Komisioni i Sigurisë, Gjokutaj: Sekuestruam 9 mln euro para të pista gjatë vitit 2017

1076
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave po raporton në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku në fokus të diskutimit është pastrimi i parave. Drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokutaj deklaroi se gjatë vitit 2017 janë referuar 401 raste të dyshuara për pastrim parash dhe janë sekuestruar rreth 9 milionë euro.
“Viti 2017 ka qenë intensiv për institucionin tonë. Po bashkëpunojmë me Prokurorinë, Policinë dhe SHISH dhe ka elementë për të rregulluar. Kemi referuar 401 raste të dyshuara për pastrim parash. Gjatë vitit 2017 ka pasur 52 urdhra bllokimi për 11.2 milionë euro dhe janë sekuestruar rreth 9 milionë euro. Kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me KPK, si dhe kemi shkëmbyer informacione me ndërkombëtarët në nivel Shërbimi Inteligjent. Kemi verifikuar rreth 7000 persona për aktivitet të dyshimtë për pastrim parash”- tha Gjokutaj.
Gjokutaj i është përgjigjur edhe pyetjes së përfaqësueses së PS, Elona Gjëbrea në lidhje me pretendimet për financimin rus të PD.
“Nuk shprehem për çështje që janë në hetim dhe kjo çështje po hetohet nga Prokuroria”- tha Arlind Gjokutaj.
Në komision nuk munguan as batutat, teksa deputeti i PD, Ervin Salianji tha se grupi parlamentar i PS vlen më shumë se Reali i Madridit.
Ervin Salianji: Si ka mundësi që grupi parlamentar Socialist vlen më shumë se Reali i Madridit,. Sipas llogaritjeve që kam bërë unë , duke parë pasuritë e deklaruara rezulton se vlejnë më shumë se Reali, i cili përllogaritet se vlen 44 milionë euro.
Ermonela Felaj: Kjo besoj se nuk ishte pyetje, por do të përgjigjem. Shiko njëherë ata ish ministrat që kanë ikur nga grupi juaj se vleni akoma më shumë.
Sigal