Kodheli pret homologen gjeorgjiane: E ftova të njohë Kosovën

507
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, priti sot homologen e saj gjeorgjane, znj. Tinatin Khidasheli, e cila në krye të një delegacioni të lartë ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Pas këtij takimi ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe ministrja e Mbrojtjes së Gjerogjisë Khidasheli nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet ministrive të mbrojtjes së dy vendeve tona. Në vijim, dy ministrat e Mbrojtjes dhanë nga një deklaratë për shtyp, ku Ministrja Kodheli, tha se i ka shprehur Ministres Gjeorgjiane vlerësimin për kontributin që Gjeorgjia jep si vend kandidat për anëtarësim të plotë në NATO. “Kontribut që përkthehet në reforma të guximshme dhe pjesëmarrje aktive me trupa në operacionet e NATO-s. Konfirmoj se Shqipëria ka mbështetur dhe do të mbështesë Gjeorgjinë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik. Gjithashtu, gjatë takimit, pata mundësinë t’i rikonfirmoj qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila ka kundërshtuar në vijimësi njohjen nga ana e Rusisë dhe disa vendeve të tjera të “pavarësisë” së vetëshpallur të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë. Kjo është shkelje e hapur e sovranitetit të Gjeorgjisë”, – është shprehur ministrja Kodheli.

Çështja e njohjes së Kosovës ishte një tjetër temë në të cilën janë ndalur dy ministret. “Ftova zonjën Khidasheli të bëhet një zë më shumë në diplomacinë e vendit të saj pro Kosovës. Rikonsiderimi i qëndrimit të Gjeorgjisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës do të ishte një lajm i mirë për të gjithë ne”, – theksoi Ministrja Kodheli. Ndërsa ministrja e Mbrojtjes së Gjeorgjisë Tinatin Khidasheli shprehu falënderime për kontributin e veçantë dhe specifik që Shqipëria jep më lidhje me bashkëpunimin dhe koordinimin e bashkëpunimit të vendeve anëtare të NATO-s me Gjeorgjinë si vend kandidat. “Shqipëria ka një oficer, i cili është pjesë e këtij koordinimi dhe Shqipëria jep një kontribut shumë të vyer dhe të çmuar që ky koordinim t’i shërbejë afrimit të Gjeorgjisë si vend kandidat për tu bërë vend me të drejta të plota në NATO”, tha znj. Khidasheli. Më tej ministrja e Mbrojtjes së Gjeorgjisë, duke u ndalur në sfidat e luftës kundër terrorizmit nënvizoi se, Gjeorgjia shpreh gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e këtyre përpjekteve të përbashkëta, përpjekje të cilat jam e sigurt që do ti tejkalojnë dhe do të përballen në mënyrë të suksesshme me këto sfida. Po sot, ministrja e Mbrojtjes së Gjeorgjisë, znj. Tinatin Khidasheli u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe zv.kryeministri Niko Peleshi.
Sigal