Koço Kokëdhima: T’i refuzojmë e bojkotojmë zgjedhjet e 25 qershorit

94
Vota e një qytetari është e shenjtë, është urdhri i Zotit në demokraci. Nuk mund dhe nuk duhet të preket nga askush. Nuk ka Zot tjetër të vërtetë mbi këtë tokën tonë, përveç popullit, përveç njerëzve të lirë të këtij vendi. Kush i vjedh dhe manipulon votat e shqiptarëve sistematikisht në këto 23 vite? Kryetarët e partive. Ata i urdhërojnë vjedhjet e votave. Ata që e kanë uzurpuar Shqipërinë, 3-4 njerëz që i morën shpirtin popullit dhe vendit tonë. Ja pse kauza e parë që Zgjidhja ka artikuluar në programin e saj është: të pastrohen përfundimisht zgjedhjet tona. Pa i pastruar përfundimisht zgjedhjet, kurrë s’do të kemi pensione të mira, kurrë s’do të kemi asistencë sociale të mjaftueshme, kurrë nuk do të kemi punë, kurrë nuk do të shpëtojmë nga kusarët e pushtetit, kurrë nuk do të ndihemi të respektuar në zyrat e shtetit, kurrë nuk do jemi të shërbyer nga administrata publike, kurrë nuk do dalim nga skamja, mjerimi, varfëria dhe papunësia, kurrë nuk do e zhvillojmë dot ekonominë dhe nuk do jetojmë dot me dinjitet e gëzim në vendin tonë. 

Zgjidhja ka vendosur që t’i braktisë këto zgjedhje. Anëtarët dhe simpatizantët e Zgjidhjes nuk do marrin pjesë në votimet e 25 qershorit. Ne kemi vendosur t’i bojkotojmë dhe t’i refuzojmë këto zgjedhje, për ta refuzuar këtë kastë të diskredituar politike dhe për t’ia shkurtuar jetën asaj. Ne e mbështetëm protestën tre mujore të opozitës, sepse ajo u deklarua në favor e në mbështetje të kauzave tona për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për ti kthyer qytetarëve të thjeshtë të drejtat e grabitura nga kryetarët e partive, të drejtat e mohuara për të votuar ne referendume dhe për të zgjedhur vetë kandidatët për deputetë, për kryetar bashkie, këshilltarë etj përmes primareve të hapura, mikse dhe të mbyllura, kauzat tona për hapjen dhe lirinë e konkurencës në tregun politik, në ekonomi e gjetkë, për drejtësi, punë e mirëqenie, për një qeveri dhe qeverisje të pastruar nga trafikantët e hashashit dhe zyrtarët e korruptuar. 

Ne e mbështetëm këtë protestë pavarësisht dhe duke e ditur se PD dhe PS, kanë 25 vite që vjedhin zgjedhjet.

Zgjidhja deklaroi se nuk do merte pjesë në zgjedhje pa opozitën, në zgjedhje që do e përçanin popullin tonë. Zgjidhja gjithashtu deklaroi se nuk do të merte pjesë në zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe pa infrastrukturë që do garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do shkonte në zgjedhjet ku votat i numëron Rilindja dhe PD-ja. Dhe për këto arsye Zgjidhja refuzoi të përfshihej në zgjedhje as drejtpërdrejt dhe as në rrugë të tjera. Zgjidhja u qëndroi deri në fund deklarimeve të veta. 

