“Kompetencat antikushtetuese të qeverisë për të ardhurat dhe huatë, janë krizë e funksionimit të shtetit”

168

INTERVISTA/ Arben Malaj, ish-ministër i Financave: “Rritja ekonomike kërkon  mirëqeverisje”

Buxheti i vitit 2013 u miratua -në parim- vetëm me votat e maxhorancës dhe maxhoranca e opozita dëshmuan që kanë qëndrim diametrikisht të kundërt. Maxhoranca e cilësoi buxhetin e 2013-s, si më të madhin, buxhet, i cili do të krijojë mundësitë e rritjes ekonomike, edhe pse bota e rajoni janë përfshirë nga kriza më e madhe ekonomike e deritanishme. Për herë të parë, në këtë buxhet u lejua me ligj edhe kalimi i pragut të borxhit, nga 60 %, në 62.8 %. Ndërsa opozita e cilësoi “ buxhetin e borxhit më të madh” dhe që do ta zhytë edhe më thellë Shqipërisë në recension krize. Ish-ministri i Financave, deputeti i PS-së, Arben Malaj, në intervistën për “Telegraf”, argumenton se dalja nga kriza nuk është marrja e borxheve, por mirëqeverisja. Madje, sipas zotit Malaj, me këtë buxhet të 2013-s, qeveria ka shkelur edhe Kushtetutën. Zoti Malaj argumenton, së pari, të ardhurat nga privatizimet, qeveria nuk mund t’i përdorë pa lejen e Kuvendit dhe e dyta, garancitë që jep qeveria për KESH-in, nuk mund të jepen nga qeveria, pa u miratuar në Kuvend.  

Zoti Malaj, në buxhetin, e miratuar në parim nga Kuvendi,  vërehet që në bashki më të vogla në numër popullsie, ka buxhet më të madh, kurse në bashki më të mëdha, ka buxhet më të vogël. Kjo shpërndarje fondesh, është sipas nevojës më të madhe për investim, për të balancuar disnivelet, apo është ndonjë prapaqëllim tjetër? 

– Autonomia financiare e pushtetit vendore është përkeqësuar, në dy aspekte.  Të ardhurat e drejtpërdrejta të pushtetit vendor nga 1.5% e PBB në 2005  këtë vit janë 0.8 % ose gati dy herë më pak. Sipas qeverisë decentralizimi është thelluar ndërsa autonomia financiare është përkeqësuar. Ky përkeqësim  e ka vështirësuar punën e komunave dhe bashkive dhe kjo ndjehet me shumë aty ku qeverisin  socialistët.  Po kështu edhe mbështetje  e pushtetit vendor ka rënë, nga 2.5 % e PBB në vitin 2005  në 2.% në vitin 2013.  Kjo shifër është  20%  se në vitin 2005.  Ja pse gjendja e rrugëve, ndriçimit urban, pastrimit dhe asistencës sociale janë përkeqësuar në çdo komunë dhe bashki.

Ju si e gjykoni rritjen e pragut të rritjes së borxhit? Cila politikë ekonomike tjetër,  do të ishte më e gjetur?

– Çelësi i daljes nga kriza nuk është rritja e borxhit por mirëqeverisja. Është lufta kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit, është forcimi i lirisë ekonomike, lirisë së pronës, pavarësia e gjyqësorit dhe efikasiteti administratës publike. Historia e zhvillimit ekonomik nuk gjen ndonjë lidhje midis rritjes së borxhit dhe zhvillimit të një vendi. Sot vendet me borxhe më të larta janë vendet që kanë më shumë kriza dhe të gjitha ato po luftojnë ta ulin borxhin. Presidenti i Komisionit Europian deklaronte para pak ditësh se çdo euro më tepër për të paguar interesat e borxhit, është një euro më pak për zhvillim.

– PS-ja ka parashtruar platformë të politikës ekonomike, heqjen e taksave biznesit  të vogël, pa sqaruar se nga cilat burime do të zëvendësojë këto të ardhura. Nga ana tjetër, premton fonde në rritje për arsimin e shëndetësinë publike, si edhe një politikë sociale më afër shtresave që kanë nevojë. Sa vërtetësi ekonomike kanë këto politika, që në pamjen e parë duket se janë kontradiktore me njëra-tjetrën?

– PS-ja nuk premton uljen e të ardhurave në buxhet por synon me një sistem më të drejtë taksimi që të mund t’i rrisë të ardhurat buxhetore, që të ketë mundësi të rrisë  mbështetjen për projektet  prioritare. Çelësi i mbajtjes së premtimeve do të jetë rritja e rritjes ekonomike, e cila rrit të ardhurat në buxhet, rrit punësimin, ul varfërinë, krijon shpresë dhe optimizëm. Rritja e rritjes ekonomike kërkon  mirëqeverisje – reformat që e përmirësojnë mirëqeverisjen duhet të jenë të para në mandatin qeverisjes të socialistëve dhe aleatëve të saj.

Qeveria pretendon se me rritjen e borxheve, do të ketë edhe një rritje të ekonomisë. Në kushtet aktuale të ekonomisë shqiptare, cila politikë ekonomike do të japë premisa për rritjen ekonomike, duke përjashtuar rritjen e borxheve?

– Rritja e borxheve është pranuar si ndërhyrje mbështetëse në ekonomi, bazuar në teoritë keynsianiste dhe neokeynsianiste. Por pranohet se ajo ka kufizime të saj dhe nuk mundet automatikisht të garantojë objektivat e qeverisë për rritjen ekonomike dhe uljen e borxhit. Reformat strukturore që  përmirësojnë qeverisjen e vendit duke luftuar korrupsionin dhe kapjen e shtetit,  reformat që lehtësojnë dhe mbështesin biznesin, që rrisin rritjen ekonomike, reformat që rrisin barazinë e mundësive dhe shpërndajnë më mirë përfitimet e rritjes ekonomike janë ato që lehtësojnë, ndihmojnë dhe mbështesin një rritje ekonomike të lartë, të qëndrueshme dhe cilësore.

– Përse qeveria, përmes p/buxhetit 2013, kërkon kompetenca antikushtetuese në miratimin dhe implementimin e buxhetit?

– Ka dy momente që janë shkelje flagrante e  Kushtetutës dhe që duhen ndaluar. Së pari neni që parashikon që qeveria të ardhurat nga privatizimi do ti përdor pa i miratuar në Parlament. Moment i dytë është kur qeveria garancitë që do lëshojë  për KESH për import energjie nuk do t’i përfshijë në borxhin publik të vendit.  Në rastin e parë qeveria i merr një të drejtë kushtetuese parlamentit, pra çdo rritje e kufirit të shpenzimeve miratohet nga Parlamenti. Kjo fsheh transparencën, rrit abuzivitetin e qeverisë me të ardhura të konsiderueshme që vijnë nga shitja e pasurive kombëtare. Ne rastin e dytë qeveria fsheh borxhin real të vendit, duke kërkuar  që të  marrë më shumë borxhe në një vit elektoral. Kushtetuta e ka  të qartë që  vetëm Kuvendi mund të miratojë marrjen e huave, kredive dhe të japë garanci shtetërore për huamarrje të të tretëve. Këto dy nene paralajmërojnë një  krizë të rëndë të funksionimit të shtetit, përkeqësim  të ndarjes së pushteteve edhe të rritjes së pakontrolluar të borxhit.

-Faleminderit!