Komisioni i Ligjeve: 1 vit burg edhe atij që ndërton pa leje në tokën e tij

406
Sigal

Të gjithë personat që do të kryejnë ndërtim pa leje ose në shkelje të lejes do të dënohen me burgim nga 1 deri në 8 vite burg.
 
Një projektligj i miratuar sot nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve propozon disa ndryshime në Kodin Penal, që synojnë ashpërsimin e dënimeve ndaj personave që cenojnë regjimin juridik të tokës.
 
Propozimi i qeverisë për këtë vepër penale parashikon që në çdo rast ndëshkimi të jetë vetëm me burg, duke hequr mundësinë e aplikimit të dënimit me gjobë.
 
Nëse do të miratohen ndryshimet në Kodin Penal, atëherë në rast se shkelësi ka ndërtuar pa leje një banesë në truallin e tij do të dënohet me 1 vit burg dhe nëse ndërton banesën në një tokë tjetër atëherë do të dënohet nga 1 vit deri në 5 vite burg.
  
Më i rëndë do të jetë dënimi për ata që do të ndërtojnë objekte për qëllime fitimi në tokë publike. Projektligji i ri parashikon që për këtë shkelje dënimi minimal të jetë 2 vite burg ndërsa ai maksimal të jetë 8 vite.
 
“Ndërtimi apo punimi, i kryer pa leje, në shkelje të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar dhe në tokë të vet, dënohet me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitimi, në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet. Dispozitat e këtij neni zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve”, thuhet në nenin 2 të këtij pr/ligji, që parashikon riformulimin e nenit 199 të Kodit Penal.
 
Gjithashtu, këto masa ndëshkuese propozohet që të shqyrtohen nga një trupë me 3 gjyqtarë, ndryshe nga sa ndodh deri më sot që merren në shqyrtim nga një gjyqtar i vetëm. Kjo do të minimizonte mundësitë për të ndikuar në masën e dënimit.
 
E veçanta e propozimeve nga qeveria konsiston dhe në faktin e ndëshkimit për herë të parë të gjithë zinxhirit të personave që mundësojnë kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm, në sajë të financimit, të aftësive intelektuale apo të tjera specifike që duhen për të ekzekutuar një ndërtim a punim.