Kodheli tjetër përgjigje në distancë Manjanit: Kritiku nga kolltuku duhet ta dijë që ushtria i përgjigjet emergjencave

421
Sigal

 

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli i kthen sërish
përgjigje në distancë ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani për alternativën e
propozuar prej tij, që t’i jepet fund luftës ndaj kultivimit të bimëve
narkotike, duke nxjerrë në terren ushtrinë.

E pyetur nga gazetarët, pak para se të hynte në sallën e
Kuvendit, ministrja Kodheli i ka kthyer një tjetër përgjigje Manjanit. Duke e
futur ministrin në listën e atyre që bëjnë kritika nga kolltuku, ajo u shpreh
se ushtria mund të ndërhyjë vetëm në rast emergjencash.

“Në një demokraci funksionale kushdo duhet të bëjë detyrat
që iu takojnë, në këtë rast ministria e mbrojtjes i’u jap sqarime për çështje
të sigurisë. Mirëpres kritikat që kanë të bëjnë me zgjidhjen e emergjencave.
Jam më shumë se dëshirëplot që t’i jap përgjigje kritikuesve që lëshojnë batuta
nga kolltuqet dhe sallonet. Ushtria funksionon në një mënyrë të caktuar sa herë
ka pasur emergjenca”

Më tej, Kodheli sqaroi se: “Emergjenca konsiderohet në
rrugë institucionele, ka një strukturë që quhet këshilli i ministrave që
vlerëson çfarë quhet emergjencë”.

Ndërsa dje gjatë një aktiviteti të organizuar me rastin e
Ditës së Nënë Terezës, ku u mbollën 5 mijë pemë, Kodheli tha se “Siguria është
një çështje serioze dhe Forcat e Armatosura po ashtu. Kur flasim për gjëra
serioze, duhet të jemi seriozë. Në demokraci secili bën punën e tij”.

Po sot, i pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e
ministrit të Drejtësisë për përfshirjen e ushtrisë në luftën kundër kanabisit,
ministri Tahiri tha: “Eshtë propozim i pasaktë por hyn tek propozimet e
dëshirës së mirë. Puna jonë nuk bëhet përmes konferencave të shtypit por duke
marrë masat e nevojshme.”