Ju kujtohet me çfarë premtimesh erdhi Rilindja në pushtet? Do ta çojmë Saliun para drejtësisë për të gjitha krimet që ka bërë, për 21 janarin, për të vrarët, për të plagosurit, për Gërdecin, për krimet e korrupsionin, për koncesionet që janë bërë në dëm të popullit, do të anulojmë koncensionet e tij etj. Në fund u harruan të gjitha, edhe premtimet e Rilindjes edhe kauzat e protestës së opozitës. Në fund përfunduan në një koalicion të dy palët, Saliu, Partia Demokratike, Rama dhe Partia Socialiste. Rama e shkatërroi të majtën, i shiti idealet e saj, e shiti Partinë Socialiste dhe luftën e militantëve të saj, e dorëzoi pushtetin dhe e ndau në tavolinë me PD-në vetëm për interesat e pushtetit të tij personal. Rilindja dhe PD-ja nuk bënë marrëveshje për zgjedhjet, as për kauzat e protestës së opozitës dhe as për zgjedhjet e lira. Ato bënë marrëveshje vetëm për bashkëqeverisje dhe ndarjen e pushtetit në katër vitet e ardhshme. Në parlamentin e ri nuk do ketë përfaqësues të popullit dhe të bazës së partive, do kemi vetëm çetat e shërbëtorëve dhe servilëve të kryetarëve. Shqipëria do të qeveriset edhe për katër vitet që vinë nga 3-4 njerëz. Qytetarët tanë do të jenë të përjashtuar nga e drejta e pjesëmarrjes në qeverisjen e vendit.

Pse e bënë këtë pazar Rilindja dhe PD? Sepse kasta e ka kuptuar se po i vjen fundi, e ka kuptuar se vetëm në këtë rrugë mund t’i zgjatet jeta sundimit të saj dhe regjimit famëkeq të partitokracisë shqiptare. 

Rilindja bëri krime të shumta ndaj popullit, ligjit dhe shtetit në këto katër vite. Ajo e ndau shtetin në feude për të gjithë servilët, injorantët dhe kriminelët që mbajnë nē këmbë pushtetin e saj. Rilindja bëri korrupsion të shfrenuar, bëri ekonominë kriminale tē hashashit dhe koncensionet më të paimagjinueshme në dëm të popullit dhe interesave kombëtare duke ja kaluar ku e ku koncensioneve të Saliut. Qeverisja e saj prodhoi arrogancën dhe sjellje nga më të neveritshmet për popullin tonë. Me miliardat e bëra në këto rrugë dhe përmes kriminalizimit të politikës, ekonomisë dhe të shtetit, Rilindja eleminoi çdo hapësirë demokratike e lirie në Shqipëri dhe e çoi drejt rezikut të shkatërriimit të plotë opozitën e vendit. Rama përgatiti zgjedhje pa opozitën dhe zëvendësimin e kësaj të fundit me kukullat e Rilindjes, me opozitën e emëruar prej tij. Partitë e vogla dhe veglat e Ramës në këtë plan e izoluan edhe më tej dhe e rrezikuan seriozisht PD-në. Opozita, në këto kushte të izolimit nga brenda dhe nga ndërkombëtarët, pranoi pazarin dhe ofertën e Ramës që të ndajnë pushtetin bashkërisht për 4 vitet e ardhshme, të zhdukin plotësisht çdo liri të konkurencës në politikë dhe ekonomi dhe të përjetësojnë sundimin e kësaj kaste politike, të garantojnë imunitetin dhe paprekshmërinë e politikanëve përgjegjës nga drejtësia e reformuar për krimet e bëra mbi popullin, kombin dhe shtetin tonë në vitet e tranzicionit. 

Bashkimi PS-PD në 25 qershor nuk do realizojë zgjedhje të lira e të ndershme, por zgjedhje të pista, ato zgjedhje që këto dy parti kanë bërë gjithmonë. Oligarkia e korrupsionit e të dy krahëve do të bashkëqeverisë katër vitet e ardhshme në emër të “interesave të larta të atdheut” për të realizuar ëndrrën e “integrimit në Europë” dhe ëndrrën për një Shqipëri vërtet demokratike e të lirë. Këta politikanë që kanë penguar dhe luftuar si asnjë armik tjetër, interesat dhe integrimin real të Shqipërisë në bashkësinë e kombeve të qytetëruara të europës, tani u thonë shqiptarëve: Ejani na votoni më 25 qershor se do t’ju çojmë në BE. Ky pakt në fakt ka vetëm një qëllim: Të garantojë dhe përjetësojë pasuritë, privilegjet dhe pushtetin e kastës sunduese të këtij vendi. 

