Komisioni i Venecia nis procesin e vetingut në politikën shqiptare

588
Sigal

Një delegacion me 6 anëtarë, i Komisionit të Venecias po zhvillon takime intensive në Tiranë, për t’u njohur gjerësisht me propozimin e opozitës për vetting në politikë. Ekspertët ndërkombëtarë janë takuar më deputeten e PS-së, Vasilika Hysi, e më pas në takime të ndara me përfaqësues të grupit parlamentar të socialistëve, demokratëve dhe LSI-së. Në përfundim të takimit, nënkryetari i PD-së Edmond Spaho u shpreh se PD kërkon nga Komisioni i Venecias që të ndjekë të njëjtin standard që është vendosur për prokurorët dhe gjyqtarët.

Edmond Spaho: Ne parashtruam qëndrimin e PD-së i cili në thelb është se nuk duhet të ketë dy standarde, por standardi që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët duhet të aplikohet për politikanët, kur flasim për lidhje me botën e krimit të organizuar. Shpjeguam me fakte se asnjë reformë në Shqipëri nuk do të ketë sukses, nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin e organizuar.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili: Opozita ka propozuar standard të njëjtë, si Vettingu i gjyqtarëve dhe prokuroreve. Fjalët e shumta për Vettingun janë pa kuptim. Qëndrimi është i qartë, opozita pro, Rilindja kundër. Projekti duhet të votohet në Parlament. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, socialisti Ulsi Manja: Opozita vazhdon të jetë inkoherente me qëndrimet e saj sa herë që bëhet fjalë për Komisionin e Venecias. Këtu kam parasysh liderin e opozitës, zotin Basha, kur në fazën e ndryshimeve kushtetuese sa i përket reformës në drejtësi. Në atë kohë tha nuk pranojmë asnjë lloj ndryshimi kushtetues pa opinionin e Komisionit të Venecias si tabani i demokracisë parlamentare. Ndërsa dje zoti Basha thotë një gjë krejt tjetër. Delegacioni do të vijojë takimet me Presidentin, Ministren e Drejtësisë dhe ambasadorin e Bashkimit Europian, ndërsa nesër do të ketë takime kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e ILDKPI-së, Ganaj dhe kreun e Euralius, Agnes Bernhard. Venecia u vu në lëvizje në fillim të tetorit, me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, drejtuar presidentit Gianni Buquicchio, ku i kërkon opinion për qëllimin dhe legjitimitetin e vettingut në politikë.