Koncesionari i pasaportave turpëron Shqipërinë te specialistët europianë

81
Koncensionari i prodhimit dhe i dhënies së pasaportave shqiptare, SAFRAN, muajt e fundit e rriti çmimin e dhënies së një pasaporte shqiptare, në një shumë të konsiderueshme, edhe pse në Shqipëri mbizotëron varfëria dhe papunësia. Koncesionari SAFRAN, edhe pse nuk ka bërë asnjë investim më shumë, edhe pse nuk ka modernizuar metodologjinë e prodhimit të pasaportave, u justifikua në rritjen e ndjeshme të çmimit të dhënies të pasaportave shqiptare në kontratën që ka nënshkruar me qeverinë shqiptare. Çmimi që paguajnë shqiptarët për marrjen e një pasaporte është më i shtrenjti në Ballkan dhe paradoksi është se qeveria ia dha prodhimin dhe dhënien e pasaportave një koncesionari të huaj, ndërkohë që në shtetet e Bashkimit Europian pasaportat i prodhon dhe i jep vetëm Policia e Shtetit. 
Nëpunësja e koncesionarit të pasaportave në Athinë, nuk di të marrë shenjat e gishtërinjve
Emigranti F. SH, i ardhur nga ishulli i Greqisë, u paraqit te zyra e marrjes së pasaportave në Athinë në orën 13, 50 të enjten e javës së kaluar, mirëpo e gjeti mbyllur, ndërkohë që nëpunësit ende ishin në oborrin e ambasadës tonë dhe nuk ishin larguar. Ndonëse emigranti u kërkoi disa nëpunësve që të aplikonte për marrjen e pasaportës së fëmijës, meqë erdhi nga ishulli, përgjigja që i dhanë nëpunësit ishte të vinte nesër, se për sot, është mbyllur orari i punës. 
Të nesërmen, (të premten e javës së kaluar) emigranti F. SH. Priti radhën. Kur nëpunësja e Pasaportave i merrte fëmijës shenjat e gishtërinjve, për çudi, i thotë babait të fëmijës:
– Nuk dalin shenjat e gishtërinjve për fëmijën. 
– Çfarë duhet të bëj tani?- pyet i shqetësuar babai nëpunësen e pasaportave. 
– Ik gjeje ti zgjidhjen, unë nuk kam se çfarë të bëj. 
– Ju nuk keni ndonjë mënyrë?- këmbënguli babai te nëpunësja e pasaportave. 
– Jo, por ik në Shqipëri. 
– Si të shkoj në Shqipëri? Nuk mundem, prandaj erdha këtu. 
– Do ikësh me të mirë? Po të zbatoj ligjin, nëse dua unë, e fut fëmijën në listën e zezë, që nuk ka shenja të gishtërinjve dhe të sekuestroj edhe pasaportën që ka deri tani, – i përgjigjet me tone kërcënuese nëpunësja e Pasaportave emigrantit, që këmbëngulte që të gjendej një zgjidhje për fëmijën e tij. 
– Ju nuk i keni shenjat e gishtërinjve të fëmijës, nga pasaporta e mëparshme që kemi nxjerrë te ju?- e pyet babai emigrant sërish nëpunësen e Pasaportave në Athinë. 
– Ligji na thotë që duhet të marrim shenja të gishtërinjve sa herë bëni aplikimin për pasaporta. 
– Këtë problem e kam edhe unë, si babai i fëmijës, por atje në Shqipëri, na I morën, paçka se me zor. 
– Nëse do të nxjerrësh pasaportë, ik në Shqipëri. Unë nuk di mënyrë tjetër që të dalin shenjat e gishtërinjve, – u përgjigj prerë nëpunësja. 
Specialisti i policisë greke: A nuk turpërohen ata specialistët tuaj, që nuk dinë të marrin shenjat e gishtërinjve????
Së bashku me emigrantin F. SH, që është shoku im studentor, interesohemi pranë specialistit të marrjes së shenjave të gishtërinjve në Policinë Greke, sepse, të ndodhur në Athinë, donim një zgjidhje të menjëhershme. 
