Komisionerët që (nuk) do të dënohen për manipulimet e votave

522
Sigal

KQZ-ja bën kallëzim penal selektiv ndaj numëruesve në atë qark që u prekën votat e PD-së

Me shumë pompozitet, KQZ-ja  publikoi se  do të  kallëzojë penalisht, me akuzën e braktisjes së detyrës, manipulimit të tabelave dhe tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve 50 komisionerë e numërues të Qarkut të Lezhës.

Kallëzimi penal i KQZ-së, “shashkë” politike

Do të ishte më e besueshme, që KQZ-ja këtë deklaratë ta kishte bërë nga zyrat e prokurorisë, pasi të kishte depozituar kallëzimin e saj penal kundër komisionerëve dhe numëruesve, të cilët, sipas KQZ-së kanë manipuluar votat.  Sepse, mund të ndodhë, që KQZ-ja të mos e bëjë kurrë kallëzimin penal në prokurori, për shumë shkaqe.  Megjithëkëtë, pyetja që mund të ngrihet, pas publikimit të  është: KQZ-ja do të dërgojë vetë komisionerët e numëruesit e Qarkut të Lezhës? A ka prova të tjera KQZ-ja edhe për numërues e komisionerë të qarqeve të tjera? Mos vallë, ky kallëzim penal i KQZ-së është selektiv? KQZ-ja me 4 anëtarë, ishte e para që shkeli Kodin Zgjedhor, derisa mori në shqyrtim kërkesat e subjekteve politike për ankimimet që kishin ata për manipulimet që ata pretendonin se u bënë në numërimin e votave. Kjo KQZ me 4 anëtarë nuk e ka tagrin që të vendosë se cilat kërkesa të subjekteve politike, që kishin subjekt manipulimin e votave,  duhet të pranojë apo rrëzojë. Kjo KQZ me 4 anëtarë, rrëzoi të gjitha kërkesat e partive të vogla,  si edhe të kandidatëve, si Dritan Prifti, i cili ka pretendime se iu vodhën 6.000 vota në Qarkun e Fierit dhe KQZ-ja me 4 anëtarë e shpërfilli këtë denoncim të Priftit, pa i dhënë mundësi të verifikohet. Madje, KQZ-ja rrëzoi edhe kërkesën eLSI-së për të bërë rinumërimin e votave në Qarkun e Kukësit,  kur Kolegji Zgjedhor e pranoi. Prandaj, është pak e besueshme që kjo KQZ me 4 anëtarë, me kallëzimin penal që do bëjë për komisionerët e numëruesit e Qarkut të Lezhës, të kërkojë transparencë dhe ca më pak, të arrihet ajo që pretendon Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi: “marrja e këtyre masave të shërbejë që nesër që komisionerët të jenë të përgjegjshëm për atë që ata marrin përsipër të bëjnë”.

Komisionerët e numëruesit zbatuan urdhrat partiake

Mund të besojë ndokush në Shqipëri, që komisionerët dhe numëruesit, çfarëdo veprimi të bërë kundër ligjit, e bënë nga vetja e vet? Askush. Dihet, që komisionerët dhe numëruesit në çdo QV e në të gjithë hallkat e administratës zgjedhore, deri në KQZ janë të emëruarit e partive politike, mbi një bazë të vetme: Besueshmërinë e verbër që duhet të tregojnë ndaj urdhrave partiakë, për të bërë, me çdo mënyrë e mjet, gjithçka në favor të partisë që e emëron. Që komisioneri e numëruesi manipuloi votat, këtë e bëri, sepse kështu e urdhëroi partia që e ka emëruar në atë hallkë të administratës zgjedhore. Atëherë, a mund të dënohet komisioneri dhe numëruesi, për manipulimin e votave, që bëri në favor të partisë së vet? Por, pyetja më e rëndësishme, është: A do të lejojnë partitë e mëdha, që të dënohen komisionerët e numëruesit e tyre, ngaqë i dhanë partisë votat, edhe pse të manipuluara? Zgjidhja e vetme  për transparencë në procesin zgjedhor, larg manipulimeve partiake të votave, është që Kodi Zgjedhor të përcaktojë që administrata zgjedhore, në të gjitha hallkat e saj të jetë apolitike, militantët partiakë të përjashtohen nga komisionerë e numërues votash.

Prokuroria, kur do shqyrtojë kallëzimin penal ndaj KQZ-së?

 A nuk është edhe kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, një si 50 komisionerët dhe numëruesit e Qarkut të Lezhës, për të cilët deklaroi se do të bëjë kallëzim penal, derisa ka marrë vendime të njëanshme partiake, si kryetare e KQZ-së? Është absurde, që Lefterie Lleshi, si Kryetare e KQZ-së të pretendojë se dëshiron transparencë në procesin zgjedhor, derisa vetë, me punën e deritanishme, ka dëshmuar se ka bërë gjithçka ka mundur, që të zbatojë thjesht urdhrat partiake. Lefterie Lleshi ka vepruar me të njëjtin zell e përkushtim politik ndaj urdhrave që ka marrë nga partia e saj, sikurse edhe komisionerët e numëruesit që zonja Lleshi, pretendon se do t’u bëjë kallëzim penal. Lefterie Lleshi, ishte ajo që me veprim antiligjor, dërgoi në Kuvend, ndarjen e mandateve, pa e marrë vendimin në KQZ, sikurse parashikon Kodi Zgjedhor. Lefterie Lleshi, është përgjegjësja kryesore e dështimit të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe identifikimit elektronik në Qarkun e Tiranës, duke shpërdoruar 4,3 milionë euro, ndaj edhe PS-ja i ka bërë kallëzim penal ndaj Lleshit e KQZ-së. Mirëpo, deri tani prokuroria nuk ka reaguar fare, duke u bërë palë me shkeljen e Kodit Zgjedhor.