Komisioneri anti diskriminim denoncon shpërfilljen që Ministria e Shëndetësisë u bën fëmijëve me leuçemi

455
Sigal

Shoqatat “Together for Life” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerësojnë vendimin e
dhënë nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhur me fëmijët që vuajnë nga
sëmundja e Leucemisë.
Vendimi vjen pas kërkesës së bërë nga të dyja organizatat, në muajin gusht 2016, për të kryer një
hetim administrativ ex-officio, mbi diskriminimin e fëmijëve të sëmurë për shkak të mungesës së
barit L-Asparaginase në Pavionin e Onko-hematologjisë në Shërbimin e Pediatrisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë. KShH-ja dhe “Together for Life” vunë në lëvizje Komisionerin në korrik të vitit 2016. Gjatë kësaj kohe u denoncua mungesa e ilaçeve që rrezikonte jetën e fëmijëve me Leucemi ndërkohë, nga ana e saj Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë deklaroi se kishte bërë përpjekjet për të blerë medikamentet por nuk ishte bërë e mundur për shkak të dështimit të procedurave të prokurimeve. Në kërkesën drejtuar Komisionerit, të dyja organizatat argumentuan se, shkak i dështimit të procedurave mund të ishte edhe sasia shumë e vogël e barit (flakonëve) që kërkoheshin me fondin limit prej 294,712 lekë (pa TVSH), shumë e cila konsiderohet e vogël për kompanitë që të përfshihen në procedurat e blerjes. Në Vendimin nr. 196, dt. 29.12.2016, të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është
arsyetuar se: “Drejtoria e QSUT-së që nga periudha e dështimit të disa procedurave të prokurimit
për këtë bar ka qenë në dijeni se ky bar nuk ka qenë i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe
përsëri nuk ka marrë masat për të vënë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë për këtë mungesë apo
të merrte masa për sigurimin e këtij bari nëpërmjet donacioneve përpara se të shfaqej mungesa e
këtij bari dhe të bëhej publik lajmi nga organizatat Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe “Together
for Life” Komisioneri vlerëson se Drejtoria e QSUT-së për vetë kohën e gjatë që ka pasur në
dispozicion (periudha 2015 – 6.2016) duhet të kishte gjetur hapësirat institucionale dhe ligjore
(ashtu siç siguroi furnizimin pas datës 14.09.2016) për t’u siguruar pacientëve fëmijë
medikamentin në kohën e duhur. Në përfundim, Komisioneri ka vlerësuar se, praktika e ndjekur nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë duke mos bërë të mundur vënien në dispozicion të fëmijëve të medikamenteve mjekësore përbën diskriminim të tërthortë të fëmijëve që vuajnë nga sëmundja e Leucemisë në Pavionin e Onko-hematologjisë në Shërbimin e Pediatrisë si dhe rekomandoi që kjo Qendër, në të ardhmen të ketë në vëmendje sigurimin e medikamenteve mjekësore në kohë dhe sasinë e duhur. KShH dhe Together for Life shpresojnë që ky precedent i Komisionerit t’u shërbejë institucioneve publike të shëndetësisë për të reflektuar pozitivisht, për të gjithë ata paciente që sot nuk marrin shërbimin e duhur shëndetësor nga këto institucione. KShH falënderon Civil Rights Defenders për mbështetjen e ofruar për Klinikën Ligjore falas, në sajë të së cilës u mundësua kjo ndërhyrje pranë Komisionerit.