Kokëdhima: Partitë të mblidhen në Bruksel për datën e re të zgjedhjeve

460
Ish-deputeti socialist bisedon me kreun e Kuvendit dhe shprehet se nuk mund të ketë votime parlamentare pa opozitën
Drejtuesi i lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, u takua sërish dje me kreun e Kuvendit dhe njëherësh kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Gjatë takimit 30-minutësh, të dytin brenda pak ditësh, u bisedua për aktualitetin politik dhe për rrugët e kapërcimit të krizës politike që po kalon vendi. Të dy bashkëbiseduesit theksuan sërish nevojën e dialogut mes palëve politike si dhe përsëritën qëndrimet e tyre se nuk mund të ketë zgjedhje parlamentare pa opozitën.

Drejtuesi i lëvizjes “Zgjidhja”, ashtu si dhe në javët e kaluara, është duke zhvilluar takime intensive me të gjithë drejtuesit e partive politike në vend në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike ku është futur vendi pas nisjes së protestës së opozitës më 18 shkurt dhe këmbënguljes së qeverisë për të shkuar në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit edhe pa opozitën.

Ndërkohë, në një intervistë për “Adria Net”, Kokëdhima tha se partitë duhet të mblidhen në Bruksel për reformën zgjedhore dhe datën e re të zgjedhjeve. “Populli shqiptar meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo të pranueshme”, tha ish-deputeti socialist.

Cili është këndvështrimi juaj lidhur me lëvizjen e LSI-së që nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën?
“Unë kam folur për Lëvizjen Socialiste për Integrim, përpara se sa të deklarohej vetë LSI-ja. Unë jam deklaruar dy herë, para se ata të LSI-së të deklaronin zyrtarisht qëndrimin e tyre, jo se kisha ndonjë informacion, as se isha pjesë e ndonjë diskutimi konspirativ, por se bazohesha në logjikën e politikës dhe në logjikën e ftohtë në të cilën duhet të analizojmë zhvillimet e vendit. E kam deklaruar se LSI-ja nuk mund të futet në zgjedhje pa opozitën. Po e deklaroj sot përsëri këtu. Është marrëzi të mendosh se mund të bëhen zgjedhje pa opozitën. Nuk do të bëhen zgjedhje pa opozitën në Shqipëri. Nëse lidershipi i PS-së dhe qeveria mendojnë që të ngulin këmbë dhe të insistojnë për të bërë zgjedhje pa opozitën, kjo është një kosto shumë e madhe për vendin, për shoqërinë dhe për PS-në, që ka përgjegjësinë e qeverisjes dhe të koalicionit. Pa opozitën nuk shkohet në zgjedhje, është njësoj sikur ta çosh vendin në katastrofë, në përpjasje të mëdha sociale, në destabilizim, drejt izolimit nga investimet dhe drejt rrënimit, dhe këto nuk mund të ndodhin. Kështu që LSI-ja, në dijeninë time dhe në vlerësimin tim me aq njohuri sa kam për këtë parti nuk mund të marri përsipër kosto të tilla, por as nuk mund të jetë e pa përgjegjshme që t’i bashkohet një rrugë të tillë që është rrugë e minuar, nuk është rrugë paqësore”.

