Kodi i ri elektoral, kërcënim për demokracinë

714
Edhe pse në ndryshimet kushtetuese, që u paraqitën për reformën në drejtësi, maxhoranca dhe opozita nuk kanë prekur fare Kodin Zgjedhor, në prapaskenë, PS dhe PD punojnë që të arrijnë një marrëveshje midis tyre, për të arritur ekskluzivitetin e tyre politik edhe në zgjedhje, duke dashur që të kufizojnë deri në maksimum çdo mundësi elektorale të partive të treta, si LSI, PDIU, PR, PBDNJ, por edhe partive të tjera të vogla, që të futen në Kuvend ose të kenë sa më pak deputetë, në mënyrë të atillë, që maxhoranca të jetë monopartiake. PD dhe PS kanë hedhur edhe teza në opinion, që i vetmi ndryshim që mund të bëhet në Kodin Zgjedhor, do të jetë primi elektoral, që partia që del e para në zgjedhje, të ketë të drejtën të marrë bonus një shumë mandatesh në Kuvend, që të ketë mundësinë e maxhorancës, pa qenë nevoja e aleancave, që mund t’u sjellë shqetësime dhe ndarje pushteti. Gazeta “Telegraf:” organizoi forumin politik me politikanët dhe analistët Arben Malaj, Zamira Çavo, Afrim Krasniqi, Kristaq Kume, Majlinda Keta, Shenasi Rama, duke u drejtuar pyetjen:
-PS dhe PD duan të bëjnë një ndryshim zgjedhor, duke futur primin për partinë që del e para në zgjedhje, pa bërë ndryshime të tjera në Kodin aktual Zgjedhor. Primi elektoral, është në të mirë të demokratizimit të procesit zgjedhor?
Arben Malaj, ish politikan dhe sot profesor, thotë se për të përballuar sfidat, duhet më shumë demokraci . Primi njëfarësoj, përqendron pushtetin ekonomik e politik në pak duar, duke dëmtuar institucionet. Analistja Zamira Çavo, shprehet se të sjellësh primin, në një kohë, kur nuk eliminon mundësinë e shkakut që solli të inkriminuarit në Parlament, d.m.th, listat e mbyllura të kryetarit të partisë, është absurditet. Politiologu Afrim Krasniqi thotë se primi elektoral godet partitë e treta dhe të vogla, dhe është një rest kërcënues që PD-PS i bëjnë opinionit publik dhe institucioneve në Shqipëri. Ndërsa ish kryetari i KQZ Prof. Kristaq Kume shprehet se me primin, PD-PS u thonë partive të tjera, që ato do të marrin në Kuvend, atë çka do të mbetet nga ajo pjesë e “luanit” që do ndajnë këto dy parti. Lektorja e Filozofisë Majlinda Keta shprehet se “Gatuesit e çorbës më të keqe elektorale të Kodit të fundit elektoral moralisht “duhen përjashtuar” nga një proces përmirësimi dhe shëndetrimi i lojës dhe Kodit të ri Elektoral”. Ndërsa Shenasi Rama shprehet se me prim, do të ketë qeverisje vetëm nga PD, ose PS. 
