Kolonel Zaimi: Simbolika e Ballit Kombëtar janë pendët e pulave e të gjelëve

877
Gazeta “Telegraf”, duke iu referuar qeleshes me shkabë, që u bë simbol i fitores së Kombëtares shqiptare në ndeshjen e futbollit me Armeninë në stadiumin e Elbasanit, si edhe polemikës politike që u ndez pas kësaj ndeshjeve, midis Ballistëve të sotëm dhe përfaqësuesve të veteranëve, të Frontit të Majtë dhe ish ushtrarakëve, organizoi forumin, duke shtruar për debat dy pyetje: 
1. Qeleshet me shkabë në stadiumin e Elbasanit, në ndeshjen e Kombëtares sonë, mos vallë simbolizojnë kthimin e Ballit Kombëtar si forcë politike historike?
2. Mos vallë ky simbolizim u bë nga Federata Shqiptare e Futbollit, që të ndihmojë Dukën, si kandidat për bashkinë e Durrësit, që të marre vota të së djathtës?
Në forumin e gazetës “Telegraf” debatojnë: Pëllumb Zaimi – kolonel në lirim, Adriatik Alimadhi – kryetari i Ballit Kombëtar, Marko Dajti – kryetari i Frontit të Majtë dhe Dalan Buxheli – sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve. 
Pëllumb Zaimi, kolonel në lirim: Simbolika e Ballit Kombëtar janë pendët e pulave e të gjelëve, ata ndërtojnë dhe monumentin “Baba Koteci”
Qeleshet që u përdorën nga tifozët në ndeshjen e Kombëtares Shqipëri- Armeni, nuk ka asnjë lidhje me atë që ballistët e quajnë simbolikën e tyre të nacionalizmit. Qeleshja është simbol karakteristik kombëtar nga Labëria, në Myzeqe, në trevat veriore në Kosovë e në Maqedoni. Simboli i Ballit Kombëtar është i marrë nga shqiptarët dhe nuk përfaqëson nacionalizmin, por pseudonacionalizmin. Ballistët e tradhëtuan kombin në Luftën e Dytë Botërore. Vetëm makiazhin dhe veshjen kishin nacionalistë, bëmat dhe veprimet i kishin tradhtare, bashkëpunuan me pushtuesit fashisto-nazistë. Të gjithë të ashtuquajturit nacionalistë në Ballin Kombëtar kanë bashkëpunuar me pushtuesit, u futën nën ombrellën pushtuese dhe nuk morën pjesë në luftë për çlirimin e Atdheut. S’ka asnjë formacion të organizuar të tyre, që të ketë bërë betejë kundër pushtuesve. Përfundimisht, dua të them se qeleshja është simbolikë shqiptare, jo balliste. Simbolika e Ballit Kombëtar janë pendët e pulave e të gjelëve, për të cilin ata, siç thuhet, ndërtojnë dhe monumentin “Baba Koteci”. Kuptohet, për karshillëk ndaj monumentit “Nënë Shqipëri”. Ballizmi ka shumë gjëra të përbashkëta me nazizmin dhe aspak me nacionalizmin. Shumica dërmuese e shqiptarëve nuk u lidhën me ballizmin, as gjatë luftës dhe as tani. 
Marko Dajti: Ballistët bashkëpunuan me pushtuesit, simbolet kombëtare i njollosën me turp
Përdorimi i qelesheve nuk ka asgjë të keqe, pasi është element i traditës shqiptare. Nuk duhet të ngatërrojmë faktin se këto elementë u përdorën nga Balli Kombëtar gjatë Luftës II Botërore. Historia flet se ata u paraqitën përpara popullit si nacionalistë dhe përfunduan në vegla dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve. Por për qëndrimin e ballistëve nuk ka faj as qeleshja dhe as shqiponja. Ballistët i kanë përdorur në të kaluarën dhe i kanë njollosur me turp. Shqiptarët duhet të jenë krenarë për simbolet e tyre dhe t’i përdorin pa frikë kudo. Nuk besoj se ka lidhje me Dukën. Qeleshet janë shfaqur edhe në ndeshje të tjera të Kombëtares. Është teori shumë konspirativiste për të qenë e besueshme. Ne dhe Ballin Kombëtar na ndan një kundërshti e hapur. Së pari, për qëndrimin gjatë Luftës Antifashiste. Ne ishim të rreshtuar në anën e Aleatëve dhe luftuam për lirinë e popullit, ata ishin të rreshtuar në anën e Boshtit dhe luftuan me armë përkrah pushtuesve nazistë. Udhëheqësit e sotëm të kësaj force politike duhet të kërkojnë falje për krimet që kanë kryer kundrejt popullit përkrah bishës naziste dhe, vetëm pas këtij “katarsisi”, mund të pretendojnë të jenë pjesë e politikës së sotme. Justifikimet për bashkëpunimin me gjermanët si “politikë nacionaliste”, janë tepër të turpshme. Të tilla justifikime i përdorën bashkëpunëtorët e nazizmit edhe në vende të tjera, por u dënuan nga gjyqet e ngritura menjëherë pas luftës. Uniteti ndërmjet shqiptarëve do të jetë i brishtë për sa kohë kriminelët e luftës shiten si patriotë, sepse vetë fjala “patriotë” nuk do të mbajë kuptimin e duhur, nëse nuk do të çlirohet nga plehrat e historisë.
