KODI ZGJEDHOR/ PARALAJMËROHET POLI I TRETË

634
Sigal

Jakup B. GJOÇA

PS dhe PD bëjnë pazare për Reformën Zgjedhore, për të luftuar partitë e tjera

Aleatët e opozitës paralajmërojnë: Nëse PD-ja bën pazare me Kodin Zgjedhor, ndahemi

Kush tha që PS dhe PD nuk merren vesh, nuk bëjnë pazare, kur vjen puna, të mbrojnë privilegjet e tyre politike, në dëm dhe kundër partive të tjera? Sado e tensionuar, sado që barometri politik në parlament dhe në komisionet parlamentare është përtej vijës së kuqe, PD dhe PS në prapaskenën politike kanë rënë në kompromise, ose pazare politike për reformën zgjedhore. OSBE-ja ka këmbëngulur për reformë zgjedhore, por as ajo deri tani nuk është shprehur për ndryshimet e sistemit zgjedhor. Siç duket, OSBE-ja kërkon një kompromis midis palëve politike, pa u shqetësuar shumë për thelbin e reformës zgjedhore, e cila është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Monopolizimi dhe privilegjet e sistemit zgjedhor

Me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, PD dhe PS arritën që të kenë monopolizimin dhe privilegjet e sistemit zgjedhor, në dëm të partive të tjera parlamentare. Kështu, me sistemin zgjedhor, që zgjodhën atëherë dhe që u zbatua në zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe 2017, kryetarët e PD dhe PS kanë monopolin e listave të kandidatëve për deputetë. Kështu, kryetarët e PD dhe PS kontrollojnë partinë, eliminojnë kundërshtarët e vet partiakë. Së dyti, sistemi zgjedhor u jep privilegj PD dhe PS që çdo mandat për deputet të fitohet me 6- 8.500 vota, ndërkohë, që p.sh, LSI-ja, si forcë e tretë parlamentare, t’i duhen deri në 19.000 vota për 1 mandat, ndërsa partitë e tjera, sikurse FRD, PSD PDS, etj, morën edhe deri ën 25.000 vota dhe nuk fituan asnjë mandat për deputetë. Së treti, PD dhe PS kanë monopolizuar edhe gjithë administratën zgjedhore, pasi anëtarët e çdo komisioni zgjedhor, që nga ai i numërimit të votave dhe deri në KQZ varet nga numri i mandateve të fituara, kjo sjell që partitë e tjera jo parlamentare të mos kenë asnjë përfaqësues të tyre në administratën zgjedhore. Pasojë është vjedhja e votave të partive të tjera në numërimin e votave.

Oerd Bylykbashi për gazetën “Telegraf”: Kemi arritur konsensusin me PS për votimin elektronik

Parlamenti ka ngritur edhe një Komision Parlamentar për reformën e re zgjedhore. PD-ja u ka premtuar fillimisht aleatëve të vet, që kësaj here do të kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kjo është një nga kushtet e bashkëpunimit opozitar, prandaj në këtë komision parlamentar të reformës zgjedhore, PD-ja ka anëtarë Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka. Edhe LSI-ja kërkon me të madhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. Mirëpo, bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi në një prononcim për gazetën “Telegraf” shprehet: Me PS-në kemi gjetur konsensusin që në zgjedhjet e 2021-it të zbatojmë numërimin elektronik. Për ndryshimin e sistemit zgjedhor nuk mund të prononcohem dot, sepse ende nuk kemi folur. Është shumë me rëndësi votimi elektronik, sepse do të mundësojë luftën e shit-blerjes së votës dhe si edhe do të bëhen amendamentet e duhura, që të luftohet abuzimi me burimet shtetërore. Këto ndryshime në reformën e re zgjedhore do të jenë gati deri në mesin e muajit qershor”, – thotë për gazetën “Telegraf” Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i reformës. “Që në fillim të sesionit të ardhshëm do të kemi edhe draftet për aprovim në komision dhe parlament. I kemi dhënë një rol primar këshillës ndërkombëtare evropiane, Këshillit të Evropës përmes Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR dhe ekspertë të tjerë me reputacion në këtë fushë”, – shton deputeti i PD-së Bylykbashi.

