Kodi Zgjedhor, Kume: Sistemi proporcional më i favorshëm, numri i qarqeve nga 12 të zbresë në 6

1312
Alma Çuka
Bashkë me ndryshimet që duhet të pësojë Kodi Zgjedhor, duhet të bëhen ndryshime edhe në ndarjen e njësive zgjedhore. Votimi elektronik i realizueshëm
Ish kryetari i KQZ-së Kristaq Kume, një nga njohësit e mirë të sistemeve zgjedhor enë vend, argumenton për gazetën “Telegraf” mënyrën se si duhet të realizohen ndryshimet e mundshme. Për Kumen një nga sistemet më të favorshme për vendin tonë është ai proporcional i pastër. Por për tu bërë i realizueshëm dhe për të bërë të mundur përfaqësimin e të gjitha forcave politike, duhet të bëhen edhe ndryshimet në reformën administrative. Kume thotë se duhet të zvogëlohen numri i njësive zgjedhore, nga 12 të shkojnë në 4 ose 6. Ai është i mendimit se në parlament duhet të shkojnë 100 deputetë dhe marrja e një mandati të bëhet me marrjen e 1% të votave të vlefshme. Shqipëria sipas Kumes në 25 vite i ka provuar të gjitha llojet e sistemeve. Megjithatë, problem nuk janë sistemet, por mënyra se si i përdorin këto sisteme partitë politike. 
Zoti Kume, në shtator është rënë dakord mes partive politike të nisë reforma e Kodit Zgjedhor. Cili sistem mendoni se do të konsiderohej më i miri për të përfaqësuar interesat e qytetarëve?
Sistemi, cilido qoftë ai është në radhë të parë zgjidhje politike. Nuk ka asnjë sistem që të jetë më i mirë se të tjerët në cilëndo shoqëri ta zbatosh. 
Po si mund ta zgjedhim ne një sistem?
Për ta zgjedhur sistemin shoqëria duhet të marrë në konsideratë disa parametra. E para, sa ai sistem arrin të plotësojë kushtin e përfaqësimit politik në organet e zgjedhura. E dyta, çfarë mundësish ka sistemi në kushtet reale që të prodhojë qeverisje të qëndrueshme. E treta, sa është në gjendje t’i përgjigjet kërkesave të sistemit kultura e qytetarit për t’i zbatuar ato dhe më shumë se kaq, kultura e klasës politike, që do të thotë se nuk është sistemi, por ajo si ne sillemi me sistemin.
Sa lloje sistemesh janë zbatuar në vendin tonë prej vitit 1990?
Në Shqipëri për 25 vjet janë provuar disa lloje sistemesh. Është përdorur sistemi i pastër mazhoritar, proporcional i pastër, proporcional rajonal, proporcional i korrektuar me mazhoritar dhe mazhoritar i korrektuar me proporcional. E keqja nuk na ka ardhur nga sistemet, por nga mënyra se si i kemi zbatuar. Për shembull, në sistemin e sotëm proporcional rajonal një ndër të metat e tij, që konsiderohet si i tillë, ka të bëjë me faktin se ky dënon partitë e vogla, në kuptimin që, shuma e votave të këtyre partive nuk arrijnë të kthehen në mandate në parlament, sepse janë të shpërndara.
Si mund të arrijmë ne në një pikë të përbashkët ku të gjitha partitë të jenë të përfaqësuara?
Aktualisht në kushtet e Shqipërisë, e cila është një vend i vogël, një gjë e tillë është ndarë në 12 rajone. Pra kjo është mënyra se si e kemi zbatuar. Partitë Politikë kërkuan që vendi të ndahej në 12 rajone. Kjo gjë do të mund të rregullohej vetëm, nëse do të bëheshin ndryshime në ndarjen e njësive zgjedhore dhe të bëhej zvogëlimi i tyre në 6 ose 4 njësi. Vetëm në këtë rast do të mund të kemi përfaqësimin e të gjithë partive dhe një ndarje të drejtë të votës, ndërsa efekti negativ që i atribuohet sistemit do të shumohej. Sistemet proporcionale në përgjithësi parapëlqehen, sepse sigurojnë përfaqësim më të mirë politik se sa ato mazhoritarë, por nga ana tjetër në teori, të paktën, për këto sisteme pranohet se i kanë më të vogla mundësitë për të garantuar qeveri të qëndrueshme. 
Çfarë ka sjellë sistemi proporcional rajonal në tre zgjedhjet e fundit në vendin tonë?
