“Kompromisi i Reformës Zgjedhore është që PD-PS të administrojnë zgjedhjet e ardhshme”

2325
Sigal

INTERVISTA/Flet Nard Ndoka, kryetari i PDK-së: “Kjo nuk është Reformë Zgjedhore që vendos standarde për zgjedhje”

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, në intervistën për “Telegraf” jep vlerësimin për kompromisin e arritur midis PD-PS për Reformën Zgjedhore. Sipas zotit Ndoka, kjo reformë nuk është reformë e standardeve të zgjedhjeve, por e administrimit të zgjedhjeve nga PD-PS. Ky kompromis, shpjegon Ndoka, është edhe rruga e humbjes për PS-në. Faktori Ndërkombëtar është i interesuar për kriza politike në Shqipëri, që të justifikojë misionin e vet. Për herë të parë, zoti Ndoka zbardh në intervistën për “Telegraf” edhe kërkesat e tjera, veç korrektimit të Kodit Zgjedhor, që partitë e vogla i kushtëzuan PS-së, por që Edi Rama të gjitha premtimet që dha nuk mbajti asnjë, duke sjellë edhe divorcin politik të Aleancës së Bashkuar.

– Zoti Ndoka, kompromisi i Reformës Zgjedhore u cilësua nga PD-ja si zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ndërsa nga PS-ja si garanci e zgjedhjeve të ardhshme. Ju si do ta vlerësoni kompromisin e PD-PS për reformën zgjedhore?

– Kjo nuk është reformë zgjedhore që vendosi standarde për zgjedhje. Është më tepër një pazar politik midis PD-PS, të cilat, nëpërmjet privilegjeve që i kanë dhënë vetvetes me Kodin Zgjedhor, pra me ligj e kanë uzurpuar pluralizmin dhe tentojnë për ta monopolizuar. Kjo reformë duhet të ndërgjegjësonte PD-PS që të vendosnin standarde të barabarta për të gjitha partitë politike. PD dhe PS po bëhen gjyqtarë të politikës në Shqipëri dhe vendosin ato rregullat se si do të veprojnë edhe partitë e tjera politike. Kompromisi që u arrit, do të thotë që PD-PS të administrojnë zgjedhjet e ardhshme. Kjo do të thotë që PD-PS të vjedhin vullnetin e popullit, i cili shprehet me votën. PS-ja nuk bëri asnjë përpjekje që KQZ ta shndërronte në një institucion kushtetues, që të kishte garanci për të gjitha partitë politike. PS-ja u përpoq që ta kontrollonte ajo KQZ-në, pra PS-ja nuk ka tendencë që t’i bëjë institucionet kushtetuese, por përpiqet që të heqë monopolin politik të institucioneve  nga  PD-ja dhe ta marrë ajo. Një nga abuzimet politike të PD-PS është që i atribuojnë vetvetes fonde të mëdha nga taksat e popullit dhe nuk u japin fare partive të tjera, duke u hequr çdo mundësi reale që këto parti të kenë mundësi të barabarta për të dhënë alternativa të tjera. Kjo mund të bëhet edhe në mënyrë jo të dukshme, duke ofruar në parti deputetë milionerë, të cilët financojnë PD-PS dhe më pas i favorizojnë milionerët me privilegje që u jep pushteti. Ky kompromis që u arrit, e thelloi edhe më shumë krizën zgjedhore.

Ndërkombëtarëve  u leverdis të kenë kompromis PD-PS sesa cilësia e standardeve demokratike që garanton Sistemi Zgjedhor?

– Për fatin e keq, një pjesë e faktorit ndërkombëtar, i intereson kriza politike në Shqipëri. OSBE/ODIHR-i, po të mos kishte krizë politike në Shqipëri, nuk do të kishte edhe arsye politike që të justifikojë misionin e vet te ne. Pra, OSBE/ODIHR-i e shtyn afatin e misioneve në Shqipëri, nëpërmjet krizave politike. OSBE/ODIHR-i janë bërë palë me padrejtësitë politike të kompromiseve të PD-PS edhe në reformën zgjedhore. OSBE/ODIHR-i bëjnë presion ndaj PD-së e PS-së, për të dhënë e marrë diçka në pazaret politike dhe jo të zgjidhin krizën politike.

Tani që PS-ja nuk ju mbështeti në kërkesën tuaj, a do të hidhni hapin e krijimit të polit të tretë politik?

PDK-ja jemi shprehur qartë. E vetmja marrëveshje që kemi me PS-në ishte Kodi Zgjedhor. PS-ja na kish premtuar që do ta kthente Kodin Zgjedhor në parametra kushtetues, e kërkesa jonë nuk ishte lëmoshë, por që votat e demokristianëve të përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë. Kompromisi që arriti PS-ja me PD-në, duke shpërfillë kërkesën donë, është edhe divorci ynë politik me PS-në. E vetmja që fitoi është mazhoranca, e cila i shton aleatët e saj, nga gabimet e PS-së, nga mentaliteti i mbyllur dhe egoja e shfrenuar  e  lidershipit të PS-së. Te PD-ja ekziston një pragmatizëm dhe një tolerancë më e madhe. Berisha me mjeshtëri e futi për herë të dytë Ramën në një rrugë pa krye, në rrugën e humbjes edhe në zgjedhjet e 2013-s.

Flitet, që partitë aleate të PS-së të kërkojnë nga Rama që t’i përfshijë në listat zgjedhore të PS-së që të përfaqësohen në Parlament. Sa afër të vërtetës është kjo?

