Kodheli: Hiqet kallashnikovi nga FA. Jo më përgjim të opozitës

619
Sigal

TIRANE- Ministria e Mbrojtjes ka paraqitur sot punën e bërë në 300 ditët e para të qeverisjes. Në fjalën e saj, ministrja Mimi Kodheli është ndalur në sfidat me të cilat është përballur ministria e Mbrojtjes në këto 300 ditë qeverisje, si dhe tek arritjet e deritanishme. Ministrja Kodheli tha se do të hiqet kallashnikovi nga ushtria shqiptare, dhe se këtyre forcave do t’i jepet vendi i merituar ndryshe nga sa ndodhi me qeverisjen e kaluar. Sipas ministres Kodheli, ushtria shqiptare do të pajiset me armë të standardit të NATO-s, karabina M4 të cilat përdorin municion të kalibrit 5.56. Kështu, forcat tona ushtarake nuk do të përdorim më armë kallashnikov, por do të jenë më të mirëpajisura. Duke u ndalur tek përgjimet e opozitës së kaluar nga qeveria Berisha, ministrja Kodheli tha se me ligjin e ri për Inteligjencën e Mbrojtjes nuk do të ketë më përgjim të opozitës. Ministrja Kodheli është ndalur tek situata në të cilën e ka gjetur këtë institucion kur erdhi në krye të Ministrisë, duke theksuar se sfida kryesore ishte transformimi i realitetit problematik. “Transformimi i realitetit problematik në Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë sfida jonë e parë kur sapo erdhën në krye të këtij institucioni. Gjetëm një situatë financiare të goditur rëndë nga borxhet e akumuluara. Por përgjigjet e dilemave të mia i gjeta mes jush, kur u takove me ushtarakë që vijonin të lufton për dinjitetin e tyre. Programi i qeverisë për 300 ditët e para në fushën e mbrojtjes parashikon reforma që duhet të vijojnë për të vendosur FA në vendin që meritojnë. Një nga dokumentet e parë që u hartuan në 300 ditëshin e parë ishte edhe struktura e FA. Por nuk e kishim menduar për rezistencën që hasëm, por tani kemi nisur punën për implementimin e saj. Ne nisëm punën edhe për përmirësimin e kuadrit ekzistues ligjor. Anëtarësimi në NATO sillte si domosdoshmëri sjelljen e praktikave me të mira evropiane. Në këtë frymë është edhe ligji për karrierën ushtarake në FA. Jemi të vendosur për të çuar deri në fund atë që kemi nisur”, tha ministrja Kodheli.

Peleshi: Tani Shqipëria gëzon vendin që i takon në tryezën e NATO-s
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi i pranishëm gjatë prezantimit të punës së Ministrisë së Mbrojtjes në 300 ditë qeverisje, vlerësoi këtë institucion për rezultatet e arritura. Zv/kryeministri Peleshi tha u ndal tek ndryshimet e bëra në këtë dikaster krahasuar me qeverisjen e kaluar. Sipas Peleshit gjatë qeverisjes së PD kishte afera me pronat me spotet televizive, me trafikun dhe demontimin e armëve, me përgjimet, etj. “Ju përgëzoj për punën e bërë dhe për rezultatet. Përmasat e arritjeve të këtyre 300 ditëve nuk marrin vlerësim nëse nuk vendosen edhe në kontekstin e krahasimit, se cila ishte situata në këtë dikaster para kësaj qeverie. Situata ishte e ndjekur me shqetësim edhe nga ndërkombëtaret. Kishte afera me pronat me spotet televizive, me trafikun dhe demontimin e armëve, me përgjimet, etj. FA nga një prej institucioneve më të respektuara, ishte shndërruar në perceptimin e publikut si një institucion që kishte hequr dore nga përgjegjësitë e veta ligjore. Për të mos folur për politizimin e tejskajshëm, që arriti deri në përgjimi e asaj kohe. Sot Shqipëria ka sërish vendin që i takon në tryezën e NATO-s dhe gëzon respektin që meriton. Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë, edhe sa i takon arsimimit të ushtarakëve, plotësimit të bazës materiale, dhe të operacioneve stërvitore. Nëse ka një arsye dhe një arritje që ia vlen të përgëzohet në këto 300 ditë është instalimi i një fryme të re të drejtimit të institucionit të mbrojtjes jashtë politizimit”, tha zëvendëskryeministri Peleshi.