Komisionet e vettingut, PS shkurton njerëzit dhe pagat

571
Pakësohen me 80 persona numri i stafit në strukturat që do të kontrollojnë prokurorët e gjyqtarët. Ulen edhe pagesat. PD-LSI kundër
Njerëzit e organeve që do të bëjnë kontrollin e figurës së prokurorëve e gjyqtarëve do të jenë më të pakët në numër dhe më pak të paguar. Të quajtur si njerëzit e vettingut, ata u shprehën dje të pakënaqur nga vendimi i Partisë Socialiste për të reduktuar numrin e stafit dhe nivelin e pagave të tyre. Të paktën ky ishte vendimi i djeshëm i socialistëve në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ndërsa pritet që Kuvendi të vendosë përfundimisht në seancën plenare. Vetëm Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit ra dakord me shkurtimin, duke rezervuar të drejtën për të kërkuar ndryshime kur të hartohet buxheti i vitit të ardhshëm pas pak javësh. Ndërsa dy organet e tjera, Kolegji i Apelimit dhe komisionerët publikë, e kundërshtuan propozimin e socialistëve, që ul me rreth 75 numrin e punonjësve në të tre organet. Në total, të tre strukturat e vetingut kishin kërkuar një staf me 180 njerëz, por pak më tepër se gjysma e tyre u miratuan nga deputetët. 

Kërkesat
“Nuk kemi vënë asgjë për luks. Duam një strukturë që të jetë procesi më efikas. Po e reduktuat dhe e çoni në këtë numër Kolegjin e Apelimit, po cenoni pavarësinë, procesin efikas të punës së Kolegjit të Apelit. Populli i ka sytë tek ne”, tha para deputetëve, Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ndërsa kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo, duke theksuar pamjaftueshmërinë e kohës për një vendim formal mes 12 anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, u shpreh e hapur për ndryshimet në strukturën e propozuar në draftin e parë. “Jemi shumë dashamirës dhe do të donim të fillonim menjëherë punën, si stad i parë i këtij procesi, duke mos dashur më shumë vonesa. Jemi zgjedhur në 17 qershor, ka kaluar edhe 17 shtatori e jemi të predispozuar të fillojmë menjëherë punën. Gjykojmë se nuk na cënohet ajo çfarë ne mendojmë se na ndihmon në procedurat tona reale. Në nëntor, kur të bëhet projektbuxheti ne gëzojmë të drejtën të rikthehemi në këtë komision”, tha Bungo. Kritik me shkurtimet ishte edhe komisioneri publik. “Nga një shikim që i bëmë projekt-strukturës së propozuar nga relatorja, shikojmë që ka një shkurtim me 50% të personelit të kërkuar nga ana jonë, shikojmë një shkurtim të muskulit të këtij organi, që është njësia e shërbimit ligjor, nga 12 këshilltarë juristë dhe ekonomistë, kemi arritur në 6”, u shpreh komisioneri publik, Florjan Ballhysa, i cili i kërkoi Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për të riparë edhe një herë kategorizimet e pagave të anëtarëve të komisioneve të rivlerësimit në lidhje me frymën e vendimit të Gjykatës Kushtuetuese.

Pagat
Shkurtimi i numrit të punonjësve nuk ishte e vetmja e pakënaqësi e Partisë Socialiste. Bashkë me numrin, socialistët nuk kanë pranuar as propozimin e tre institucioneve për një pagë shumë të lartë të njerëzve që do të bëjnë vettingun në Shqipëri. Të paktën për këtë vit ata do të paguhen me rreth 1/3-n e shumës që kishin propozuar, ç’ka solli debat mes qeverisë dhe opozitës. “Kërkohet që një komisioner publik të marrë 10 milionë lekë të vjetra në muaj, ndërsa Kolegji i Apelimit ka ardhur këtu dhe kërkon një pagë 11 milionë të vjetra për person në muaj”, tha deputetja socialiste, Vasilika Hysi. Kundër këtij opinion kanë reaguar demokratët. “Kemi ngritur një strukturë antimafia, sepse presupozohet që këta zotërinj bashkë me stafin e tyre dhe me të gjitha risqet që do të marrin përsipër, do të shkojnë tek thelbi i mafias që e ka mbytur këtë vend. Sot, të flasim sesa kushton puna e tyre, e dinë ata sesa u dhemb shpirti që merren me këtë punë. Ata i kanë hyrë detit në këmbë”, u përgjigj Gent Strazimiri. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishin të njëjtin qëndrim për t’u dhënë organeve të vettingut gjithçka kërkojnë. Duke iu referuar përgjigjes nga Komisioni Evropian, demokratët propozuan edhe shtimin e njerëzve dhe fondeve, duke deklaruar se shkurtimi i strukturës dhe i pagave cenon efektivitetin e tyre dhe kompromenton procesin. Megjithatë, ky propozim nuk u pranua nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët janë shumicë në Komisionin e Ligjeve dhe Kuvend.
Rebelohet Saimir Tahiri
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, vazhdon të tregojë pakënaqësinë e tij ndaj kolegëve dhe Partisë Socialiste. Kjo është vënë re edhe gjatë mbledhjes së djeshme së Komisionit të Ligjeve, ku deputetët socialistë hodhën poshtë kërkesat e strukturave të vettingut për njerëz dhe paga. I vetmi prej deputetëve socialistë që nuk votoi për vendimin ishte Saimir Tahiri, i cili nuk ndryshoi qëndrim për mbështetjen e plotë financiare të organeve të vettingut.



Sigal