Flasin për “ Telegraf”

Dashamir Shehi: Do iki nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, nëse nuk dakordësohen për ndryshime të sistemit zgjedhor

Qysh në fillim, me kryetarin e PD-së kemi rëndë dakord që PD-ja do të këmbëngulë, që kësaj here në reformën zgjedhore të kërkohet ndryshimi i sistemit zgjedhor, që kemi deri sot. Akoma nuk kemi mbërritur në këtë pikë, as në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, është shqetësimi kryesor që kemi net ë gjithë, përfshirë edhe LSI-në. Nëse PD dhe PS bien në dakordësi, që të mos e prekin sistemin elektoral, por t’i bëjnë arnimet që u interesojnë atyre, atëherë nuk ka më asnjë kuptim, që unë të vazhdoj të marr pjesë në Komisionin Parlamentar të reformës zgjedhore. PD-ja është më e humbura deri tani dhe nuk shikoj që të ketë shpresë as në zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk pranon që të ndryshojë Kodin Zgjedhor.

Nard Ndoka: Nëse PD bën pazare me Kodin Zgjedhor, marrim “divorc”

– Kodi Zgjedhor është problemi kryesor i sistemit tonë; është antikushtetues, deformon votën në përfaqësim, zhvlerëson votën dhe përfaqësimin në qarqe të ndryshëm, përjashton partitë e treta, dëmton pluralizmin dhe pengon futjen e partive të reja, apo dekurajon lëvizjet politike. Ky sistem që kemi është provuar, si më i dështuari nga të gjithë sistemet zgjedhor që kemi provuar. Me këtë sistem, forcojmë rolin e kryetarit, por mbushim Kuvendin me servile, pazarxhi, anonimë dhe ushtarë të bindur.

– Nëse PD dhe PS bien në dakordësi për një reformë zgjedhore vetëm për votim elektronik, pa ndryshuar Kodin aktual Zgjedhor, ju çfarë qëndrimi politik do të mbani?

– Do shohim pozicionin tonë në komision, nëse PD është e prirë për pazare mbi kodin zgjedhor.

Agron Duka: PAA do të shikojë pozicionin e saj, nëse PD nuk këmbëngul për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

– Furtuna e politikës në Parlament, e jashtë tij, nuk ka arritur deri tek reforma zgjedhore, dhe kjo është një gjë pozitive. Ndoshta mbledhjet e Komisionit bipartizan në Kuvend nuk kanë qenë të shpeshta, por puna përgatitore vazhdon dhe brenda qershorit do të trajtohen tre çështjet më prioritare: Që është; votimi elektronik, shit-blerja e votës dhe abuzimi me burimet shtetërore. Partia Agrare Ambientaliste shikon tek këto tre pika një hap të domosdoshëm për përmirësimin e cilësisë së zgjedhje. Për sa i përket sistemit, ne besojmë se politika shqiptare është ende e papjekur për të pasur akumulim të pushtetit vetëm tek një parti qeverisëse, për këtë arsye besojmë se sistemi që do të garantonte përfaqësim dhe ekuilibër në qeverisje është sistemi proporcional me korrektim kombëtar. Nëse palët nuk do të bien dakord mbi këtë, një opsion po aq i vlefshëm është sistemi miks, mazhoritar/proprocional, në të cilin të kthehen listat e hapura. Sistemi zgjedhor miks iu ofron votuesve mundësinë edhe për të përzgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesin e zonës së tyre zgjedhore, dhe në të njëjtën kohë ofron edhe elementin e përfaqësimit proporcional, që redukton një farë ashpërsie të votimit mazhoritar, i cili merr parasysh vetëm preferencën, që ka fituar më tepër vota, duke çuar dëm një numër të madh votash të hedhura për kandidatë të tjerë. Nuk kam dyshime tek vullneti i grupimit opozitar për të prodhuar ndryshime cilësore për të gjithë spektrin politik, megjithatë ne do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje zhvillimet, sidomos fal kolegëve të partive alternative, që janë pjesë në komisionin e posaçëm. Brenda korrikut do të mësojmë sa konsekuent do të jenë qëndrimet e aleatëve tanë, dhe si pasojë do të dimë të vlerësojmë masën e impenjimit tonë në të ardhmen.

– Nëse PD dhe PS bien në dakordësi për një reformë zgjedhore vetëm për votim elektronik, pa ndryshuar Kodin aktual Zgjedhor, ju çfarë qëndrimi politik do të mbani?

– Nuk besoj se mund të ndodhë, ne do bëjmë punën tonë në favor të ndryshimit. Një dakordësi e tillë është në dëm të shqiptarëve, në dëm të vendit. Padyshim që PAA në një rast të tillë do të shohë pozicionin e saj.