Kokëdhima ngre alarmin: Pa opozitën nuk shkohet në zgjedhje, por në luftë

397
Gjatë intervistës së mbrëmshme në emisionin “Zonë e lirë” të Arjan Çanit, ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe kreu i lëvizjes politike “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ka folur për situatën politike dhe planin e Edi Ramës që ta fusë vendin në zgjedhje, edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Kokëdhima këmbëngul, se pa opozitën nuk do të ketë zgjedhje dhe se pa të nuk shkohet në zgjedhje por në luftë dhe se Shqipëria, nuk është e gatshme të shkojë në luftë as për Edi Ramën, as për ndonjë njeri tjetër. I pyetur nëse PS dhe LSI do të bëjnë koalicion parazgjedhor, Kokëdhima deklaroi se mund të shprehej që edhe Ilir Meta dhe LSI-ja nuk mund të shkojnë në një koalicion në zgjedhje, pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

“Për mendimin tim LSI nuk mund të shkojë dot në zgjedhje për hir të faktit se është në koalicion me PS-në, nëse në këto zgjedhje nuk përfshihet opozita. Nëse këto zgjedhje do të realizohen me pjesëmarrjen e shumicës dhe të opozitës, atëherë ne mund të flasim se si mund të konfigurohen”, u shpreh ai.

Gjithashtu brenda këtij argumenti Kokëdhima ka paralamëruar se, ata që deklarojnë se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën me forcë, bëjnë deklarata që janë të papërgjegjshme kalamajsh dhe jo burrash shteti.

Drejtuesi i Lëvizjes ZGJIDHJA vazhdoi deklaratën e tij në lidhje me situatën e rrezikshme ku gjendet vendi duke thënë se, burrat e shtetit duhet ta përballojnë të vërtetën siç është sepse janë histori me përgjegjësi të rëndë për vendin.

“Vihet në diskutim paqja dhe stabiliteti i vendit. Nuk mund të bësh zgjedhje pa opozitën. Opozita e ka për detyrë që të hyjë në zgjedhje që do të jenë të lira dhe të ndershme. Ne kemi detyrën që t’i pastrojmë përfundimisht zgjedhjet. Nuk e bëjmë pastrimin e zgjedhjeve as për PD-në, as për Lulzim Bashën, as për Sali Berishën. Reforma zgjedhore është mëma e reformave. Nga pastrimi i zgjedhjeve fillon drejtësia. Nga vjedhja e zgjedhjeve burojnë të gjitha këto fatkeqësitë e tjera që nuk po e lënë Shqipërinë të ngrejë kokën për 26 vjet”, u shpreh ai.
Sigal