Komisioni për reformën në drejtësi, sërish mbledhje pa opozitën

83

TIRANE – Pavarësisht rikthimit në Kuvend pas një bojkoti mbi 5 mujor, këtë të premte opozita nuk është bërë pjesë e Komisionit Parlamentar të ngritur për reformën në drejtësi.
 
Në mbledhjen e dytë të komisionit të posaçëm ministri i Drejtësisë Nasip Naço i bëri ftesë opozitës të jetë pjesë e këtij procesi.
 
“Ftoj opozitën të vijnë në këtë komision të posaçëm, pasi jemi dakord të gjithë që drejtësia nuk funksionon”, tha Naço.
 
Në të njëjtën linjë edhe kryetari Fatmir Xhafaj.
 
“Në mbledhjet e tjera presim edhe ardhjen e opozitës dhe do të diskutojmë çështje më në detaje”, tha Xhafaj.
 
Në mbledhjen e parë të komisionit për reformën në drejtësi, e cila u mbajt gjatë muajit dhjetor, opozita nuk ishte e pranishme për shkak të vendimit politik për të bojkotuar çdo veprimtari parlamentare, marrë shkas nga sherri mes deputetëve Strazimiri-Ndreu dhe Ndoka, por që më tej kërkesë kryesore e tyre u bë dekriminalizimi i Kuvendit.
 
Ndërkohë, të martën në Tiranë do të vijë Presidenti i Komisionit të Venecias ku do të ketë takime të nivelit të lartë. “Do të flitet për reformën në drejtësi dhe atashimin e Komisionit të Venecias për këtë reformë”, tha ministri Naço.
 
“Gjykata e Lartë ka sjellë specialistët. Gjithashtu i kanë sjellë Prokuroria e Përgjithshme. KLD etj. Kemi përgatitur një dokument analitik që do ja u bëjmë publik javës tjetër. Aty janë të gjitha tezat që kanë dalë nga takimet e nivelit të lartë. Ne po punojmë sëbashku me Euralius, që do të kemi mënyrën si do vlerësojnë gjyqtarët. Strategjia e Ministrisë së Drejtësisë për drejtësinë shumë shpejt gati”, theksoi ministri Naço.
 
Komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur nga Kuvendit për reformën në drejtësi do të punojë deri në muajin qershor.