PS-ja është një parti e ngurtë, thellësisht me një mentalitet arkaik. Unë nuk shikoj një parti socialiste që do të jetë bashkëpunuese, përkundrazi. PS-ja është parti përjashtuese. Partitë e tjera do të shikojnë mundësi të tjera bashkëpunimi. Unë shikoj në PS të vetme në zgjedhje e partitë ish-aleate të gjejnë hapësira të tjera bashkëpunimi.

– Ju keni biseduar drejtpërdrejt me Nanon, për mundësi bashkëpunimi?

– Unë nuk kam biseduar drejtpërdrejtë me Nanon, nuk kam interes bashkëpunimi politik me Fatos Nanon. Interesi im ishte te bashkëpunimi opozitar, ngaqë mendoja që vendit i duhet një rotacion politik. Por PS-ja nuk ndau  të njëjtin interes me ne, kërkon që domosdoshmëritë e aktualitetit politik, t’i bëjë e vetme, duke përjashtuar aleatët e vet, e këtu rrugët tona ndahen.

Ka mundësi që ju së bashku me AK-në të krijoni së bashku polin e tretë politik?

Do të ishte një lëvizje interesante kjo që thoni ju, e rëndësishme. Tashmë ka mundësi. Në 2009-n ne ishim të papërgatitur, të paditur me Kodin Zgjedhor, sesi përkthen ai votat në përfaqësim. Pra ka mundësi bashkëpunimi jashtë PD-së dhe jashtë PS-së, siç janë partia e Topit dhe AK-ja. PDK-ja më afër, tani për tani e shikon veten me PD-në.

Aleancat do të ndërtohen mbi bazën e interesave partiake, apo do të studiohen ato kërkesa për ndryshim,  që do të vijnë nga elektorati?

Ky Kod zhduku të majtën e të djathtën dhe mund të them që sot kemi një paçavure të ideve politike. Kemi një parti të djathë që qeveris me një parti të majtë dhe një opozitë të majtë që me parulla demagogjike “ përtej së majtës e përtej së djathtës” nuk ngjallën ndonjë shpresë. Nga ana tjetër, je i detyruar të rreshtohesh në atë kah politik, ku mendon që shumatorja e votave do të të sjellë në pushtet.

Vërtet, mjafton vetëm heqja e imunitetit në luftë kundër korrupsionit?

Kjo është demagogji. Të gjithë e dimë që te ne nuk funksionon sistemi i Gjyqësorit e i drejtësisë për luftimin e korrupsionit e të luftës kundër krimit të organizuar. Imuniteti nuk është pengesë për korrupsionin, për faktin që korrupsionin në Shqipëri e mbron politika. Është një gabim i madh që ne politikanët t’i zhveshim nga imuniteti. Një politikan opozitar, pa imunitet, është njeri me gojë të mbyllur, një njeri i shantazhuar nga pushteti në çdo moment. Imuniteti duhet t’i hiqet në këtë rast vetëm anëtarëve të qeverisë. Një politikan, qoftë edhe deputet i  mazhorancës, nuk ka asnjë afere me korrupsionin, për arsye se nuk është pjesëmarrës në vendimmarrje. Politikanët do të shantazhohen në aktivitetin e tyre politik nga politika, nga policia, nga shërbimet e fshehta. Ne mësuam që ka përgjime edhe nga shërbimet e ministrisë së Mbrojtjes, nga ajo e Brendshme. Edhe sistemit të taksave i është dhënë e drejta për përgjim. Heqja e imunitetit do të keqpërdoret nga politika thjesht për të shantazhuar. Kemi edhe sistemin gjyqësor të pafuqishëm përballë pushtetit politik. Sistemi gjyqësor është i pambrojtur nga përballja me politikën. Me heqjen e imunitetit ne nuk vendosim standarde që të kemi gjyqësor të pavarur, një gjyqësor që të jetë e mbrojtur nga sulmet e politikës.

– Faleminderit!

 

Boks

Zoti Ndoka zbardh për herë të parë kërkesat që partitë aleate i kushtëzuan Edi Ramës për Reformën Zgjedhore

– Kërkesa primare ishte korrektimi i Kodit Zgjedhor, por edhe kërkesa të tjera  mjaft të rëndësishme, që për fatin e keq nuk janë bërë publike. I kërkuan zotit Rama që KQZ-ja të ishte një institucion kushtetues. Të kishim një trup gjykues nga Gjykata e Lartë, që të gjitha kontestimet që vinin nga qendrat e votimit të merreshin në gjykim nga ky trup zgjedhës i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë është një institucion i pavarur dhe kjo do të bënte edhe gjykimin e kontestimeve të votave të besueshëm. Zoti Rama na e premtoi këtë dhe tani, me kompromisin e hodhi në koshin e plehrave. Një tjetër kërkesë që edhe administrimi në tërësi, të mos bëhet nga komisionerë militantë të PD-së e PS-së, por nga komisionerë të pavarur. Jemi i vetmi vend në Europë, që votat i numërojnë dhe i përcaktojnë në komisionet zgjedhore militantët më të egër të të  dy partive më të mëdha. Këta komisionerë të pavarur, avokatë, juristë, njerëz të çdo profesioni tjetër do të jepnin në elektoratin shqiptar besueshmërinë dhe ndershmërinë e votave dhe nuk e jep heqja e kryetarit të KQZ-së, sipas preferencave personale e partiake.