Çfarë mund të bëjë populli ynë në këto kushte? Mund ta refuzojë, mund t’i thotë sikter zgjedhjeve dhe këtij pakti djallëzor. Ne ftojmë popullin shqiptar, anëtarët dhe simpatizanët e partisë ZGJIDHJA, të gjithë qytetarët e thjeshtë të vendit t’i bojkotojnë dhe të mos shkojnë në këto zgjedhje, t’a braktisin dhe t’i thonë kësaj klase politike se ne nuk të pranojmë më, që ne nuk i hamë më dokrrat dhe paudhësitë e tua. Në këtë rrugë do ta shpejtojmë fundin e këtyre zgjedhjeve. 

Këto zgjedhje janë një farsë. Nuk do jenë zgjedhje të lira e të ndershme dhe nuk do prodhojnë deputetë të popullit, për popullin dhe nga populli. Këto zgjedhje do t’u hedhin hi syve njerëzve dhe do të zgjatin pushtetin e kastës në fuqi. Për këtë shkak ne u themi njerëzve: Refuzoni klasën politike! Mos shkoni në zgjedhje në 25 qershor! Bojkotojini zgjedhjet e 25 qershorit! Disa qytetarë do të ndihen të shtrënguar nga pushteti që të shkojnē në zgjedhje. Pushteti i Rilindjes të gjuan në kafshatën e gojës, të qepet prapa, të pushon nga puna, të gjen ndonjë kleçkë të nipit, të djalit, të vëllait apo të të afërmve dhe të vë kundër gjithë institucionet, nuk të bën legalizimin e ndërtesës, nuk të bën hipotekën e shtëpisë, të heq asistencën, s’të jep leje ndërtimi, nuk të lidh dritat, ujin, të çon policët që të të prishin shtëpinë, të bën lloj-lloj historish. Kështu që shumë njerëz janë të shtrënguar të shkojnë në zgjedhje. 

Si duhet të veprojnë këta njerëz? I ftoj të gjithë këta qytetarë që shkojnë në zgjedhje të detyruar t’i vënë një Z të madhe fletës së votimit. Një Z që e mbulon gjithë fletën. Ajo Z-ja mund të lexohet në shumë mënyra si p.sh. Zero, Zuzar, Zullumqar, Zagar etj. Dikush tjetër mund ta lexojë si Zorro. Unë ju këshilloj ta lexoni si ZGJIDHJA. Një Z të plotë në fletën e votimit dhe ta bëjnë të pavlefshme atë. Të japin një votë refuzimi dhe një votë proteste. 

Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet tona duke ikur. Një popull nuk mund ta përballojë jetën e tij duke braktisur gjithmonë vendin dhe duke ikur në emigracion. Nuk mund të jetë ikja e vetmja zgjidhje për ne. Duhet të përballemi me të vërtetat dhe problemet tona. Jemi zotër shtëpie. Ne duhet të sillemi me përgjegjësi si zotër shtëpie. Nuk mund ta shesim as shtëpinë tonë dhe as të ardhmen e brezave që vinë për një hudhër, për një qepë, për një kec, për 50 euro apo për një thes me miell. Gjëja e parë që mund të bëjmë për të reaguar si qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi është të përmbysim përmes bojkotit dhe refuzimit zgjedhjet e 25 qershorit dhe bashkë me to edhe pushtetin e oligarkisë së krimit dhe korrupsionit në Shqipëri! Nëse do të veprojmë të bashkuar, kjo do ndodhë shumë shpejt. Le ti lëmë mënjanë gjërat që na ndajnë dhe përçarjet që mbjell në popull kjo kastë sunduese.
Pjesë nga fjala me banorët e Qeparoit