Prof. Arben Malaj, ish-politikan, sot profesor
Përqendrimi i pushtetit ekonomik e politik në pak duar dhe për kohë të gjatë i dëmton institucionet
Duke parë zhvillimet politike gjatë tranzicionit tonë, ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore, vlerësimi im është që nuk janë ligjet e shkruara ato që garantojnë funksionimin demokratik të një vendi. Për të përballuar sfidat e vështira ekonomike sociale dhe politike, për të minizuar korrupsionin dhe kapjen e shtetit, ne duhet më shumë dhe jo më pak demokraci. Përqendrimi i pushtetit ekonomik e politik në pak duar dhe për kohë të gjatë i dëmton institucionet dhe i kthen ato, nga promovues, në pengues të zhvillimit. Vendet janë zhvilluar duke demokratizuar institucionet dhe jo duke rritur pushtetin absolut në pak duar në nivel vendore, apo qendrore. Pushtetet absolute korruptojnë në mënyre absolute, kjo është aksiomë politike e vërtetuar nga eksperiencat disa qindra vjeçare dhe në disa qindra shtete. Demokratizimi i institucioneve, rrit liritë politike dhe ekonomike. Zgjerimi i tyre sjell rritjen e prosperitetit. Asnjë arsye pozitive nuk mund të ketë pas propozimeve për pushtete të përqendruara, duke reduktuar numrin e partive politike, apo krijimin e oligopoleve ekonomike e politike. Modelin grek e kemi parë, në 5 vjet ka bërë 6 zgjedhje dhe vendi padrejtësisht ka mbërritur në pikën kritike të situatës sociale dhe instabilitetit politik. Deputetët betohen dhe paguhen për detyrimet e tyre ndaj votuesve dhe jo ndaj kryetarëve të partive. Mbi këtë detyrim kushtetues, mund të krijohen edhe shumica kushtetuese, që minizmojnë pushtete absolute dhe që i kthejnë vendit shpresën dhe besimit për një të ardhme më të mirë. Në qoftë se do të isha deputeti i vendit tim, nuk do t’i kisha votuar gjobat e rënda kundër biznesit, nuk do t’i kisha votuar këto propozime për ndryshime kushtetuese, ashtu siç nuk votova për ndryshimet kushtetuese në 2008. Kopjimet e deformuara të disa modeleve kanë treguar se ato e kanë dëmtuar demokracinë e brendshme të partive politike. Pa demokratizmin e partive politike nuk mund të ketë qeverisje demokratike, pa qeverisje demokratike nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm.
Prof. Zamira Çavo, analiste
Për primin, të eliminosh partitë e vogla, pa eliminuar më parë mundësinë për të sjellë në Parlament njerëz të inkriminuar, duket absurditet
Kodi Zgjedhor duhej detyrimisht të ndryshonte. Nuk mund të kemi zgjedhje të lira, kur listat e mbyllura i ka në dorë Kryetari i Partisë. Askush nuk e garanton dot përbërjen e parlamentit të ri, nëse populli nuk i ka listat e hapura dhe madje me sistem kombëtar. Unë kam qenë dhe jam e besimit se sistemi maxhoritar do i duhej vendit, por fakti që Kodi Zgjedhor i sotëm quhet si element kushtetues dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës për t’u miratuar, atëherë na mbetet të shpresojmë që Kryetarët do e kryejnë më “nder” misionin e tyre. Sa për primin, them se të eliminosh partitë e vogla, pa eliminuar më parë mundësinë për të sjellë në Parlament njerëz të inkriminuar, duket absurditet. Gjithsesi, në Shqipëri realisht politikën e kanë luajtur partitë e vogla, në kurriz të aleancave e me njërën krah të politikës maxhoritare. Me pak fjalë, asgjë për t’u shënuar. Me këto ndryshime, humbasin, apo fitojnë klanet e politikës. Populli as nuk fiton dhe as nuk humbet.
Prof. Dr. Afrim Krasniqi, politolog
Sistemi i primit godet edhe më shumë peshën e partive të treta dhe të vogla nga dy partitë e mëdha
