Komisioni i vetingut: Qytetarët nuk kanë dorëzuar prova

520
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit informoi edhe një herë publikun se misioni i tij nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave. Duke marrë shkas nga numri i lartë i ankesave të qytetarëve, komisioni i vetingut sqaroi se ka për mision të mbledhë të dhëna, prova dhe fakte konkrete lidhur me veprime korruptive apo shkelje ligjore të subjekteve të rivlerësimit (prokurorë e gjyqtarë). Në vitin 2017, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë depozituar 334 ankesa, ndërsa gjatë ditëve të para të vitit 2018 ka pasur 30 ankesa nga qytetarët. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se nuk janë depozituar nga qytetarët prova dhe fakte konkrete lidhur me subjektet që do të rivlerësohen në bazë të tri kritereve të parashikuara në ligjin nr.84/2016, por bëhet fjalë për ankesa ndaj vendimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta nga ana e sistemit të drejtësisë”, thuhet në deklaratën zyrtare. Qytetarët kanë paraqitur të njëjtat argumente me të cilat janë mbrojtur edhe në gjykatë, ose kanë dorëzuar thjesht vendimet e gjykatave. “Për të denoncuar subjektet e rivlerësimit (gjyqtarët dhe prokurorët), Komisioni ka vënë në dispozicion formularin e posaçëm të denoncimit, që gjendet online në faqen zyrtare kpk.al. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajoi qytetarët që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë (fotografi, dokumente e të dhëna të tjera), ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në këtë proces jetik për vendin.
Sigal