Komisioni i Ligjeve përcjell në Kuvend vendimin e KQZ-së të 5 marsit 2009 për ndarjen e mandateve

431
Sigal

Komisioni i Ligjeve, pardje nuk mundi të miratojë p/vendimin  “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, pasi deputeti Xhafa kërkoi që të vinin në Komision Kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së, si dhe Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë. Dje, Kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi dhe Nënkryetari Denar Biba u dëgjuan   nga deputetët anëtarë të Komisionit të Ligjeve.

Kuvendi nisi procedurat e ndarjes së mandateve, në bazë të informimit të Sekretares së Përgjithshme të KQZ-së?!

Kuvendi i Shqipërisë nisi procedurat për ndarjen e mandateve për deputetë për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, jo mbi ndonjë vendim të KQZ-së, që sipas Kodit Zgjedhor, duhet të firmoset nga Kryetarja dhe Nënkryetari i KQZ-së,  është Sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, i përcjell Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, një informim, të firmosur vetëm nga ajo,  por bashkangjitur, i përcjell edhe vendimin e KQZ-së  të 12 shkurtit 2009, për ndarjen e mandateve të zgjedhjeve të 2009-s, me rekomandimin që Kuvendi të bëjë ndarjen e mandateve, në bazë të këtij vendimi të KQZ-së të …2009-s! Kryetares  së  KQZ-së, Lefterie Lleshi, iu kërkuan  sqarime nga deputetët e PS-së,  në lidhje me shkresën që sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së,  Ajlona Mansaku,  më datën 11 janar 2013, nr. prot. 174, i ka dërguar  Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Marlind Myftiu, një shkresë me lëndë: “Informacion në lidhje me zbatimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për 2013”. Në fakt, KQZ-ja nuk ka dërguar në Kuvend ndonjë vendim që është marrë dhe të nënshkruar nga Kryetarja dhe Nënkryetari i KQZ-së, për ndarjen e mandateve, pasi siç dihet nuk është arritur konsensusi. Tre anëtarët e KQZ-së, Biba, Shtylla dhe Jani nuk kanë pranuar të votojnë projektvendimin e hartuar nga administrata e KQZ-së, pasi kanë kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme, lidhur me numrin e popullsisë në Qarkun e Kukësit, kërkesë kjo që nuk është plotësuar. Për të kapërcyer këtë mosmarrje të vendimit për ndarjen e mandateve, Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi,  në datën 7 janar 2013, me numër prot. 55 lëshon një autorizim, në të cilën thuhet: “ Në mbështetje të nenit 25, pika 3 të Rregullores së brendshme për organizimin dhe funksionimin e Administratës së KQZ-së, autorizoj zj. Aljona Mansaku me detyrë Sekretare e Përgjithshme e KQZ-së, të nënshkruajë shkresat që dalin nga KQZ-ja dhe iu drejtohen sekretarëve të Përgjithshëm të institucioneve të tjera”.

KQZ-ja nuk ka akoma Rregullore të Brendshme

Por, Nënkryetari i KQZ-së, bën me dije në “Telegraf” se, KQZ-ja nuk ka Rregullore të tillë, që sipas Kodit të ri, duhej të hartohej dhe miratohej 2 muaj pasi votohet në Kuvend, afat që ka përfunduar në 27 dhjetor. Nënkryetari i KQZ, Biba, pohon për “Telegraf”:  “Edhe pse kam kërkuar disa herë të vëmë në temë pune hartimin dhe miratimin e Rregullores së Brendshme, Kryetarja, zonja Lleshi nuk ka pranuar”. Pyetjeve të deputetëve të PS-së në Komisionin e Ligjeve, mbi kë nen të Kodit Zgjedhor u bazua që autorizoi Sekretaren e  Përgjithshme të KQZ-së të dërgonte në Kuvend informim, pa firmën e Kryetarit e Nënkryetarit të KQZ-së, zonja Lleshi, u përgjigj pa dhënë sqarime. Madje, Kryetarja e KQZ-së, Lleshi, nuk mundi të bindë askënd, përse Kuvendit nuk iu dërgua vendimi për mosmarrje vendimi për ndarjen e mandateve, sikundër ndodhi në të vërtetë.

Nënkryetari i KQZ-së kërkon rishqyrtimin e ndarjes së mandateve në KQZ, refuzon Rusmajli

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në Komisionin e Ligjeve kërkoi që, në bazë të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja të rishqyrtojë edhe një herë ndarjen e mandateve, pasi tani anëtarët e KQZ-së kanë informacionin e kërkuar për shtimin e numrit të popullsisë në Qarkun e Kukësit. Madje, zoti Biba, premtoi që rishqyrtimi në KQZ do të sigurojë edhe 5 votat e kërkuara për të marrë një vendim.  “Tani e kemi informacionin e duhur për ndarjen e mandateve”, shtoi Biba. Mirëpo, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, refuzoi këtë kërkesë, duke u argumentuar se është tejkaluar afati ligjor i parashikuar në Kodin Zgjedhor, që KQZ-ja mund të marrë vendim për ndarjen e mandateve. Rusmajli, tha: “ Kjo që kërkon tani është e pamundur, pasi çështja tashmë i ka kaluar Kuvendit”.  Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri e kundërshtoi argumentin e Rusmajlit, i cili tha se, me këtë vendimmarrje të Komisionit të Ligjeve,  zgjedhjet janë automatikisht të paligjshme. “Me këtë vendimmarrje që po bëni, me këtë njëanshmëri po i jepni që në fillim njollën këtyre zgjedhjeve. Kuvendi po luan si kasap politik për interesa të njërës palë”,- u shpreh Gjiknuri, duke sjellë shembullin e vendimit të KQZ-së, në zgjedhjet e 2009-s, ku KQZ-ja atë vendim e mori në 12 shkurt 2009, ndërsa Kuvendi bëri ndarjen e mandateve në 5 mars 2009. Rusmajli, si Kryetari i Komisionit të Ligjeve, duke dashur që gjithë përgjegjësinë ta ngarkojë te të tre anëtarët e KQZ-së që refuzuan të votojnë, tha, se duhet parë edhe mundësia e shkarkimit të tre anëtarëve të KQZ-së që nuk votuan, si përgjegjësi për moskryerjen e detyrës. Kjo ide, nuk gjeti përkrahje te askush.

Kërkohet nga minoranca mbledhja e KQZ-së me temë ndarjen e mandateve

Edhe pse Komisioni i Ligjeve vendosi me shumicën e votave të deputetëve të PD-së, që Kuvendi të bëjë ndarjen e mandateve për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013,  tre anëtarët e minorancës së KQZ-së, Biba, Shtylla dhe Jani kërkojnë, që në bazë të Kodit Zgjedhor, të bëhet mbledhja e KQZ-së, të hënën, datë 28 janar 2013, me rend dite: “Projektvendim: “Për caktimin e numrit të mandateve, për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013, duke dëshmuar dëshirën dhe vullnetin që në KQZ do të arrihet konsensusi për ndarjen e mandateve të deputetëve. Mbetet të provohet, nëse  KQZ-ja do të mblidhet sipas kërkesës së palës së minorancës dhe, më tej, nëse edhe Kuvendi do t’i japë edhe njëherë mundësinë që KQZ-ja të bëjë ndarjen e mandateve.