Komisioni i Venecias: Reforma në drejtësi tani i takon të vendosë Parlamentit

535
Saga e rekomandimeve dhe e opinioneve të ekspertëve të Venecias ka marrë fund. Komisioni miratoi këtë të premte draftin përfundimtar të reformës në drejtësi duke e lënë topin në fushën e politikës shqiptare për kalimin e saj. Lajmi është konfirmuar fillimisht nga delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përmes rrjeteve sociale. “Komisioni i Venecias miratoi opinionin përfundimtar për reformën në drejtësi dhe falenderoi delegacionin e BE-së për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësinë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Tiranë. Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi nuk ka marrë një vendim se çfarë hapash do të ndërmarrë pas miratimit përfundimtar nga Venecia. Maxhoranca dhe opozita janë të ndara për metodologjinë që duhet të ndjekin për të arritur në një draft të pranuar nga të gjitha palët. Socialistët mendojnë se përfshirja e ekspertëve është zgjidhja më e mire, ndërsa demokratët, që kanë paraqitur edhe 11 vërejtjet e tyre, kërkojnë dialog politik.
Sigal