Specialisti grek u habit, kur i thamë, që nëpunësja e pasaportave shqiptare të koncensionarit nuk dinte mënyrën e thjeshtë të marrjes së gishtërinjve, edhe pse ka vështirësi. Na pyeti, nëse ata në zyrën e aplikimit të marrjes pasaportave shqiptare ën Athinë, kanë krem duarsh. Iu përgjigjëm, që nuk kanë …asgjë!
Specialisti grek i marrjes së shenjave të gishtërinjve të Policisë Greke, qeshi me ironi, duke thënë: 
– Po çfarë nëpunës janë ata, që nuk dinë të marrin shenjat e gishtërinjve? Çfarë shteti keni ju shqiptarët, kur nuk kanë as krem, ata për t’ju ndihmuar t’’ju marrin shenjat e gishtërinjve. 
Specialistit grek i shpjeguam që pasaportat tona shqiptare i prodhon dhe na i jep një koncensionar i huaj, dhe jo shteti shqiptar. Kur dëgjoi këtë pohim, specialist greke, pohoi, sikur nuk donte të na besonte: Si është e mundur, që një koncensionar i huaj, të prodhojë pasaportat tuaja? Po, as specialistë që të dinë punën, nuk merr dot në punë koncensionari i huaj? Për të marrë qindra euro për një pasaportë, ditka mirë koncensionari. U ka gjetur kokën…
Specialistja e pasaportave në Athinë reagon: Specialisti grek do të ma mësojë mua punën? 

Fëmija e emigrantit, për 30 minuta rresht përplasi shuplakat e gishtërinjve, që të qarkullonte gjaku nëpër damarët e pëllëmbës dhe të linte më pas shenjat e gishtërinjve, gjithashtu lau mirë disa herë me sapun duart, gjithashtu edhe i dezinfektoi me alkool të pastër, sipas udhëzimeve që na dha specialisti i Policisë greke. Shkuam në një farmaci dhe blemë një krem për të lyer paskëtaj pëllëmbën e duarve. 
Kur shkuam sërish në zyrën e pasaportave në Athinë, nëpunësja, u hodh dhe tha:
-Përse erdhët sërish? Unë ju thashë, që nuk merren më shenjat e gishtërinjve këtu. Ikni në Shqipëri. 
– Erdhëm këtu, sepse pyetëm një specialist të Policisë Greke që mere shenjat e gishtërinjve dhe ai na mësoi. 
– Po, pse specialist grek do të më mësojë mua sesi të bëj punën time?- u përgjigj e revoltuar nëpunësja shqiptare. 
– Specialisti grek, mere shenjat e gishtërinjve dhe na tha që të rrahim shuplakat, të lajmë mirë duart dhe pastaj t’i lyejmë me krem. Vetëm kështu do të dalin shenjat e gishtërinjve- iu përgjigj babai I fëmijës nëpunëses së pasaportave shqiptare në Athinë. 
– Kot e keni. Nuk dalin shenjat e gishtërinjve dhe nuk mund të më mësojë mua specialist grek. Kot mundoheni. 
– Po le ta provojmë, – këmbënguli babai i fëmijës-. Fëmija I ka përplasur duart, edhe më shumë sesa kur fitoi Rama pushtetin ( foli me ironi babai, pasi dëgjoi pak më parë bisedë politike të nëpunëses që mbronte me pasion kryeministrin Rama nga kritikat e një emigrant tjetër). 
Nëpunësja tjetër e zyrës së Pasaportave në Athinë, edhe pse në siklet, e rimerr fëmijën për t’i marrë shenjat e gishtërinjve. E ndiqja procesin nga jashtë, përtej xhamit të zyrës. Shenjat e gishtërinjve dilnin në kompjuter shumë qartë, por nëpunësja, sikur të mos u besonte, e ripërsëriste procedurën disa herë…. 
