Kokëdhima: Komedia e zgjedhjeve në PD dhe nisma e partisë ZGJIDHJA

525
Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, ka analizuar zgjedhjet në Partinë Demokratike, duke i cilësuar ato të parregullta. Ai është shprehur se, si PD ashtu edhe PS nuk janë në gjendje të bëjnë zgjedhje të ndershme, jo vetëm brenda shtëpisë së tyre, por edhe ato parlamentare. “Asnjë surprizë nuk pati nga farsa e zgjedhjeve të reja për kryetarin e Partisë Demokratike. Shqiptarët panë sërish komedinë e radhës së partive të vjetra, që duhet të udhëheqin demokracinë në vend, ndërkohë që brenda shtëpisë së tyre e shkelin atë me të dyja këmbët. Në PS prej kohësh nuk bëhen fare zgjedhje dhe as forumet, nuk mblidhen më. Partitë më të mëdha shqiptare i zgjedhin udhëheqësit e tyre me mbi 90% të votave njësoj si në Korenë e Veriut. ZGJIDHJA ka denoncuar dhe provuar se partitë shqiptare janë autokratike, pa standarte, pa institucione, pa demokraci të brendshme. Ato janë të kapura dhe të kriminalizuara, janë struktura mafioze që u shërbejnë kryetarëve për të kapur shtetin, institucionet kushtetuese, zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, drejtësinë, mediat dhe gjithçka tjetër. Pa demokratizuar partitë, nuk demokratizohet qeverisja e vendit, pa modernizuar e pastruar partitë dhe zgjedhjet, nuk modernizohet dhe nuk pastrohet dot shteti nga krimi, korrupsioni dhe paligjshmëria. ZGJIDHJA ka ndërmarrë nismën ligjore “Unë zgjedh deputetin që dua” për të demokratizuar partitë nëpërmjet një ligji posaçërisht për këtë qëllim. Kjo është emergjencë kombëtare. Me ZGJIDHJEN do ju a marrim partitë kryetarëve dhe do ju a kthejmë qytetarëve!”, shkruan Kokëdhima.
Sigal