Komisioni parlamentar / Nis reforma në drejtësi nuk ka pushime për deputetët

437
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, do të zhvillojë sot mbledhjen e tij të parë me pjesëmarrjen edhe të anëtarëve të opozitës. Dy javë pas arritjes së marrëveshjes për parimin e paritetit në reformën në drejtësi, komisioni i posaçëm për këtë qëllim do të mblidhet gjatë ditës së sotme, edhe pse Kuvendi ka marrë zyrtarisht pushimet. Sipas rendit të ditës të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit do të bëhet prezantimi i procesit të reformës nga nëntori i vitit të kaluar deri më sot.
Më pas mbledhja do të vijojë me miratimin e analizës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, strategjisë së reformës së sistemit të drejtësisë dhe miratimin e planit të veprimit. Në këtë komision do të ushtrohet parimi i paritetit, duke garantuar kështu barazinë mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës, por kryetari i komisionit ka të drejtën e ushtrimit të votës së dyfishtë, ndonëse ajo s’do të përdoret në disa raste të veçanta. Komisioni do të kryesohet nga deputeti socialist dhe njëkohësisht kryetari i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafa, ndërsa zëvendës i tij do të jetë ai demokrat, Eduart Halimi.
Në një kohë kur Kuvendi ka mbyllur punimet për këtë sesion parlamentar dhe deputetët zyrtarisht janë me pushime, e njëjta gjë s’mund të thuhet për anëtarët e mazhorancës dhe opozitës në komisionin e reformës në drejtësi. Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Ulsi Manja dhe Spartak Braho nga e majta, si dhe Eduart Halimi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani, Gent Strazimiri dhe Fatmir Mediu nga e djathta, do tu duhet të punojnë për platformën e drejtësisë, edhe gjatë muajit gusht. Reforma në drejtësi është nxitur fort nga faktori ndërkombëtar, si faktor kyç për çeljen e negociatave me BE-në. 
Sigal