Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Donika Prelës

462
Sigal

Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e kryeprokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Sipas Komisionerit Publik, Prela, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë. “Komisioneri Publik, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, znj.

Donika Prela, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë. Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Donika Prela. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e IKP.