Kokëfortësia e kryeministrit për të zhvilluar zgjedhjet në 30 qershor është Përplasje Civile

507
Sigal

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, Ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve

Kryeministri ka bindur edhe të “pabindurit” se është stoik në realizimin e dëshirave të tij, por mendoj se nuk mund t’i binden institucionet që organizojnë e monitorojnë procesin zgjedhor. Çdo kokëfortësi për të zhbërë dekretin, e Presidentit, i cili anulon datën e zgjedhjeve në 30 qershor, do ishte aventurë politike

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se dekreti i Presidentit të Republikës, në mungesën e Gjykatës Kushtetuese është normë kushtetuese e detyrueshme të respektohet dhe të zbatohet nga palët politike dhe institucionet kushtetuese ligjzbatuese që monitorojnë procesin zgjedhor. Prof. Sherifi pohon se kokëfortësia e kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhjet, të cilat janë anuluar me dekretin e Presidentit janë aventurë politike që çojë në përplasje civile. Prof. Sherifi shpjegon se aktualisht parlamenti nuk ka tagrin kushtetues të shkarkojë Presidentin e Shqipërisë, pasi vendimi duhet të merret nga Gjykata Kushtetuese, e cila mungon.

-Prof. Sherifi, Presidenti Meta anulon zgjedhjet. Reagimi i Kryeministrit Rama është se zgjedhjet do zhvillohen në 30 qershor. Cila logjikë do fitojë?

– Pyetja është intriguese dhe situata politike Institucionale e krijuar dhe e rënduar nga dita në dite, pas largimit të opozitës nga parlamenti, më kujton diskutimin e Fan Nolit, që Rama e ka qejf, e mundohet t’i ngjasojë. Noli diskutimin e bëri në Asamblenë Kushtetuese më 1924.

Ai ishte asamblist dhe trajtoi me sarkazmin e tij të hollë situatën e krijuar në seancat e Asamblesë Kushtetuese, e cila ishte zgjedhur në dhjetor 1923 për të miratuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk merrej me të, por me vjedhjet e zgjedhjeve.

Në fjalën e tij Noli trajtoi situatën politike, përmes pesë anarkive të shqiptarëve. Sipas Nolit, shqiptarët nuk besojnë në fe, se janë pagane. Shqiptarët ishin në anarki sociale. Nuk kishte bejlerë, as bujq e burzhuaze, pra borgjez/qytetarë.

Kjo situatë absurde kishte sjellë anarkinë morale, ku brenda natës tradhëtori bëhej patriot e patrioti shpallej tradhëtor. Nga ajo situatë sureale përfitonin njerëzit pa ide e ideale dhe përfitonin ata që Noli i quajti antropofagë, paranjerëzor që ishin kapur pas kolltukut, pra kolltugofagët që ishin gati të digjnin Shqipërinë për të mos lëshuar karrigën.

E kishte fjalën për kryeministrin Zog! Ngjarjet e qershorit 2019 më duken identike me ato të qershorit 1924, kur Noli me 41 asamblistë u larguan nga Asambleja Kushtetuese dhe u bë katrahura politike, që historianët e kanë quajtur me naivitet kushtetues Revolucioni Demokratik i Qershorit, sepse nuk e njohin shtetin e së drejtës dhe mbronin ideologjinë e kohës. Se çfarë ka qenë ajo ngjarje, e trajtoj me fakte dokumentare në librin që po shkruaj.

Ajo ishte anarkia politike që i dha fund jetës politike kushtetuese e institucionale dhe në përmbajtje ngjan si dy pika uji me ngjarjet e sotme. Presidenti i Republikës deklaroi se do anuloj zgjedhjet vendore të 30 qershorit me argumente që do i bëj të ditura ditën e sotme.

A ka të drejtë ? Kush do e gjykojë vendimin e tij? Se Shqipëria është në anarki Kushtetuese e Institucionale. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, e cila është i vetmi organ i legjitimuar nga Kushtetuta të bëjë interpretimin. Dikur bëhej interpretimi autentik-thuhet në jurisprudencë.

Këtë interpretim e bënte ligjbërësi, parlamenti, po i përkiste formalisht shtetit të Diktaturës së Proletariatit. Ky interpretim nuk bëhet në Shtetin e së Drejtës, që prej 1920 kur filozofi i së drejtës Hans Kelzeni krijoi Gjykatën Kushtetuese. Tashmë dekreti do prodhojë efektet juridike dhe zgjedhjet nuk mund të zhvillohen. Interpretimi i kryeministrit është i mendësisë partiake, ka vetëm vlerë propagandistike.

