Koenders në Komisionin e Jashtëm të PE: Shqipëria të bëjë reformën në drejtësi

449
Brukseli i kërkon edhe njëherë politikës shqiptare të përfundojë reformën në drejtësi. Ministri i jashtëm holandez, Bert Koenders nga Komisioni i Punëve të Jashtme në PE, ku prezantoi prioritetet e presidencës holandeze, tha se për Shqipërinë kërkohen më shumë reforma në fushën e drejtësisë. Për fat të keq në 6 muajt e ardhshëm që BE do të drejtohet nga Holanda, zgjerimi, nuk është një prioritet. 
“Konkluzionet e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian të dhjetorit përbëjnë udhëzimet kryesore për Presidencën holandeze lidhur me zgjerimin. Vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të plotësojnë kriteret. Bashkimi Europian duhet të jetë gati për të pranuar shtete të reja. Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në plotësimin e kritereve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kërkohen më shume përpjekje në reforma. E nevojshme është aprovimi i paketës së reformës së sistemit të drejtësisë”, deklaroi shefi i diplomacisë holandeze. 
Koenders është ndalur edhe te Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit.
“Sa i përket Kosovës, ne mirëpresim nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shpresojmë ta nxjerrim atë në pranverë, pas miratimit tuaj, ndoshta në janar”, ka thënë Koenders.
Ai po ashtu ka thënë se Serbia ka bërë hapa përpara vitin e kaluar, duke përmendur këtu marrëveshjet e saj me Kosovën, edhe pse situata në Kosovë, sipas tij, aty-këtu është e paqëndrueshme.
“Mali i Zi ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme në negociatat e tij të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Koenders.
Po sipas tij, Bosnja dhe Hercegovina ka mbetur prapa në rrugën e reformave, ndërsa ka shqetësime serioze për situatën e brishtë politike në Maqedoni.
Holanda ka marrë kryesimin e Bashkimit Evropian për gjashtë muaj me datën 1 janar.
Sigal