Komisioni parlamentar, rinis puna për reformën zgjedhore

628
Pas një periudhe të gjatë diskutimesh jozyrtare, dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, socialisti Bledi Çuçi dhe demokrati Oerd Bylykbashi, thirrën në mbledhjen anëtarët e tjerë të këtij komisioni, ku miratuan edhe një plan pune në lidhje me çështjet që do të trajtojnë dhe rendin e tyre. Teknologjitë e reja në votim duket se do të jenë problemi i parë që do të trajtohet, për t’u pasuar nga çështja e votimit të emigrantëve. Më pas, do të vijojë puna me problemet e ndryshme të fushatës zgjedhore, ku një zë më vete e ka financimi i partive. Regjistri civil i votuesve dhe administrata zgjedhore janë dy çështjet e fundit. Komisioni zhvilloi edhe disa seanca dëgjimore me ekspertë të shoqërisë civile, për këto tema, ku mes të tjerash u propozua depolitizimi i komisionerëve. Për zgjedhjet e shkuara parlamentare, partitë nuk arritën të realizonin një reformë zgjedhore, ndërsa opozita shprehu kritikat e saj për mënyrën e zhvillimit të procesit. Përfaqësuesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë rekomanduan miratimin e aktit rregullues të veçantë për veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore; hartimin e planit të punës për veprimtarinë e komisionit; garantimin e prezencës së përfaqësuesve të shoqërisë civile në seancat e komisionit dhe konsultimet e ekspertëve. Përfaqësuesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë rekomanduan “adresimin në mënyrë integrale të mekanizmit të transparencës dhe kontrollit të veprimtarisë financiare të partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Pavarësisht përmirësimeve të bëra në zgjedhjet e fundit, sërish ka nevojë për adresim të plotë e të thelluar të kësaj çështjeje”. Gjithashtu u kërkua rirregullim tërësor i administratës zgjedhore të nivelit të dytë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit propozoi që afatet e verifikimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve zgjedhorë nga organet përkatëse të jenë më të gjata. Propozim tjetër ishte që në Kodin Zgjedhor duhen përcaktuar më mirë kompetencat e KQZ-së në raport me Prokurorinë, për të sheshuar mosmarrëveshjet e mundshme institucionale për çështje kompetencash. Përfaqësuesi i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit Zgjedhor, Kristaq Kume dha rekomandimet e tij mbi procesin e zhvillimit të reformës zgjedhore. Sipas tij, komisioni nuk duhet të fokusohet vetëm në rekomandimet e OSBE-ODIHR, por edhe në çështje të tjera si zbatimi i teknologjisë në proceset zgjedhore etj.
Sigal