“Koncensionet klienteliste, jo investitorët seriozë”

477
Sigal

Sekretari për Programin në PS në një deklaratë për mediat iu përgjigj sot kryeministrit Berisha, për deklaratat që ky i fundit bëri në mbledhjen e qeverisë, ku akuzoi opozitën se ka kërcënuar investitorët. Beqja tha se PS ka denoncuar koncesionet klienteliste dhe jo investitorët seriozë. ” Kryeministri i vendit vazhdoi me avazin e sulmit ndaj PS-së dhe kryetarit të saj, ndërkohë që vazhdon të mos merret me problemet e mëdha që ka vendi. Saliu duhet të flasë për rendin publik, por heziton. Për fat të keq atentatet mafioze, vrasjet dhe grabitjet vazhdojnë në hundën e policisë së shtetit. Kanë kaluar disa muaj dhe asnjë lajm nuk ka për zbulimin e fajtorëve të atentatit mafioz ndaj drejtuesve të “Ceament Albania”.  Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në shërbimin doganor të denoncuar publikisht nga njerëz brenda këtij shërbimi, por heziton. Tek ky korrupsion janë shkaqet e deficitit dhjetëra milionë dollarësh të krijuar në 7 muaj nga administrate fiskale. Përgjigja e regjimit të Saliut është kërcënim për denoncuesin që detyrohet të arratiset nga Shqipëria pas 21 vjetësh të ndryshimit të sistemit politik. Saliu duhet të flasë për korrupsionin në prokurime publike, pas evidentimit në publik të hetimit që ka bërë Autoriteti i Konkurrencës, pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të shtetit, por heziton. Për fat të keq edhe prokurimi elektronik na rezultoi një tjetër dështim spektakolar i qeverisjes dixhitale të Sali Berishës. Saliu duhet të flasë për borxhin publik që ka kaluar 800 miliardë lekë, por heziton. Financat publike nuk përmirësohen me zëra që dërgon maxhoranca qeverisëse për rritjen e kufirit të borxhit publik. Nuk mund ta zgjidhin çështjen e borxhit të njëjtët njerëz që kanë miratuar në mënyrë të përsëritur buxhete vjetorë të parealizueshëm. Dhe për të ardhur tek koncesionet e HEC-ve apo të sektorëve të ndryshëm. Ne e kemi denoncuar politikën e koncesioneve të pakërkuara si klienteliste, në dëm të interesave të shqiptarëve, të korruptuar.  Ne falënderojmë dhe mbështesim investitorët seriozë, vendas dhe të huaj. Falënderojmë Verbund, EVN, Statkraft, EGL, Statoil, Enel, Siemens e të tjerë. Ndjesë nëse harroj ndonjë, por nuk është momenti për t’i përmendur të gjithë. Ne falënderojmë institucionet financiare të huaja për mbështetjen që i japin zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe i garantojmë ata se qeverisja jonë e nesërme do të jetë krejt e ndryshme.