Kokfortësia e Kryeministrit të bëjë zgjedhje, të çon në përplasje civile

482
Sigal

Reagimi i Presidentit të Republikës është tërësisht i ligjshëm dhe brenda konceptit dhe frymës kushtetuese. Kryeministri nuk e ka tagrin kushtetues të zhvillojë zgjedhje, pa datë të dekretuar nga Presidenti. Parlamenti nuk ka fuqi kushtetuese të shkarkojë Presidentin në mungesën e Gjykatës Kushtetuese

Sokol Hazizaj, konstitucionalist

 

Reagimi i Presidentit të Republikës në vështrimin formal dhe juridik është tërësisht i ligjshëm dhe brenda konceptit dhe frymës kushtetuese

 

Kryeministri, nuk ka tagër kushtetues dhe nuk mundet zhvillojë zgjedhje pa datë të dekretuar nga Presidenti

 

 

Sokol Hazizaj, konstitucionalist në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Kryeministri (Rama) nuk e ka tagrin kushtetues që të zhvillojë zgjedhje pa dekretin e Presidentit të Republikës. Hazizaj argumenton se dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve pranuar në mënyrë bindëse, detyruese dhe shteruese, ndërsa Parlamenti nuk ka tagrin kushtetues të veprojë kundër dekretit të Presidentit, në mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

 

-Zoti Hazizaj, A ka kompetenca Kushtetuese Presidenti i Shqipërisë të anulojë datën e zgjedhjeve pa marrëveshje nga palët politike?

– Në situatën e krijuar domosdoshmërish palët duhet të ulen në dyshemenë kushtetuese, për të kuptuar se sa larg këto vite janë larguar, duke e keqinterpretuar atë, pse jo duke e denigruar pafundësisht duke filluar që nga viti 2008. Në këtë kuptim, duhet jo vetëm pritur argumenti apo arsyetimi juridik i aktit të Presidentit të Republikës, por duhet pranuar në mënyrë bindëse, detyruese dhe shteruese, siç është dhe blanket në nenet 1,1 dhe 92. gj të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parashikimi i nenit 1.1 i Kodit zgjedhor. Në mënyrë të shkurtër dhe saktë duhet pranuar se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike, detyrime të cilat zgjidhen me akt normativ, të llojit të dekretit të Presidentit të Republikës. Parë në këtë vështrim, ky detyrim përmban në vetvete koordinimin e garancisë juridike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur nëpërmjet të drejtës së të gjithë qytetarëve që kanë arritur moshën ligjore. Kjo frymë nuk përjashton asnjë prej organeve të cituara në Kushtetutë, që nëpërmjet akteve të tyre detyruese të ngelen pa reaguar në formën dhe përmbajtjen e duhur. Kështu, duhet parë së paku dhe nisma e Presidentit të Republikës me aktin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve. Nuk duhet ngatërruar nocioni i barazisë përpara të drejtës zgjedhjeve dhe në zgjedhje me rezultatin e tyre. Kjo e dyta e pranon masën mbi të cilin vendoset kush duhet dhe do të qeverisë, ndarë e para, pra garancia juridike për të zgjedhur apo marrë pjesë në barazi nuk ka masë, përveç se është e drejtë e kujtdo. Çdo interpretim tjetër është i padrejtë dhe jo proporcional. Sa më sipër reagimi i Presidentit të Republikës në vështrimin formal dhe juridik është tërësisht i ligjshëm dhe brenda konceptit dhe frymës kushtetuese.

A mundet dot Kryeministri dhe kryetari i mazhorancës të zhvillojnë zgjedhjet, edhe pse Presidenti i Shqipërisë i ka anuluar?

– Nisur nga koncepti kushtetues dhe ligjor, Kryeministri, në rolin e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, ndihmon ose dëmton administrimin e procesit zgjedhor, detyrime të parashikuara në nenet 4 dhe vijues të Kodit zgjedhor, por në asnjë rast, nisur nga pozicioni hierarkik në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nuk mundet dhe nuk ka as sesi të zhvillojë zgjedhje pa datë, të lidhur me një akt që nuk është kompetencë e tij. Por nga ana tjetër, domosdoshmërish duhej që faktorët politik të njoftoheshin, në se nuk janë njoftuar, për çdo përpjekje në ndryshim. Kjo është më tepër politike, se sa ligjore. Në fund të fundit procesi zgjedhor duhet kuptuar si detyrim dhe garanci ndaj të drejtës së shtetasve apo zgjedhësve, se sa e drejtë e politikbërësve. Ndaj ekzistojnë organet me detyrat e tyre funksionale dhe ligjore. Në pamundësi të ushtrimit dhe prej njërit prej tyre, Kushtetuta ka zgjidhur si gjithmonë konfliktin nëpërmjet akteve ligjore. Në rastin konkret këtë ka bërë, ka ndarë rolet ligjore, sigurisht dhe përgjegjësitë në përcaktimin e datës, administrimit dhe rezultatit.

– Ka kompetenca Kushtetuese Parlamenti të anulojë dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve?