Nga kurrioziteti, në ndërkohën që nëpunësja tjetër i merrte fëmijës shenjat e gishtërinjve, i drejtohem nëpunëses që ishte përgjegjëse në zyrën e pasaportave në Athinë, duke e pyetur:
-Nuk ka mënyra të tjera, që kur aparatura juaj nuk nxjerr shenjat e gishtërinjve, ju të gjeni zgjidhjen këtu?
– Nuk di çfarë të të them, – më përgjigjet përgjegjësja e zyrës së pasaportave në Athinë. Vetëm kam për detyrë të të them, nuk dalin shenjat e gishtave dhe ju duhet të gjeni zgjidhjen diku tjetër. 
– Po koncesionari, a nuk duhet të gjejë zgjidhjen, në kësi rastesh, që të mos sorollatet emigrant?
– Firma nuk ka detyrë të gjejë zgjidhje. 
– Po si e ka marrë koncesionin, atëherë, kur nuk gjen dot zgjidhjen, kur ka vështirësi në marrjen e gishtërinjve?
– Jo për të trajtuar këtë që kërkoni ju. Koncesionari nuk ka detyrim për shenjat e gishtave, kjo nuk ka lidhje me punën tonë. Nuk ka lidhje. 
– Emigranti vjen nga ishulli i Greqisë në Athinë, shpenzon kohë, lekë që të nxjerrë pasaportat, që koncnsionari juaj e ka detyrim dhe ju i thoni, nuk keni punë me shenjat e gishtërinjve? A ka logjikë kjo mendësi pune e juaja?
– Problemi është që nuk i dalin shenjat e gishtërinjve fëmijës. 
– Po specialist i policisë greke pse na shpjegoi që ka mënyra zgjidhjeje dhe ju nuk doni që as t’i dini?
– Policia greke vë blozën aty, që dalin shenjat. 
– Blozë të vini edhe ju, ta gjeni ju zgjidhjen, ju keni marrë koncesionin për prodhimin e pasaportave, ju keni hapur zyrën këtu në Athinë, gjejeni ju zgjidhjen. Por jot a prisni shkurt emigrantit: Ik në Shqipëri!
– Bloza është për të marrë shenjat, është tjetër gjë. 
– Gjejeni ju zgjidhjen, vetëm mos sorollatni emigrantin, për koncesionin që keni marrë. 
– Nëse është kështu, hajde ty dhe tregona zgjidhjen, – më përgjigjet e nervozuar përgjegjësja e zyrës së pasaportës, në pamundësi që të na sqarojë për zgjidhjen e vështirësisë së marrjes së gishtërinjve me aparaturat që përdor në Athinë koncesionari i prodhimit dhe dhënies së pasaportave shqiptare. 
Kujt i shërben koncesioni që u nuk jep zgjidhje problemeve të qytetarit
Qeveria shqiptare predikoi që dhënia me koncesion e prodhimit dhe dhënies të pasaportave do t’u shërbejë së pari, qytetarëve, pasi do t’u shërbehet shpejt, me cilësi. Reportazhi nga Athina, përgënjeshtron qëllimin e vetë dhënies së koncesionit të prodhimit dhe dhënies së pasaportave. Më në fund, shenjat e gishtërinjve dolën, pasi fëmija ndoqi udhëzimet që na specialist i Policisë Greke. Nëpunësja e zyrës së pasaportave shqiptare në Athinë, mori telefon eprorin e saj në Tiranë, i shpjegoi rastin, u mundua t’i thotë që është e pamundur që të merren gishtërinjtë. Përgjigja që i erdhi nga Tirana, e detyroi nëpunësen e marrjes së shenjave të gishtërinjve në zyrën e Pasaportave në Athinë të vazhdonte procedurën. Edhe pse u firmosën të gjitha procedurat, prapëseprapë, thotë, që këto shenja edhe mund të mos dalin, nëpunësja sërish këmbëngul dhe thotë, që mundimi do shkojë kot, se ajo nuk beson se shenjat që dolën, do të vlejnë për prodhimin e pasaportës së fëmijës. 

Jakup B. GJOÇA