Komuniteti LGBTI i kërkon ndihmë qeverisë: Hiqni çadrën sepse na pengon paradën

425
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, dy organizatat kyresore në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri njoftojnë listën e aktiviteteve të Javës kundër Homofobisë dhe Transfobisë:
Tirana Gay (P)Ride, parada e 6-të me biçikleta kundër homofobisë dhe transfobisë do të zhvillohet më 13 Maj, ora 11:00, nisja nga Pallati i Kongreseve. Gjatë darkës do të organizohet një party për komunitetin LGBT.
Duke qenë se nuk është akoma e qartë se sa do të vazhdojë protesta e opozitës në bulevard, dy organizatat akoma nuk kanë vendosur për itinerarin final të paradës me biçikleta. Në rast se opozita do të ketë mirësinë që atë ditë të krijojë hapësirë në çadrën e vet të lirisë që pjesëmarrësit në paradë të kalojnë, atëherë nisja do të jetë nga Pallati i Kongreseve, përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, do të vazhdojë përgjatë lumit të Lanës deri te shkolla Vasil Shanto dhe në kthim do të kalohet mespërmes ish Bllokut dhe do të përfundojë te Presidenca.
Dy organizatat për LGBTI përfitojnë nga ky rast për t’i bërë thirrje Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj që të krijojnë mundësinë që kjo paradë mos pengohet. Mesazhi i paradës, në fund të fundit, është mesazh për lirinë si edhe mesazhi i opozitës dhe për dinjitetin e individëve, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor, mesazh që nuk ka pse të mos mirëpritet edhe nga opozita, madje edhe të mbështetet përmes pjesëmarrjes, ashtu siç aktivitete të tilla mbështeten në shumë vende të zhvilluara të botës.
15 Maj, ora 19:00, ndarja e çmimeve “Aleati i Vitit”, ceremonia do të mbahet tek kolonat e Muzeut Arkeologjik, ku do të shprehet mirënjohje për mbështetjen që i kanë dhënë komunitetit LGBT gjatë vitit Pranvera Mersini (infermiere prane Qendrës ambulatore për personat me HIV), Olimbi Hoxhaj (drejtore e shoqatës PLWHA), Jetona Koçibelli gazetare e Top Channel, autore e dokumentarit Exclusive për personat transgjinorë, Albi Nako, koreograf në Klan TV, Neritan Liçaj aktor, Policia e Shtetit, Diana Jahja, nëna e Kei, vajzës në Big Brother, mbështetëse e kauzës për të drejtat e LGBTI.
17-18 Maj, konferenca “Aksesi në Drejtësi” në hotel Sheraton e organizuar nga Stonewall UK, organizata LGBT më e vjetër dhe më e madhe në Angli, në bashkëpunim me Aleancën LGBT dhe Pro LGBT.
19 Maj, ora 19:30, Pallati i Brigadave, galaja e bamirësisë për Strehën LGBT.

Itinerari i paradës përgjatë Bulevardit ku ndodhet çadra e opozitës:
Sigal