– Në kuptimin kushtetues, parlamenti nuk e ka tagrin të ushtrojë kompetencën si me aktet e tjera nominal të Presidentit të Republikës. Kushtetuta i ka ndarë në mënyrë të qartë kur dhe si ndërhyn Kuvendi i Shqipërisë mbi aktet dhe cilat prej tyre, të prodhuara nga Presidenti Republikës. Mund të ketë të tjera nisma, të cilat, do të kërkonin ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.

– Anulimi i datës së zgjedhjeve nga President i Shqipërisë pa marrëveshje me palët politike a përbën precedent që Parlamenti të kërkojë shkarkimin e Presidentit të Republikës?

– Kushtetuta në përmbajtjen e saj, veçanërisht në nenet 90 dhe 91 të saj jep rastet kur Presidenti shkarkohet, fakt i cili kërkon domosdoshmërish ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese

-. Nëse palët politike nuk pajtohen për datën e re të zgjedhjeve a mundet Presidenti i Shqipërisë të shpërndajë parlamentin e të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare?

– Vazhdoj t’i qëndroj fort faktit të kahershëm, që politikanët tanë konfliktin e kanë pjesë të marrëveshjes.

– Faleminderit!

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, Ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve

Kryeministri ka bindur edhe të “pabindurit” se është stoik në realizimin e dëshirave të tij, por mendoj se nuk mund t’i binden institucionet që organizojnë e monitorojnë procesin zgjedhor. Çdo kokëfortësi për të zhbërë dekretin, e Presidentit, i cili anulon datën e zgjedhjeve në 30 qershor, do ishte aventurë politike

Kokëfortësia e kryeministrit për të zhvilluar zgjedhjet në 30 qershor është Përplasje Civile

 

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se dekreti i Presidentit të Republikës, në mungesën e Gjykatës Kushtetuese është normë kushtetuese e detyrueshme të respektohet dhe të zbatohet nga palët politike dhe institucionet kushtetuese ligjzbatuese që monitorojnë procesin zgjedhor. Prof. Sherifi pohon se kokëfortësia e kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhjet, të cilat janë anuluar me dekretin e Presidentit janë aventurë politike që çojë në përplasje civile. Prof. Sherifi shpjegon se aktualisht parlamenti nuk ka tagrin kushtetues të shkarkojë Presidentin e Shqipërisë, pasi vendimi duhet të merret nga Gjykata Kushtetuese, e cila mungon.

-Prof. Sherifi, Presidenti Meta anulon zgjedhjet. Reagimi i Kryeministrit Rama është se zgjedhjet do zhvillohen në 30 qershor. Cila logjikë do fitojë?

– Pyetja është intriguese dhe situata politike Institucionale e krijuar dhe e rënduar nga dita në dite, pas largimit të opozitës nga parlamenti, më kujton diskutimin e Fan Nolit, që Rama e ka qejf, e mundohet t’i ngjasojë. Noli diskutimin e bëri në Asamblenë Kushtetuese më 1924. Ai ishte asamblist dhe trajtoi me sarkazmin e tij të hollë situatën e krijuar në seancat e Asamblesë Kushtetuese, e cila ishte zgjedhur në dhjetor 1923 për të miratuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk merrej me të, por me vjedhjet e zgjedhjeve. Në fjalën e tij Noli trajtoi situatën politike, përmes pesë anarkive të shqiptarëve. Sipas Nolit, shqiptarët nuk besojnë në fe, se janë pagane. Shqiptarët ishin në anarki sociale. Nuk kishte bejlerë, as bujq e burzhuaze, pra borgjez/qytetarë. Kjo situatë absurde kishte sjellë anarkinë morale, ku brenda natës tradhëtori bëhej patriot e patrioti shpallej tradhëtor. Nga ajo situatë sureale përfitonin njerëzit pa ide e ideale dhe përfitonin ata që Noli i quajti antropofagë, paranjerëzor që ishin kapur pas kolltukut, pra kolltugofagët që ishin gati të digjnin Shqipërinë për të mos lëshuar karrigën. E kishte fjalën për kryeministrin Zog! Ngjarjet e qershorit 2019 më duken identike me ato të qershorit 1924, kur Noli me 41 asamblistë u larguan nga Asambleja Kushtetuese dhe u bë katrahura politike, që historianët e kanë quajtur me naivitet kushtetues Revolucioni Demokratik i Qershorit, sepse nuk e njohin shtetin e së drejtës dhe mbronin ideologjinë e kohës. Se çfarë ka qenë ajo ngjarje, e trajtoj me fakte dokumentare në librin që po shkruaj. Ajo ishte anarkia politike që i dha fund jetës politike kushtetuese e institucionale dhe në përmbajtje ngjan si dy pika uji me ngjarjet e sotme. Presidenti i Republikës deklaroi se do anuloj zgjedhjet vendore të 30 qershorit me argumente që do i bëj të ditura ditën e sotme. A ka të drejtë ? Kush do e gjykojë vendimin e tij? Se Shqipëria është në anarki Kushtetuese e Institucionale. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, e cila është i vetmi organ i legjitimuar nga Kushtetuta të bëjë interpretimin. Dikur bëhej interpretimi autentik-thuhet në jurisprudencë. Këtë interpretim e bënte ligjbërësi, parlamenti, po i përkiste formalisht shtetit të Diktaturës së Proletariatit. Ky interpretim nuk bëhet në Shtetin e së Drejtës, që prej 1920 kur filozofi i së drejtës Hans Kelzeni krijoi Gjykatën Kushtetuese. Tashmë dekreti do prodhojë efektet juridike dhe zgjedhjet nuk mund të zhvillohen. Interpretimi i kryeministrit është i mendësisë partiake, ka vetëm vlerë propagandistike.

