Komisioni i Venecias/ Zbardhet projekt-mendimi: Vettingu në politikë është legjitim dhe i nevojshëm. Ja kriteret

80

Jakup B. GJOÇA

Vettingu në Politikë është legjitim dhe i nevojshëm

Komisioni i Venecias: Amendamentet kushtetuese duhet të përmbushin dy kritere: Të kenë një qëllim të ligjshëm dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.

Komisioni i Venecias u shpreh dje se, bazuar në lidhjet e tanishme të politikës me krimin, propozimi i Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve në Shqipëri është legjitim dhe i nevojshëm. Kërkesën për shqyrtimin nga Komisioni i Venecias të propozimit të PD-së për vettingun në politikë e kishte paraqitur pak javë më parë Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Në projekt-mendimin e publikuar sot, Komisioni i Venecias thekson se amendamentet kushtetuese dhe ligji për vettingun e politikanëve duhet të përmbushin dy kritere:

(1) të kenë një qëllim të ligjshëm; dhe

(2) të respektojnë parimin e proporcionalitetit.

Pas takimeve informuese gjatë një vizite në Shqipëri, Komisioni i Venecias është shprehur se e konsideron pikën e parë të përmbushur: Lidhjet e politikanëve me krimin janë një qëllim i ligjshëm për të miratuar amendamente kushtetuese për t’i kaluar politikanët në një proces vettingu. Në raport, Komisioni shprehet se: “Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillave bashkiakë ose zyrtarëve qeveritare me krimin e organizuar është një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, lidhja mes institucioneve shtetërore dhe krimit të organizuar duket të jetë shumë e fortë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore, ose të paktën ka ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur, ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”. Në lidhje me pikën e dytë — respektimi i proporcionalitetit – Komisioni i Venecias shprehet se, duke qenë se paketa ligjore për vettingun në politikë nuk është hartuar ende, Komisioni nuk mund të japë një mendim në lidhje me të.

Kritetet e Vettingut në politikë

Sidoqoftë, Komisioni ka parashtruar kriteret bazë që duhet të zbatohen gjatë hartimit të amendamenteve kushtetuese dhe të kuadrit ligjor për vettingun e politikanëve: Subjektet që do t’i nënshtrohen vettingut duhet të qartësohen në detaje; Duhet qartësuar konkretisht se çfarë përbën “kontakt me krimin e organizuar”, Duhet qartësuar se kush konsiderohet “person i përfshirë në krimin e organizuar”; Duhet qartësuar ndarje e kontakteve të ligjshme dhe të paligjshme me krimin; Duhet qartësuar se si pritet që personi të provojë se s’ka kontakte me krimin; Duhet përcaktuar në mënyrë të arsyeshme kohëzgjatja e procesit të vettingut; Duhet përcaktuar kohëzgjatja e ndalimit apo kufizimit të veprimtarisë së personit, si rezultat i vettingut; Në projektligjin e shqyrtuar nga Komisioni mungon mekanizmi zbatues i rezultateve të vettingut; Komisioni nuk është në gjendje të përcaktojë nëse mekanizmi në rastin e procesit të dekriminaklizimit është i përshtatshëm edhe për vettingun në politikë; Mekanizimi i verifikimit të magjistratëve nuk mund të përdoret për politikanët. Në mungesë të një paketë përfundimtare për t’u shqyrtuar, Komisioni i Venecias e sheh të vështirë të japë mendim lidhur me vlerën e shtuar ligjore që do të sillnin ndryshimet e mundshme dhe thekson se duhet të jetë Kuvendi i Shqipërisë që duhet të vendosë për këtë, përmes një procesi me dialog konstruktiv mes palëve politike. Ky projekt-mendim pritet të miratohet në mbledhjen e datës 14-15 dhjetor 2018 të sesionit plenar të Komisionit të Venecias.

Vettingu i politikës kthen opozitën në Kuvend, votohet në dhjetor

Ekspertët socialistë dhe demokratë shpjeguan edhe njëherë qëndrimet e tyre në raport me vettingun në politikë përpara Këshillit të Legjislacionit. Me deputetët e opozitës që ishin të pranishëm, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi kërkoi që ky projektligj të futet në kalendar dhe të votohet në parlament brenda dhjetorit, propozim që ka gjetur mbështetjen e demokratëve. Propozimi për vettingun në politikë sipas të gjitha gjasave do të votohet në Kuvend më datën 20 dhjetor.