Adriatik Alimadhi: Qeleshja me shqiponjen dykrenore, simbol i identifikuar nga Balli Kombëtar i Mid’hat Frashërit
Qeleshet në stadium, po, ishte një identitet i plotë kombëtar. Simboli i Ballit, simboli i Kombit. Partia Balli Kombëtar nderon dhe vlerëson si ndër më të çmuarit, kontributin e përfaqësueses sonë të futbollit për lartësimin e frymës dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Shprehim vlerësim të veçantë për simbolin që u riktheu sot shqiptarëve, qeleshen me shqiponjën dykrenore, simbol i identifikuar së pari nga Balli Kombëtar i Mid’hat Frashërit. Partia Balli Kombëtar u bën thirrje të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, të shfaqin me krenari para gjithë botës, identitetin, gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare shqiptare. Sot, më shumë se kurrë është epoka e identitetit kombëtar. Shqiptarë bashkohuni! Krenar për kombëtaren, për të gjithë futbollistët, falenderim dhe vlerësim për të gjithë shqiptarët që e vendosën në stadium nga të gjitha trevat shqiptare këtë qeleshe shqiptarësh që simbolizon jo Ballin, por Kombin Shqiptar, përçmim për ata që nuk e vendosën, që dikur baballarët e tyre nuk lanë sendyq pa kontrolluar dhe vranë dhe pushkatuan mijra shqiptarë, vetëm sepse këta shqiptarë donin këtë simbol kombëtar shqiptar, qeleshen me shkabën dykrenore. Është simbol i kombit shqiptar dhe sigurisht qe Balli e kishte obligimin dhe për këtë, u krijua të mbronte dhe t’i ruante këto simbole shqiptare dhe kur doli si alternativë nuk doli si komunë apo bashki, ose elitë e shkëputur nga trungu kombëtar, asnjë nga këto, por doli me element tërësor kombëtar dhe lidhi kontratën më të madhe dhe më të sigurtë me të gjithë shqiptarët dhe tha se pa Kosovë dhe Çamëri nuk ka Shqipëri! Krenar për gjetjen e duhur dhe ekzistencën e tij, personalisht krenar për vazhdimësinë dhe mbështetjen e shqiptarëve dhe ndërgjegjësimit të identitetit kombëtar. Respektin më madhor për kombëtaren shqiptare dhe kapitenin e saj Lorik Cana për aktin vllazëror dhe patriotik. Së dyti, në lidhje me Ballistin që hodhi dronin, nuk di a është i tillë, nuk është diçka që e ka organizuar Balli Kombëtar, ajo nuk është e Ballit Kombëtar. Mendoj më shumë një skenar, më duhet të sqaroj për të gjithë shqiptarët se nacionalizmi shqiptar nuk provokon dhe fut në nxitje dhe urrejtje, është një marrëdhënie rregulli dhe mirëkuptimi. Falenderoj sinqerisht presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Duka, ta falenderoj për mbështetjen dhe ndërgjegjësimin kombëtar të ekipit kombëtar të futbollit, e ka pasur dhe do ta ketë mbështetjen e Ballit Kombëtar për këto merita. Përsa i përket kandidimit të vëllait të tij, Agron Duka në Bashkinë e Durrësit, kjo është çështje e PD-PR, mendoj se i përket vazhdimësisë. Nuk përçan unitetin e shqiptarëve besoj se i afron më shumë dhe unifikohet identiteti kombëtar dhe për këtë kam një mesazh për të gjithë. Shqiptarë bashkohuni është epoka e identitetit kombëtar.
Dalan Buxheli: Ballistët e sotëm të kërkojnë falje popullit shqiptar për atë turp dhe krime, që kanë bërë gjatë LANÇL
-Jo, nuk kishte atë simbol, sepse ato qeleshe perceptonin flamurin kombëtar dhe ndeshja ishte e përfaqësues kombëtare të Shqipërisë dhe as shkaba në qeleshe nuk sjell simbolin e Ballit Kombëtar, në asnjë mënyrë. Aty u perceptua nderi, respekti i Flamurit Kombëtar shqiptar dhe mbështetja, që iu dha Kombëtares së Shqipërisë në fitoren e saj. Ndërsa është abuzim ajo që duan t’i bëjnë kësaj ngjarjeje, kur pretendojnë se qeleshet me shkaba në ndeshjen e Kombëtares ishin simbol i Ballit Kombëtar. Nuk mundet të tjetërsohet, ajo kishte vetëm simbolin e respektit për Flamurin Kombëtar dhe mbështetjen për Kombëtaren e Shqipërisë nga të gjitha trevat shqiptare. Të gjithëve na entuziazmon dhe na bën krenarë që Kombëtarja jonë nuk ka humbje, por 2 fitore. Edhe ballisti që ngriti dronin në Beograd, asnjëherë nuk ka thënë, që e ngriti për Ballin Kombëtar. Ai ka deklaruar se ngriti për nder të dy figurave të ndritura të historisë: Ismail Qemalin e Isa Buletinin. Këtyre të Ballit Kombëtar të sotëm, do t’iu thosha, që po të ishte mirë, po ta ndjenin se vërtet donin kombin, në LANÇL, kur u bë thirrja që të bashkoheshin të gjithë dhe të luftonin pa dallim, ideje, krahine, feje, ballistët u bashkuan me pushtuesit dhe luftuan me ata, duke vrarë e djegur popullin shqiptar. Ballistët e sotëm duhet të mbyllin gojën dhe t’i kërkojnë falje popullit shqiptar për atë turp dhe krime, që kanë bërë gjatë LANÇL ndaj popullit shqiptar. Pinjollët e tyre janë edhe sot që duan të abuzojnë me simbolet kombëtare. Qeleshet nuk u bënë për konsum elektoral, sepse Agron Duka është burrë i zgjuar dhe nuk bie në këto kurthe të tilla provokative. 
Sigal