– Nëse Kryeministri Rama nuk tërhiqet nga deklarata, mendoni se mund të zhvillohen zgjedhjet, edhe pse Presidenti i anulon?

– Kryeministri ka bindur edhe të “pabindurit” se është stoik në realizimin e dëshirave të tij, por mendoj se nuk mund t’i binden institucionet që organizojnë e monitorojnë procesin Zgjedhor të zgjedhjeve vendore. Çdo kokëfortësi për të zhbërë dekretin, e Presidentit, i cili anulon datën e zgjedhjeve në 30 qershor, do ishte aventurë politike.

– Ka rrezik që në 30 qershor të kemi Përplasje Civile?

-Kjo pyetje lidhet pazgjidhshmërisht me kokëfortësinë për të zhvilluar zgjedhjet. Nëse ndodh, do legjitimohet veprimi i opozitarëve që kundërshtonin zhvillimin e zgjedhjeve të cilët nuk do të lejonin ofrimin në qendrat e votimit dhe ajo do të ishte përplasja fizike që ju e emërtuat përplasje civile.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese tani cili institucion Kushtetues mund të vendosë për Dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e Zgjedhjeve?

– Mendoj se përgjigjen e kësaj pyetje e konsumova. Gjykatën Kushtetuese nuk mund ta zëvendësojnë as partia, as diplomacia. Mungesa e saj është thirrja ulëritëse sa e pastudiuar dhe diletante ka qenë ajo qe emërtohet me mburrje Reforma ne Drejtësi. Reforma ka lënë Shqipërinë pa institucionet që e identifikojnë shtetin me standardet e Shtetit të së drejtës. Jemi në Kushtet e anormalitetit eksperimental. Kjo është përgjegjësi direkt e komisionit të ligjeve në kuvendin e Shqipërisë dhe e gjithë klasës politike. Por, nuk mund të kërkojmë nga deputetet kapacitete juridike që nuk i kanë. Parlamenti ishte përplot me të inkriminuar, me diploma të blera e doktorë shkencash me plagjiatura.

– Dekreti i Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet pa konsensusin e partive a përbën precedent që Parlamenti të kërkojë shkarkimin e Presidentit?

– Kjo tezë u hodh që mbrëmë nga diletantët partiakë. Mendimi i tyre vërteton tezën e anarkive të Nolit. Parlamenti e ka kompetencën e shkarkimit të Kryetarit të Shtetit kur ka shkaqe që gjykohen si shkelje kushtetuese. Por Kushtetuta i ka dhënë kompetencë Gjykatës Kushtetuese ta verifikojë sa kushtetuese janë faktet. Rama ia ka lidhur vetë duart maxhorancës së krijuar me bindjen e ‘listarëve’ që ta shkarkojnë presidentin me 93 vota. Në situatën absurde të krijuar me vakumin e institucioneve kushtetuese Institucionale e vetmja zgjidhje mbetet marrëveshja politike. Sa kohë që kjo marrëveshje do të mungojë, kriza politike e Institucionale do të thellohet dhe kryeministri do shfaqet si monumenti kolltugofag i Nolit që e dëshiron anarkinë për keqqeverisje. Mendoj se ka mbërritur ora e zgjimit edhe në Partinë Socialiste.

– Avokat Ngjela mendon se parlamenti mund ta shkarkojë presidentin dhe Meta të ankohet në Gjykatën e Strasburgut?

– Nuk di sa avokat është në këtë rast Ngjela. Por, nëse e ka këtë mendim, është në lajthitje juridike. Shpjegova se parlamenti e ka kompetencën e shkarkimit të Presidentit, por, me mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe të një vendimi prej saj, Gjykata e Mbrojtjes të Drejtave të Njeriut nuk mund të investohet. Gjykata e Strasburgut vihet në lëvizje kur janë ezauruar të gjitha shkallet e gjykimit nga pushteti gjyqësor dhe kur është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese.

-Prof. Sherifi nëse palët politike nuk bien dakord për datën e re të zgjedhjeve lokale, në mungesën edhe të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Shqipërisë i a shpërndan dot Parlamentin?

– Mendoj se kjo procedure as duhet menduar. Prej këtij momenti, palët politike në konfliktin Institucional duhet të pranojnë se nuk ekzistojnë më zgjidhje juridike. Instrumenti i vetëm i zgjidhjes së krizës institucionale është dialogu politik dhe kompromisi e konsensusi politik.