Kodi Zgjedhor, Kume: Partitë e mëdha të mos shfrytëzojnë situatën, ndërkombëtarët faktor

525
“Deklarata e Bledi Çuçit, se komisioni do të nisë nga puna shumë shpejt, është justifikim për atë që ka ndodhur deri sot, ku çështja “Tahiri” ka mbytur politikën”
Raporti i vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit u bë publik disa javë më parë. Ky raport, për të cilin u debatua gjatë, si pasojë e gjetjeve negative në këto zgjedhje, i dha ushqim politikës për të ringritur komisionin e Reformës Zgjedhore. Në mes të këtij debati dhe fillimit të punës nga komisioni, politika u trondit nga një skandal, i cili riktheu gjithçka në pikën zero. Çështja Tahiri tashmë u bë kryefjala e çdo debati publik dhe jopublik. Megjithatë ditën e djeshme vëzhguesit e OSBE/ODIHR, zhvilluan takime me anëtarët e KQZ, kryetarin e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo lëvizje e vëzhguesve ndërkombëtar në këto momente, për ish-kryetarin e KQZ, Kristaq Kume flet shumë. Sipas tij situata e krijuar me çështjen Tahiri, ka larguar vëmendjen nga punimet e komisionit dhe kjo i shkon për shtat dy kryetarëve të partive të mëdha. 
Zoti Kume, si e lexoni lëvizjen e vëzhguesve të OSBE/ODIHR në këto momente. Mendoni se është një sinjal për politikën, e cila ende nuk po gjen rrugën e mbledhjen se komisionit për reformën zgjedhore?
Kjo që bënë vëzhguesit e OSBE/ODIHR është një punë thjeshtë rutinë. Vëzhguesit ndërkombëtar pasi përfundojnë raportin e dërgojnë atë në institucionet përkatëse dhe ndajnë me ta problematikat. Por e rëndësishme është që kjo ndodh këto ditë kur janë duke u paraqitur gjetjet e tyre. Por më shumë sesa ndërkombëtarët, ajo që duhet të shihet me vëmendje sot është deklarata e bashkryetarit Bledi Çuçi, i cili tha për mediat, se komisioni do të fillojë nga puna shumë shpejt. Kjo deklaratë, më shumë sesa njoftim për nisjen e punës së komisionit, duket si justifikim i mos mbledhjes së komisionit deri sot, gjendje kjo e lidhur me situatë ne krijuar nga çështja “Tahiri”.Politika është duke bërë një gabim. Nuk mund të përdoren situatat që mund të prodhojë politika, si argument për mosfunksionimin e komisionit. Kuvendi i Shqipërisë, partitë politike nuk e ndërtojnë dhe nuk duhet ta ndërtojnë agjendën e punës së tyre dhe nuk duhet të realizojnë detyrat që u ngarkohen, në funksion të asaj që u del përpara dhe produktit që krijon situata. Komisioni duhet ta kishte filluar punën dhe, e para gjë që duhej bërë është shprehja e përbashkët e vullnetit, veçanërisht dy drejtuesve, se pas kësaj nuk ka pse të kondicionohet puna e këtij komisioni me problematikat që mund të lindin nga situata të caktuara politike. Fakti që vëzhguesit ndërkombëtar janë duke bërë me dije gjetjet e tyre dhe rekomandimet, pra po përfundojnë misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kuvendin e Shqipërisë, duhet të pranohet ose duhet të shpresojmë që të jetë faktor shtytës për punën që duhet të bëjë ky komision.
Rrezikojmë që edhe në mbledhjen e radhës, nëse ajo do të mblidhet të mos kemi rezultat. Mendon se opozita do të shfrytëzojë këtë komision për të arritur qëllimin e saj tashmë? 
Nëse edhe në mbledhjen e këtij komisioni, komisionerët do ta përdorin për të bërë deklarata politike në funksion të asaj që po ndodh sot në politikën tonë, për mua është për të ardhur keq për dy arsye:

E para: Të tilla sjellje në një vend, në një institucion, nuk i shërbejnë kujt, nuk i shërbejnë punës, mundësisë për objektivat që do të arrij opozita.
E dyta: Pengohet detyra e këtij komisioni për t’u realizuar dhe të dyja së bashku bëjnë të ngresh pyetjen: Pse veprohet kështu? Atëherë shpjegimi më i mirë është, se po përsëriten të njëjtat sjellje dhe qëndrime si ato të mëparshmet. Arsyeja për mua është sepse partitë politike, kryesisht dy forcat e mëdha, janë komod kështu si e kanë Kodin Zgjedhor. Që të ndryshosh dispozitat e kodit të cilat do të bëjnë që vota e shqiptarëve të përfaqësohet në mënyrë proporcionale dhe e barabartë kudo ku të jenë ata, që shqiptarët të kenë mundësi që të jenë ata që të zgjedhin dhe kandidatët e kështu me radhë, që administrata zgjedhore të mund të largohet sa më shumë nga ndikimi i partive politike, pra të ndërtohet ndryshe, të gjitha këto kërkojnë që partitë politike të lëshojnë shumë. Ndryshime të tilla, duke iu referuar asaj çfarë ka ndodhur deri tani, si rregull, bie ndesh me interesat e ngushta të tyre. Dhe, kjo është kërkuar të bëhet, sepse është rrugë e cila bënë që proceset zgjedhore dhe rezultatet të jenë demokratike dhe me standardet që kërkon trashëgimia zgjedhore evropiane. Të shpresojmë që ndërkombëtarët të jenë një faktor nxitës më shumë se sa deri sot. 
Sigal