Ideja e ndryshimit të sistemit zgjedhor për të vendosur sistemin e primit, sipas praktikës greke, spanjolle, etj, është një test kërcënues publik, që partitë e mëdha i bëjnë opinionit, institucioneve dhe partive të tyre aleate. Sistemi i primit godet edhe më shumë peshën e partive të treta dhe të vogla, ndaj partitë e mëdha mund të bashkohen në këtë interes. Argumentet që jepen për përparësitë e këtij sistemi janë spekulative dhe jo produktive. Palët na thonë se sistemi i primit ofron stabilitet qeverisës për partinë më të madhe. Po, formalisht kështu është. Por, tashmë ky stabilitet është siguruar përmes sistemit të mocionit konstruktiv, që u vendos me ndryshimet kushtetuese 2008. Si dje, edhe sot kryeministri është shumë autoritar, është gati i pacenueshëm nga parlamenti dhe nuk rrezikohet nga mocioni kundër, pra as nga destabiliteti formal. Nga ana tjetër, demokracia përfaqësuese në Shqipëri nuk vuan nga mungesa e bazës solide të PS-PD për të qëndruar me rotacion në qeveri, por vuan nga e kundërta, – nga monopoli që këto parti kanë krijuar mbi sistemin zgjedhor dhe administrimin e zgjedhjeve. Rreth gjysmë milion vota adresuar partive të vogla u shkojnë mandate dy partive të mëdha, duke deformuar tërësisht sistemin përfaqësues. E vërteta është se partitë e vogla në Shqipëri janë më shumë parti satelite dhe personale, sesa alternativa të besueshme dhe të votueshme për shkak të programit, por gjithsesi, eliminimi i tyre do të thotë edhe eliminim më i madh i shanseve për forca të reja politike. Me sistemin e listave të mbyllura deputetët thuajse emërohen, dhe kështu, dy partitë thuajse emërojnë mbi 85% të parlamentit, në votime realisht votohet vetëm për pjesën e mbetur rreth 15%. Nëse do duhet të bëhet reformë, ajo duhet të synojë të kundërtën, jo mbylljen më tej të sistemit, por hapjen e tij, kthimin e tij në sistem më konkurrues, liberalizimin e shanseve të kandidimit të pavarur dhe të kandidimit jashtë dy koalicioneve të mëdha, garantimin e numërimit të votave, transparencën financiare të fushatës, si dhe një lidhje të re solide midis votës qytetare dhe deputetit të zgjedhur prej saj, pra rikthim të natyrës mazhoritare të votimit, qoftë në formë klasike, qoftë përmes listës së hapur propocicionale. Dhe mbi të gjitha, le t’i japim fund sistemit monopol dy ose katër partiak të administrimit zgjedhor, të krijojmë strukturë zgjedhore jopartiake, të vendosim baza ligjore dhe garanci për dhënien fund të tregut të votës dhe të ndalim praktikën klienteliste të vjedhjes së shtetit për të vjedhur më pas votat për pushtetin. Sistemi i primit nuk i jep përgjigje asnjërës prej këtyre problematikave madhore, ndaj nuk sjell dobi, risi dhe as garanci se do ndryshojë diçka pozitivisht në sistemin tonë të dobët dhe korruptiv përfaqësues dhe vendimmarrës.
Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ
Me primin, PS-PD duan t’u thonë partive të tjera: Do të merrni, çfarë të mbetet nga ne…
Që të futet primi në Kodin Zgjedhor, kjo gjë nuk mund të bëhet, nuk bëhet duke ndryshuar Kodin Zgjedhor. Kjo gjë bëhet vetëm duke ndërhyrë në Kushtetutë. Futja e primit, bën të mundur vetëm formimin e qeverisë, krijimin e mazhorancës së nevojshme për krijimin e qeverisë, menjëherë pas zgjedhjeve. Vetëm , kaq. Nuk është primi që të zgjidhë, sipas mendimit tim, edhe problemet e një qeverisjeje të mëtejshme, sepse një maxhorancë që ka fituar vetëm nëpërmjet primit, për të formuar qeverinë, nuk mund të bëjë dot më vete, reformat që kërkojnë vendimmarrje të cilësuar në Kuvend. Duke iu referuar, çfarë ka ndodhur deri sot në Shqipëri, ajo çka synohet të bëhet më shumë, sipas meje, është që 2 partitë e mëdha, nëpërmjet këtij ndryshimi kushtetues, të sigurohen, që o njëra, o tjetra nga ato të jetë në qeverisje, me kushtin që të pranojmë, që ndryshimet në sjelljen e shqiptarëve që votojnë, nuk janë ndryshime drastike, të mëdha, në këto kushte. Dhe primi, ngushton në këtë mënyrë hapësirat e partive të tjera, sepse u zvogëlon numrin e deputetëve që ato do të mund të fitonin. Dhe, e dyta, primi nuk arrin dot të zgjidh situatat me të cilat janë ndeshur deri sot proceset zgjedhore, përveçse krizën paszgjodhore. Nëse bëhet ky ndryshim kushtetues në Kod Zgjedhor, që të vendoset primi, bëhet nga PD-PS për të thënë, që jemi ne dhe pastaj, jeni ju të tjerët, që çfarë të mbetet nga ne, do të merrni ju të tjerët. Nuk është, sipas mendimit tim, zgjidhje e problemit, primi elektoral. 