Në këtë realitet që jemi, cila është, sipas jush, zgjidhja ideale për të kaluar këtë krizë politike?
“Në një fjalim kam deklaruar se populli shqiptar në këtë tranzicion të gjatë, të dhimbshëm dhe të vështirë, vazhdon të ndihet akoma në udhëkryq. Dhe kjo është një nga arsyet pse e kemi iniciuar lëvizjen “Zgjidhja” për të ndihmuar daljen nga ky tranzicion dhe instalimin e një demokracie të vërtetë funksionale kushtetuese në Shqipëri. Për sa i përket çështjes së krizës aktuale më vjen shumë keq që PS-ja nuk është në pozitën që duhet të ishte. Dhe kjo ndodh sepse lidershipi i saj ka konflikt interesi. Lidershipi i saj dhe kryesia e Partisë Socialiste dominohen nga një grusht ministrash dhe nga kryeministri, për të cilët nuk kam asnjë ngarkesë negative, sepse i çmoj si miq. Por dëshiroj të them mendimin tim të vërtetë që i shërben dhe atyre në terma afatgjatë, pavarësisht se si mund ta kuptojnë ata dhe interesat e ngushta pragmatiste të tyre, se nuk janë në gjendje të shikojnë situatën, të shikojnë larg dhe të marrin vendimet që janë në interes të Shqipërisë. Partia Socialiste do të duhet të ishte shprehëse, zëdhënëse dhe përfaqësuese e aspiratave të socialistëve të bazës dhe qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë. Kush i do zgjedhjet e lira? Kush digjet për zgjedhjet e lira? Saliu dhe Partia demokratike? Jo! As lidershipi i Partisë Socialiste? Jo! Sepse është e vërteta e këtyre 20 vjetëve që tregon se të dy këto palë, të dy këto ekipe udhëheqëse kanë bërë krime elektorale, janë përfshirë në vjedhje, manipulime dhe trafikim votash në Shqipëri. Kjo nuk është akuzë, nuk dua as të akuzohet njeri, por është thjeshtë raportim. Unë flas këtu me dijet që kam për të vërtetat e jetës. Nuk i interesojnë banorëve të kësaj toke, manipulimet e zgjedhjeve. Nuk i duan socialistët zgjedhjet e pandershme, nuk i duan demokratët e thjeshtë zgjedhjet e pandershme. Nga zgjedhjet e manipuluara, të deformuara, trafikuara dhe pa standarde, përfitojnë vetëm 50 vetë, një grusht njerëzish dhe humb i gjithë populli”. 

Si mund të dalim nga kjo situatë?
“Pa asnjë modesti, me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe me vizion, “Zgjidhja” dhe unë jemi deklaruar të parët në Shqipëri, se iniciativën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri duhet ta marr në duar PS-ja, koalicioni dhe qeveria. Këta nuk e morën në duart e tyre, sepse u sollën si qeveria e Saliut në të shkuarën”. 

Ju jeni për qeveri teknike?
“Unë jam që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë, si i kanë mashtruar gjithë jetën e tyre. 26 vjet mashtrime konsumon populli nga këto elita politike që nuk përtërihen, që janë po të njëjtët, të pavdekshëm, janë si hajlandera. Ja aty do të rrinë 50-100 vjet, nëse nuk do të ndërrohen. Pse? Sepse ky vend nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë që ne kemi nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ky është themeli i shteti dhe demokracisë”.

Cili është vizioni juaj për ta zgjidhur këtë ngërç?
“Padyshim që kriza që kemi aktualisht do të sjellë një zhvillim. Problemi është a do sjellë gjënë e duhur? A do sjellë standardet e plota për zgjedhjet? Apo do të sjellë prapë zgjedhje të pranueshme? Më acarojnë deklaratat e reporterëve të OSBE/ODIHR-it në çdo palë zgjedhje kur thonë se janë zgjedhje të pranueshme. Populli shqiptar nuk do dhe nuk meriton zgjedhje të pranueshme, nuk meriton standarde gjysmake për zgjedhjet, nuk meriton standarde inferiore dhe kalimtare. Populli shqiptar meriton zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme si çdo vend i civilizuar në Evropë, në SHBA dhe në botë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, veçanërisht militantët e PS-së dhe PD-së, që të ndjekin me vigjilencë gjithë këto ngjarje që po ndodhin, gjithë këtë krizë që po zhvillohet dhe të kërkojnë që nga kjo krizë të merret produkti i duhur, të zgjidhet përfundimisht problemi i zgjedhje me standarde si në të gjitha vendet e civilizuara”.

