Komisioni Evropian: Anëtarësimi në BE, për Shqipërinë s’ka datë

458
Në samitin e 14 Shkurtit, Komisioni Evropian pritet që të miratojë strategjinë e zgjerimit, ndërsa në 2025 parashikohet që mund të integrohen disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. “Partnerët e Ballkanit Perëndimor tani kanë një shans historik. Për herë të parë perspektiva e tyre për integrim është në një interval të favorshëm. Me një vullnet të fortë politik, me reforma të vërteta dhe me zgjidhje afatgjata për mosmarrëveshjet mes fqinjëve, Mali i Zi dhe Serbia pritet të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025”, thuhet në shkrimin e Euobserver, që ka zbuluar pjesë nga strategjia që do të miratohet nga KE.

Për sa i përket Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Kosovës thuhet se duhet të kenë avancuar në rrugën e tyre drejt BE-së, që nënkuptohet pas negociatave, që pritet të hapen, të paktën për Shqipërinë në qershor. Në dokumentin e komisionit, shkruan gazeta, theksohet se mosmarrëveshjet mes vendeve në Ballkan mund të frenojnë integrimin. “BE nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe, prandaj të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin mosmarrëveshje të tilla si një nevojë urgjente”, thuhet në draft.
Sigal