Komploti elektoral i PS dhe PD me “primin” në Kodin Zgjedhor, për të përjashtuar nga Parlamenti çdo parti tjetër

464
Edhe pse Komisioni Parlamentar për reformën në drejtësi, ka përcjellë në Komisionin e Venecias një paketë të ndryshimeve kushtetuese, mirëpo në ndryshimet kushtetuese nuk përfshihet fare asnjë propozim për ndryshime të Kodit Zgjedhor. Dihet që kryetema e politikëbërjes shqiptare, është dekriminalizimi i saj. Është pranuar që elementë me rekorde kriminale janë bërë deputet, ku disa prej tyre ende janë në (para)burgim, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të vrasjes dhe të trafiqeve, ndërsa Arben Ndoka u detyrua të japë dorëheqjen, për të shkuarën e tij, si i dënuar në Itali për trafikim të qenieve njerëzore. Përgjegjëse e drejtpërdrejtë e fenomenit të inkriminimit të Parlamentit tonë, është vetë sistemi aktual zgjedhor, pasi me listat e mbyllura, që hartohen nga kryetari i partisë, elektorati voton për partinë, ndërsa në listën e kandidatëve për deputetë, mund të vendosen (siç ndodhi) edhe elementë që janë me rekorde kriminale, por që gëzojnë mbështetjen personale të kryetarit të partisë. 
LSI dhe PD kanë propozuar ndryshim të Kodit Zgjedhor

Fillimisht, e para që ka shprehur domosdoshmërinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, është LSI. Këto ditë edhe PD është shprehur për ndryshime të Kodit Zgjedhor, pa zbardhur publikisht, se çfarë ndryshime duhet të bëhen. Kryeministri Edi Rama, ende nuk ka folur për ndryshime të Kodit Zgjedhor, duke dhënë të kuptohet se është për ruajtjen e këtij Kodi Zgjedhor, që i jep privilegjin, që të kontrollojë ai vetë, gjithë listën e kandidatëve për deputetë të PS, duke përcaktuar ai vetë, se cilët ( të preferuarit e tij personalë) do të jenë deputetë dhe cilët (kundërshtarë)duhet të largojë ai nga politika. Vetëm partitë e tjera politike, që në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 mblodhën mbi 530.000 vota gjithsej, dje në një tryezë bisedimi të përbashkët, kërkuan njëzëri ndryshime të thella të Kodit Zgjedhor. Konkretisht kërkohet rregullimi i sistemit zgjedhor për të qenë realisht i dobishëm; reformimi i administratës zgjedhore me synim depolitizimin e saj; përdorimi i teknologjisë si mjet i domosdoshëm i arritjes së standardeve; mundësimi i emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e radhës; rishikimi i mënyrave të financimit të subjekteve zgjedhore dhe akses dhe mundësi në mediat lokale dhe kombëtare.
Komploti: PS dhe PD duan “primin” në Kodin Zgjedhor

Në fakt, në prapaskenën politike, edhe PD, edhe PS po bisedojnë bashkërisht, që të gjejnë një zgjidhje sa më të mundshme, që t’u përshtatet vetëm këtyre 2 partive dhe (mundësisht) që të përjashtojë nga Parlamenti të gjitha partitë e tjera. Dhe, për këto nisma të prapaskenës politike, edhe PD, edhe PS, kur vjen puna, që duan të përmbushin bashkërisht qëllimet e tyre partiake, e gjejnë “konsensusin” menjëherë. Kështu ndodhi në prill 2008, kur Berisha dhe Rama bashkërisht vendosën që të prishin brenda një nate Kushtetutën dhe Sistemin Elektoral dhe vendosën këtë sistem elektoral, që është sot përgjegjëse për inkriminimin e Parlamentit. Kryeministri Rama, ka përmendur (shkarazi) se mund të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke vendosur “primin”, domethënë, partia e parë që del në zgjedhje, pavarësisht përqindjes së ulët, fiton automatikisht, një shumë mandatesh, që mund t’i japë të drejtën e shumicës në Parlament. Për shembull: Nëse njëra parti, del e para me 28 %, dhe e dyta ka 27 %, partia e parë mund të fitojë primin elektoral, të një shume të caktuar mandatesh. Nëse mandatet me votimin e sistemit aktual do të përcaktohen 120 mandate, nga 150 që ka Parlamenti, partia e parë do të fitojë primin elektoral të 30 mandateve. Por kjo, në vetvete, do të vështirësojë shumë që partitë e tjera, si LSI të humbasin shumë mandate, ndërsa partitë si PDIU, PR, apo PBDNJ, të mos kenë fare mundësinë të futen në parlament, sepse praktikisht, do të rritet % e kufirit, sepse për 120 mandate, nëse ruhet 3 %, do të thotë, që këto parti duhet të sigurojnë vota më shumë dhe do të kenë edhe mandate më pak, se deri tani. Kështu që PDIU dhe PR, me 5 mandate, mund të mos hyjnë fare më në Parlament. Në fakt, ky sistem elektoral, që PD dhe PS kanë rënë dakord në prapaskenë është një sistem komunist, sepse, de fakto do të kemi në Parlament vetëm 2 parti të mëdha, që kanë të njëjtën origjinë. Rama dhe PD mund ta justifikojnë “primin” në Kodin Zgjedhor që propozojnë edhe me qasjen që kanë disa sisteme elektorale që zbatohen sot në vendet e tjera, si në Greqi, Itali, apo gjetkë, por, PS dhe PD duan të zbatojnë “primin” elektoral, pa ndryshuar listat e mbyllura. Ky ndryshim i Kodit Zgjedhor, që të përcaktohet vetëm “primi” zgjedhor, pa ndryshuar listat e mbyllura, në fakt është një tjetër komplot elektoral, që PS dhe PD përgatitin kundër të gjitha partive të tjera, në mënyrë të tillë, që “kulaçin” parlamentar ta ndajnë përgjysmë midis tyre dhe ta kenë më të lehtë pastaj të sundojnë në një sistem dy partiak, ekuivalent me monopartizmin komunist, prej nga e kanë origjinën e përbashkët, edhe PD edhe PS. 
Sigal