Si e vlerësoni qëndrimin e ndërkombëtarëve në momentin aktual, në kushtet e kësaj krize?
“Kur flasim për ndërkombëtarët ne kemi parasysh diplomacinë dhe institucionet e Bashkimit Evropian, në radhë të parë, pastaj kemi parasysh SHBA-të si partner prioritar strategjik i Shqipërisë dhe në radhë të tretë kemi gjithë mjedisin tjetër ndërkombëtar. Por këto dy të parat janë thelbësore në kuptimin e ndikimit politik, në politikën zyrtare të Shqipërisë. Politika jonë duhet të jetë në gjendje ta sensibilizojë Bashkimin Evropian që të luajë rolin e duhur përpara se këtu të ndizet flaka. Sepse kemi shumë përvoja nga këto 26 vite dhe ne nuk duhet të presim që kur të ndizet zjarri në Tiranë dhe në Shqipëri, ata të vijnë me zjarrfikësit dhe me kapacitetet tyre dhe të shuajnë zjarret këtu. Shqipëria i ka të gjitha kushtet që t’i zgjidhë problemet e veta me burimet e saj. Dhe unë do të propozoja që sot partitë politike që janë të interesuara për zgjedhjet në Shqipëri të krijojnë një delegacion dhe të shkojnë në institucionet e Bashkimit Evropian, në Bruksel dhe të diskutojnë Reformën Zgjedhore, datën e re të zgjedhjeve. Duhet të ndërgjegjësojnë edhe BE që situata që kemi në Shqipëri është me shumë rreziqe dhe nuk mund të zgjidhet me rekomandimet e ambasadorëve, me deklarimet me shumë kuptime, ose me ato deklarimet me arra në gojë, derisa këtu të ndizet zjarri. Situata dhe vendi po shkojnë drejt destabilizimit. Kush nuk ka mendje të kuptojë, sy që të shikojë dhe nuk ka logjikë që të kuptojë nuk mund ta vërë re këtë që them unë. Kur unë shoh sot akoma që ka shtetarë që thonë se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën më rrëqethet mishi. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri pa opozitën. Vetëm të marrët mund të mendojnë se do bëhen zgjedhje në këtë vend pa opozitë. Opozita është gjysma e popullit shqiptar dhe ajo gjysma e popullit shqiptar nuk përjashtohet dot nga askush. Qeveria mund të ikë, por kjo gjysma e popullit nuk mund të ikë. Kjo gjysma e popullit ka të drejta të patjetërsueshme. Kauza e zgjedhjeve të lira është kauzë e popullit, e qytetarëve dhe e të majtëve. Është një gafë e rëndë e qeverisë së PS-së që e ka lëshuar kauzën e zgjedhje të lira ta mbajnë në duar Berisha dhe PD-ja, që janë dy mëkatarët më të mëdhenj për sa i përket zgjedhjeve në Shqipëri. Krimet më të rënda elektorale i ka bërë Partia Demokratike në këto 20 e ca vite në Shqipëri. Partia Socialiste, lidershipi i saj, nuk u distancua nga kjo kulturë e vjedhjes dhe e manipulimit të votës, iu bashkua asaj kulture dhe erdhi në një pikë që të dy palët vjedhin, manipulojnë dhe trafikojnë vota dhe nuk e lënë Shqipërinë që të ngrejë kokë. Janë të lumtur në këtë tokë vetëm ai grushti i qeveritarëve të majtë dhe të djathtë, të dy palët janë të lumtur. Ndërsa për popullin kjo tokë është kthyer në ferr dhe problemi është a do kemi prapë zgjedhje të pranueshme apo do kemi zgjedhje me standarde të lira dhe të ndershme, përfundimisht të pranueshme dhe të pakontestueshme nga shqiptarët këtej e tutje. Këtë pikë shtoj unë. Por, që zgjedhjet do shtyhen, që reforma zgjedhore do bëhet, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Kjo do ndodhë kështu si them unë. Dhe që qeveria e majtë do të bjerë, kjo nuk ka asnjë dyshim. Edi Rama është përgjegjës përpara Partinë Socialiste, sepse për interesin e tij personal, për karrigen e tij personale, është duke e larguar PS-në dhe të majtën nga qeverisja dhe nga e drejta e tyre legjitime për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”.
Sigal