Koka: Reduktim çlirimit të gazrave serë, 3 herë më pak se Europa

65
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka marrë pjesë në Konferencën Ministeriale të Shkupit “Drejt Samitit të Klimës në Paris 2015, sfidat për vendet anëtare të Iniciativës së Evropës Qëndrore (CEI)”.
Teksa bëri një pasqyrë të eksperiencave dhe sfidave mjedisore në Shqipëri, Koka tha se Shqipëria është tashmë në një stad të avancuar sa i përket çlirimit të gazrave serë, me një reduktim të dioksidit të karbonit me 11.5% deri në vitin 2030.
“Vendi ynë është në një pozicion unik sa i takon emetimeve të gazeve me efekt serrë, për arsye se Shqipëria e ka sektorin e prodhimit të energjisë elektrike të dekarbonizuar dhe afërsisht 1/3 e prodhimit parësor të energjisë është e bazuar në energjitë e rinovueshme, pra nuk ka çlirime të gazeve serrë. Shqipëria është tashmë në një stad të avancuar, sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë që shumë shtete të tjerë kanë në fokus përpjekjet për dekarbonizimin e sistemit të tyre energjetik”, tha Ministri Koka.
Sipas tij dorëzimi përpara afatit të Kontributit Kombëtar të Synuar (INDC-së) për Shqipërinë ishte arritje në këtë proces, i cili do të sjellë shqyrtimin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe do të përcaktojë një shteg të ri të zhvillimit, atë të dekarbonizimit.
Koka po ashtu shprehu bindjen se dorëzimi i INDC-së nga Qeveria Shqiptare dhe të gjithë vendet e CEI, do të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në takimin e 21-të të Palëve në Paris.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Koka kërkoi intensifikim të bashkëpunimit mes vendeve të CEI për cështjet mjedisore, dhe u ndal veçanërisht në shfrytëzimin maksimal të projekteve të përbashkëta që vendi ynë ka me Maqedoninë.
Ai kërkoi të shihet me prioritet bashkëpunimi në kuadër të Projektit të Liqenit të Ohrid për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave natyrore dhe të trashëgimisë Kulturore të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNESCO; si dhe faza e II-të e projektit të Bisoferës rezervë të Prespës, financuar nga Qeveria Gjermane.
Në përmbyllje të Konferencës Ministeriale përfaqësuesit e shteteve të CEI firmosën Deklaratën e Shkupit.