Kokëdhima: Zgjidhja nuk gënjen popullin

438
Partia ZGJIDHJA mbajti mbledhjen e grupit kombëtar të drejtimit. Themeluesi dhe drejtuesi i partisë, Koço Kokëdhima, që në fillim të fjalës së tij deklaroi se ZGJIDHJA po punon për ndërtimin e kulturës së kësaj organizate politike. Draftet e para të dokumentave bazë të kulturës së Partisë do hartohen deri në konferencën kombëtare të muajit të ardhshëm.
“Ne jemi këtu për t’i dhënë popullit tonë ato që s’ja ka dhënë dhe njohur askush në të shkuarën, jemi këtu për t’i dhënë popullit tonë vendin dhe rolin e sovranit në një republikë kushtetuese dhe demokratike të munguar deri tani. Të drejtat që të marrë pjesë në qeverisje, që të zgjedhë vetë përfaqësuesit e tij, që të marrë vendime të rëndësishme drejtpërdrejt. Ne jemi këtu që ta demokratizojmë këtë vend dhe që t’u japim vlerë bashkësive parapolitike të këtij vendi, ose ndryshe partive politike duke i kthyer ato nga bashkësi bandash të kriminalizuara në bashkësi politike moderne dhe me vlera”- u shpreh Kokëdhima.
Kokëdhima u ndal edhe të zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimin që do të mbajë partia ZGJIDHJA. “Ne do luftojmë që Shqipëria të zgjidhë problemin e zgjedhjeve, të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme dhe me standarde si në të gjitha vendet e tjera të botës së qytetëruar e demokratike. Ne do të jemi modeli i një partie politike që nuk e gënjen popullin”, tha ai.
Gjatë mbledhjes u debatua edhe për përcaktimin e linjave strategjike që do të ndjekë partia ZGJIDHJA në dy vitet e ardhshëm . Në fund të takimit, u vendos që Konferenca e parë Kombëtare e partisë ZGJIDHJA të mbahet në Tiranë, më 10 qershor.
Sigal