një burimi informacioni nga ministria “Haxhinasto”, në këtë ministri janë paraqitur kërkesa për liberalizmin e shërbimit të transportit ajror, ku shoqëri private vendase dhe të huaja kanë kërkuar të fusin në eficiencë e të investojnë për aeroporte në Vlorë, Gjadër, Kuçovë e Gjirokastër, por këto kërkesa nuk janë trajtuar mbasi nuk i lejon koncesionari monopol i Rinasit, i cili prej 12 vitesh aktivitet po lobon fort tek krerët e shtetit shqiptar, që të mos hapet asnjë pistë tjetër shërbimesh ajrore në Shqipëri dhe ia ka arritur qëllimit. Kujtojmë që Hungaria ka 24 aeroporte, nga këto 17 ndërkombëtare, Maqedonia ka 2 aeroporte ndërkombëtare në Shkup e Ohër, ndërsa Shqipëria ka 2 aeroporte ndërkombëtare, por që nga shteti shqiptar, vetëm njeri lejohet të jetë në aktivitet se kështu thotë… monopoli!

 Koncesionari i Rinasit më i fortë se shteti, “bllokon” qiellin shqiptar për… 20 vjet!

 Sipas kronikave mediatike, mësohet se Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, në janar 2014 ka njoftuar zyrtarisht në emër të qeverisë shqiptare, se ka “ka marrë leje” prej koncesionarit monopolist të Rinasit, për të ndërtuar pistën e një aeroporti të ri, për qëllime turistike në Jug (Sarandë) dhe sipas ministrit Haxhinasto, kjo do bëhej realitet në 31 dhjetor 2014. Kanë kaluar dy muaj nga fundviti 2014 dhe në aeroportin e Sarandës nuk është hedhur asnjë “kazmë”, ndërkohë që vetëm 3 ditë më parë, ministri Haxhinasto është gjendur përballë ultimatumit të koncesionarit monopolist të Rinasit, për të mos e përmendur më liberalizmin e shërbimit ajror në Shqipëri”. Sa për dijeni, paçka se është mbajtur e fshehtë, qeveria shqiptare, përfaqësuar nga ministri Haxhinasto, nënshkroi në fund të vitit 2014 një “pakt shtesë” me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners” me këtë tekst përforcues të kontratës koncesionare: “Gjatë periudhës 20 vjeçare të koncesionit (2004-2024), asnjë aeroport tjetër nuk do të licencohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë të shërbimit ajror, vlerësohet se aeroporti “Nënë Tereza” është rasti i vetëm në botë, që është dhënë me koncesion me kontroll të gjithanshëm, jashtë kontrollit të shtetit, sidomos në tarifat e larta financiare që ka vendosur udhëtime e shërbime. Që prej datës 23 prill 2005, Tirana International Airport “Nënë Tereza” menaxhohet dhe operohet nga shoqëria private e quajtur Tirana International Airport SHPK (TIA) më parë në administrim nga shteti. TIA do të drejtojë të gjitha aktivitetet e aeroportit deri në vitin 2025. Pavarësisht zgjerimit të shërbimit edhe me 2 “porta” dhe 1 terminal të ri, çmimet janë tepër të larta, sa që Shqipëria te jetë vendi me tarifa aeroportuale më të larta në rajon dhe Europë e në disa shtete të botës, ku shërbimi ajror është luks dhe etikë e lartë.

 Përparim HALILI