Në Shqipëri në tre zgjedhje të njëpasnjëshme është zbatuar i njëjti sistem, ai proporcional. Në zgjedhjet e viti 2009 ky sistem në të vërtetë solli përfaqësim, por një qeverisje të paqëndrueshme, sepse nuk u krijua dot mundësi për mazhorancë qeverisëse dhe që zgjidhja më pas ishte koalicioni paszgjedhor PD –LSI, në këto kushte mund të thuhet se është efekt i pritshëm. Po, por ky sistem në 2013 –n pati si rezultat të tij një mazhorancë shumë të fortë, PS-LSI dhe në 2017 akoma më shumë. Ky sistem krijoi një mazhorancë akoma më të fortë siç është kjo aktuale. Siç shihet në tre zgjedhje rezultati nuk është ai i pritshmi si e parashikon teoria më shumë përfaqësim por më pak stabilitet qeverisës. Ky është një fakt më shumë që për mua, kur të diskutohet për sistemin të mbahet në konsideratë karakteristika të tilla si mundësi për qeverisje të qëndrueshme dhe përfaqësim, por më shumë se kaq atë që kanë realizuar sisteme të ndryshme në vendin tonë.
Për çfarë kemi nevojë më shumë ne sot?
Ne kemi nevojë sot që të kemi një qeverisje që të përfaqësojë sa më mirë strukturën qeverisëse të shtetasve shqiptar dhe në të njëjtën kohë qeverisja të mos krijoj kushte dhe mundësi për keqpërdorim nga ai që mund të marrë fuqinë e madhe, sepse ne jemi të rrezikuar nga kalimi në ekstreme. Do të ishte mirë që ne të kishim një sistem sa më të mirë dhe të përfaqësojë në mënyrë sa më të qartë zgjedhësin me të zgjedhurit, një sistem që do ishte më i thjeshtë në administrimin e procesit zgjedhor, që do t’i jepte mundësi reale më shpejtë dhe më lehtë qytetarëve jashtë vendit për të votuar, një sistem që të ngushtonte në maksimumet e mundshme sjelljen e jo korrekte të partive politike në procesin zgjedhor, të cilat gjithçka e bëjnë në funksion vetëm të interesit të tyre politik. Mendoj se një sistem proporcional i pastër, pra me një zonë zgjedhore dhe vetëm me 100 deputetë në kuvendin e Shqipërisë do të plotësonte ndoshta më mirë pritshmëritë e qytetarit edhe kërkesat e partive politike lidhur me barazinë në garë midis tyre. Një sistem i tillë me prag natyror që do të thotë 1% e votave të vlefshme dhe merr një deputet, do të krijonte shumë më tepër mundësi që në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësimi politik të ishte shumë më afër proporcionalit me vullnetet politike të zgjedhësve, sistemi është më i thjeshtë më i lehtë në administrim, por natyrisht ka edhe mundësinë që qeverisjet të realizohen me koalicione paszgjedhore.
Si mund të arrihet në një sistem të pastër që t’u krijohet mundësia partive të vogla për të qenë të përfaqësuara?
Problemi i sistemit nuk është i thjeshtë në kuptimin e detyrimit për ta marrë vendimin vetëm pas një analize sa më të plotë të çështjes, që do të thotë; vendimmarrja në këtë rast duhet të jetë rezultat i konsultës dhe i kontributit të sa më shumë aktorëve politikë dhe jo politikë. Ndryshimi në sistem në asnjë rast, si deri sot, është bërë vetëm prej atyre që kanë mundësi për ta bërë dhe, aktualisht, sot më afër kësaj mundësie është PS . Por edhe kjo nuk mund ta bëjë e vetme, pasi të për të bërë të mundur një ndryshim të tillë do të duhen më parë ndryshimet në Kushtetutë, e cila kërkon 84 vota. Më e mira do të ishte që ndryshimi i sistemit të bëhet përmes një dialogu të pastër dhe jo vetëm nga partitë e mëdha. 
Pas dy vitesh kemi zgjedhjet vendore. A mundemi ne të jemi gati për votimin elektronik?
Fjala është në ndryshimet që mund të bëhen në procesin e administrimit të votës, në procesin zgjedhor, ashtu sikurse dhe në problemin që ka të bëjë me mundësitë e votimit të shtetasve jashtë vendit. Nëse niset puna tani, koha mjafton dhe tepron. Rëndësi ka vullneti për të krijuar të tilla mundësi dhe për të përdorur teknologji.
Sigal