– Nëse Kryeministri Rama nuk tërhiqet nga deklarata, mendoni se mund të zhvillohen zgjedhjet, edhe pse Presidenti i anulon?

– Kryeministri ka bindur edhe të “pabindurit” se është stoik në realizimin e dëshirave të tij, por mendoj se nuk mund t’i binden institucionet që organizojnë e monitorojnë procesin Zgjedhor të zgjedhjeve vendore. Çdo kokëfortësi për të zhbërë dekretin, e Presidentit, i cili anulon datën e zgjedhjeve në 30 qershor, do ishte aventurë politike.

– Ka rrezik që në 30 qershor të kemi Përplasje Civile?

-Kjo pyetje lidhet pazgjidhshmërisht me kokëfortësinë për të zhvilluar zgjedhjet. Nëse ndodh, do legjitimohet veprimi i opozitarëve që kundërshtonin zhvillimin e zgjedhjeve të cilët nuk do të lejonin ofrimin në qendrat e votimit dhe ajo do të ishte përplasja fizike që ju e emërtuat përplasje civile.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese tani cili institucion Kushtetues mund të vendosë për Dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e Zgjedhjeve?

– Mendoj se përgjigjen e kësaj pyetje e konsumova. Gjykatën Kushtetuese nuk mund ta zëvendësojnë as partia, as diplomacia. Mungesa e saj është thirrja ulëritëse sa e pastudiuar dhe diletante ka qenë ajo qe emërtohet me mburrje Reforma ne Drejtësi.

Reforma ka lënë Shqipërinë pa institucionet që e identifikojnë shtetin me standardet e Shtetit të së drejtës. Jemi në Kushtet e anormalitetit eksperimental. Kjo është përgjegjësi direkt e komisionit të ligjeve në kuvendin e Shqipërisë dhe e gjithë klasës politike. Por, nuk mund të kërkojmë nga deputetet kapacitete juridike që nuk i kanë. Parlamenti ishte përplot me të inkriminuar, me diploma të blera e doktorë shkencash me plagjiatura.

– Dekreti i Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet pa konsensusin e partive a përbën precedent që Parlamenti të kërkojë shkarkimin e Presidentit?

– Kjo tezë u hodh që mbrëmë nga diletantët partiakë. Mendimi i tyre vërteton tezën e anarkive të Nolit. Parlamenti e ka kompetencën e shkarkimit të Kryetarit të Shtetit kur ka shkaqe që gjykohen si shkelje kushtetuese. Por Kushtetuta i ka dhënë kompetencë Gjykatës Kushtetuese ta verifikojë sa kushtetuese janë faktet. Rama ia ka lidhur vetë duart maxhorancës së krijuar me bindjen e ‘listarëve’ që ta shkarkojnë presidentin me 93 vota.

Në situatën absurde të krijuar me vakumin e institucioneve kushtetuese Institucionale e vetmja zgjidhje mbetet marrëveshja politike. Sa kohë që kjo marrëveshje do të mungojë, kriza politike e Institucionale do të thellohet dhe kryeministri do shfaqet si monumenti kolltugofag i Nolit që e dëshiron anarkinë për keqqeverisje. Mendoj se ka mbërritur ora e zgjimit edhe në Partinë Socialiste.

– Avokat Ngjela mendon se parlamenti mund ta shkarkojë presidentin dhe Meta të ankohet në Gjykatën e Strasburgut?

– Nuk di sa avokat është në këtë rast Ngjela. Por, nëse e ka këtë mendim, është në lajthitje juridike. Shpjegova se parlamenti e ka kompetencën e shkarkimit të Presidentit, por, me mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe të një vendimi prej saj, Gjykata e Mbrojtjes të Drejtave të Njeriut nuk mund të investohet. Gjykata e Strasburgut vihet në lëvizje kur janë ezauruar të gjitha shkallet e gjykimit nga pushteti gjyqësor dhe kur është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese.

-Prof. Sherifi nëse palët politike nuk bien dakord për datën e re të zgjedhjeve lokale, në mungesën edhe të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Shqipërisë i a shpërndan dot Parlamentin?

– Mendoj se kjo procedure as duhet menduar. Prej këtij momenti, palët politike në konfliktin Institucional duhet të pranojnë se nuk ekzistojnë më zgjidhje juridike. Instrumenti i vetëm i zgjidhjes së krizës institucionale është dialogu politik dhe kompromisi e konsensusi politik.

Gazeta “Telegraf”