Majlinda Keta, lektore e filozofisë
Gatuesit e çorbës më të keqe elektorale të Kodit të fundit Elektoral, moralisht “duhen përjashtuar” nga një proces përmirësimi i Kodit të ri Elektoral
Gatuesit e çorbës më të keqe elektorale të Kodit të fundit elektoral moralisht “duhen përjashtuar” nga një proces përmirësimi dhe shëndetrimi i lojës dhe Kodit të ri Elektoral në Shqipëri. Por loja politike në pluralizëm nuk i ndalon dot, pasi Kushtetuta dhe morali politik në Shqipëri nuk mundësojnë një penalitet të tillë. Përvoja e postKodit çorbë tregoi se vetëm dhimbje i dhanë shëndetit të politikës bipartizane. U detyruan të flirtojnë me forcën e tretë, kur në fakt vetë Kodi çorbë u drejtua për eliminimin e saj. Kjo solli pasoja fatale në këto 10 vitet e fundit për moralin dhe përgjegjshmërinë e politikës, por edhe për cilësinë qeverisëse në vend. Unë jam për një proces hartimi të projektkodit nga profesionistë të legjislacionit, sistemeve zgjedhore dhe filozofive elektorale, vendas dhe të huaj, ku vetë binomi i zeusave politikë të jetë 1 nga aktorët. Mendoj që drejtimin e kësaj reforme duhet ta mbajë nën përgjegjësi Presidenti i Republikës, pasi ai është përgjegjës për unitetin e kombit, unitet i cili është shprishur edhe nga “morali” që i ka veshur Kodi çorbë politikave zgjedhore në vend dhe i të gjithë politikave ekzekutive dhe legjislative, që rrjedhin pas rezultateve zgjedhore. Duhet bërë çmos që 2 liderët zeusa politikë, por edhe 2 partitë e mëdha të mos jenë vulëvënëset, apo vulëlënëset e këtij reformimi. Ato nuk kanë dekriminalizuar veten, jo të na çlirojnë nga Kodi, që i prodhoi dhe i fuqizoi ato vetë. Në kushte pluraliste çdo parti e njohur ligjërisht duhet të ulet e dëgjohet, si i barabartë mes të barabartëve.
Prof. Dr. Shenasi Rama: Primi elektoral lejon qeverisje, vetëm për dy parti, PD dhe PS
Përpjekja e Parisë së Tiranës për të ruajtur sundimin e përbashkët po materializohet me shpejtësi në një formulë zgjedhore që i jep 20 vende në Kuvend partisë që merr më shumë vota. Kjo formulë lejon qeverisje vetëm nga dy, parti që në rastin tonë janë PS e PD. Tani që e kanë ndarë pasurinë kombëtare në mes të trusteve kriminale, tani që kanë dëbuar trurin dhe mendjen e shqiptarëve, klanet e bashkësive të ndryshme fetare, rajonale, dhe oligarkike duan që të vendosin një diktaturë të pandrrueshme dhe të pakontestueshme, të mbështetur në ligjin, që është i bërë prej tyre dhe tërësisht në shërbim të tyre. Në emër të qeverisjes, duan të mbajnë popullin në zgjedhe dhe të mos lejojnë rrugë tjetër për ndryshim, përveç revolucionit. Kjo është edhe një shenjë tjetër dëshpërimi. Kjo pari, që është tërësisht në shërbim të interesave joshqiptare, po e ndjen se hendeku midis saj dhe shqiptarëve po thellohet dita me ditë. Si janë nisur do të bitisen. Sistemi elektoral duhet me kenë proporcional i pastër. Aty fillon rruga e zgjidhjes. Ashtu do të shihet se cilën alternativë mbështet populli. Ashtu do të sqarohet se a duam të jemi njerëz, apo skllevër dhe për ne shqiptarët, ashtu do të vendoset se a do të bëjmë ne shtet-kombin tonë, apo do të mbesim në duart e në mëshirën e bizantinëve, jeniçerëve, katundarëve, apo të ustallarëve të tyre.
Sigal